Mall e nostalgji për Potomin, vendlindjen time

Mall e nostalgji për Potomin, vendlindjen time

Ana ISUFAJ

 

“Që pesë vjeçe jam larguar nga Potomi i Skraparit, por qytetet ku jam rritur e shkolluar s’ma kanë fshirë dot vegimin e fëmijërisë!”

Kështu e nisi bisedën për vendlindjen e saj, Ana ëngjëllore, që më tepër se një rrëfim malli, i thur vargje e këngë Potomit, duke shpalosur atdhetari, kulturë e qytetari shndritëse, si përfaqësuese e asaj pjese të brezit të ri, që e adhuron dhe e do fort Shqipërinë. Pastaj, mes emocionesh dhe sytë që i shkëlqenin nga krenaria, “vrapon të xhërdhisë mbrapsht kohën”, jo për vete, por për atë që shpirtin ja lumturon, Potomin:

– Të bukurat e të ëmbëlat kujtime, mpleksur si një tufë luleshqerash me  historinë e paraardhësve të mij, që prindërit m’i kanë mëkuar çdo ditë, kanë rritur bashkë me shtatin tim, edhe dashurinë e mallin përvëlues për ty vend i shenjtë, që më bën të ndihem krenare sot! Sa larg dhe sa afër je, Potom-bukuri e egër e Skraparit, që gjumin ma prish dhe pyetjet për ty s’ndalin! Larg fizikisht por afër shpirtërisht, sepse hedhur rrënjët thellë mbi shkëmbinjtë kryeneçë e të bardhë fildish, ngjason si obelisku më unik në botë, që parreshtur në kujtesën time lartësohesh!

Gjithmonë më ka intriguar lashtësia dhe emri yt, të cilat i mësoj tani që u rrita; megjithatë, nuk e di prejardhjen e toponimit tënd, ndoshta nga sllavishtja, potom-pastaj-potom, s’jam e sigurt, e përse jo, ndoshta dhe fjalë shqip. Gjithësesi, kalaja ilire pranë teje, e shek. III-II para erës sonë, të qëndron si një stoli.

Petriti po më ngacmon për historinë, dhe unë, ndonëse s’jam e kësaj fushe, s’po ja prish, aq sa mundem!

Ti Skrapari pa mburrje, njihesh ndryshe: – si kryeqyteti i luftrave për liri e pavarësi, që nga koha e rezistencës kundër reformave të Tanzimatit e deri në Luftën e dytë Botërore, si “Koloradoja e Shqipërisë” me kanionet e famshme të lumit Osum, si djepi i bektashizmit me teqetë e famshme të Prishtës, Kulmakut, Strenecit e Backës, për të kulmuar me pelegrinazhin e përvitshëm në Olimpin shqiptar, Malin e Tomorrit. Pa mëdyshje, mbetesh mbret i rakisë dhe reanisë së rrushit, që i guston çdo vizitor tek sorkadhja e Çorovodës, buzë Osumit; mikëpritës si rrallëkush dhe,  pa dyshim, djep i polifonisë shqiptare me bilbilin e pavdekshëm të këngës, Demir Zyko.

Si zemra e një nahijeje të pushtetshme shekujve, ke hyrë në histori si  Kolli i Sipërm ose  Kolli i Burrave, pasi në të gjitha kohërat ke nxjerrë figura legjendë si, Lace Backa, Tefik Tusha, Gani Braho, Halim Cërri, Hysni Hasa, Fetah Ahmet Sako, Dalan Buzali etj, ku nuk marr dot përsipër t’i sjell të gjithë këtu. Veçse pse ta fsheh, krenari mbetesh për mua ti stërgjyshi im, Fetah Ahmet  Sako, pjesëmarrës në katër luftra, në Çetat e para patriotike, në luftën për Shpalljen e Pavarësisë më 1912, në Luftën e Vlorës më 1920, dhe në Luftën e Dytë Botërore.

Po, Potom! Ti më vjen ëndërrash si një smerald në unazë të florinjtë, rrethuar nga gurët xhevahir, Gjergjova Koprëncka, Gërmenji, Visocka, Qafa, Helmësi, Backa, Melcka, Nikollara, Dyrmishi dhe Staravecka, që emërues të përbashkët kini gërxhët e thepisura, me të madhen histori, kulturë, këngë e bujari.

I vendosur me fytyrë nga lindja, ti ndriçon si një feniks, dhe bollëku i frutave të tua të shumëllojshme e të tejpjekura, me asnjë vend s’ka të krahasuar, ku pjergulla përqafuar shekujsh me lisin mbretëron. Shkolla e parë shqipe, kopshti, çerdhja, spitali rajonal, gjimnazi, qendra e Komunës, objektet tregtare dhe shërbimet sociale, të japin pamjen e një qyteze moderne. Realisht unë e dua qytetin, se sikurse thuhet, të bën të lirë, por malli dhe krenaria për vendlindjen, në simbiozë me historinë, bukuritë natyrore dhe prodhimet bio, më vjen këtu si një ortek që rritet e rritet, me mesazhin e fortë se që andej fillon dashuria për ty atdheu im! Ndonjëherë dhe padrejtësisht paragjykohemi ne të rinjtë, sidomos ata që largohen, por kjo s’është e drejtë! Në fakt ne e duam shkollën, e duam vendin tonë, e duam punën, i duam prindërit, por më tepër vëmendje duhet treguar për moshën tonë, që rrugën e së ardhmes ta kemi më të kthejllët, si ai Potomi i bekuar plot diell, që me t’u bërë rruga e TAP-it, më ftoi ti vete edhe njëherë. Rikthimi në pragun ku kisha hedhur hapin e parë, ku kisha belbëzuar fjalën babi e mami, bënë që mes lotësh koha të ndali; në çast u ndjeva ajo vajza e lumtur e çamarroke, dhe me dyshim prekja objekte e sende të asaj kohe, nëse ishin vërtet ato apo jo?! Vrapova nëpër lagje e rrugica si flutur, dhe thellë në shpirt u betova, do të vij me shpesh Potom, se prindërit e ringritën shtëpinë e shembur, siç do ringrihet e gjithë Shqipëria…sa dashuri e sa mall!