Margaret Hasluck, në Tomorr, shkencëtarja “spiune” që e adhuroi Shqipërinë deri në vdekje
Hasluck, 13 vjet me bllok e laps në dorë në vatrat shqiptare
Zylyftar Hoxha
Margaret Hasluck ((18 qershor 1885 – 18 tetor 1948), gjeografe, gjuhëtare, arkeologe, etnografe, mbledhëse folklori, studiuese dhe epigrafe (interpretuese e mbishkrimeve të lashta). Ishte shok, bashkëpunëtore dhe bashkëshorte e studiuesit Frederik William Hasluck, i cili vdiq shpejt duke lënë pas shumë punime të papërfunduara me të cilat merret Hasluck.
Pas kësaj, aty nga mesi i viteve 1920, Margaret udhëton nëpër Ballkan, duke u marrë me studime antropologjike. Në Shqipëri, ajo ndërton shtëpinë e saj në Elbasan, ku jetoi për 13 vjet, duke u bërë një legjendë mes shqiptarëve të kohës.
Margaret botoi artikuj të shumtë, përfshirë edhe gramatikën e parë anglisht-shqip, si dhe një libër leximi.
Për shkak të punës së saj për zbulimin britanik në Luftën e Parë Botërore, Hasluck u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Athinë, kur italianët pushtuan vendin në vitin 1939. Më vonë ajo vendoset në Kajro.
Në vitin 1945, Margaret Hasluck diagnostikohet me leuçemi; dhe tërhiqet për kurim në Dublin, ku vdiq më 1948.
Haskuck la pas të papërfunduar edhe një vepër mbi kulturën, folklorin, gjuhën e zakonet shqiptare – nga rreth 16 kapituj që kishte planifikuar, vetëm 4 a 5 mundi të përfundojë.
Veç të tjerash ajo ka lënë shumë shënime për malin e Tomorit, të cilin e ka vizitur dhe përshkruar më shumë se dy herë.
Në një çanak me shqiptarët
Edhe sot në Elbasan të vjetrit, po të pyesësh mirë, kujtojnë se në vitet e periudhës së Zogut, në rrugët, mejhanet e mejtepet e këtij qyteti shfaqej herë pas here figura simpatike e një gruaje të huaj, e cila me fletorka në dorë mbante shënime ato që i tregonin vendasit për jetën e tyre.
Ajo jetoi 13 vjet në një shtëpi të thjeshtë në një nga lagjet më të vjetra të Elbasanit, rrinte gjithë ditën me gratë e lagjes, gatuante, lante dhe bënte pazar bashkë me to. Ndërsa kur shkonte larg në ekspeditat, sidomos në Veri, ajo ulej këmbëkryq pranë oxhakut dhe bënte muhabet me burra fisi, duke nxjerrë prej fjalëve të tyre të dhëna interesante të organizimit të këtij vendi të çuditshëm në mes të Ballkanit.
“Ligji i Pashkruar në Shqipëri” ishte libri precipitat që doli më vonë në qarkullim jo vetëm jashtë, por edhe në Shqipëri, që është një libër bazë për albanologët dhe etnografët qofshin vendës, qofshin të huaj. Nuk është vështirë që brenda rreshtave ku përshkruhen kodet e jetës së shqiptarëve të veprës së Hasluck, të vësh re dashurinë e sinqertë të kësaj shkencëtare të madhe për këtë popull të lashtë dhe interesant në shumë pikëpamje.
Është meritë edhe e përkthyesit Leka Ndoja në gjuhën shqipe, që vepra ruan origjinalitetin, duke shpjeguar mënyrën e jetesës shqiptare me mjaft hollësi, duke dhënë herë pas here detaje mbi çështje të veçanta, të cilat pasqyrojnë funksionimin e së drejtës të pashkruar. Në këtë mënyrë, jepet një sasi e madhe informacioni mbi: përbërjen e familjes shqiptare, mënyrën e saj të jetesës, strukturën e përgjithshme të fshatit e të jetës fisnore dhe për natyrën e funksionimin e kuvendeve fisnore.
Tregohen metodat e trajtimit të krimit kundër pronës apo personit, normat që rregullojnë, për shembull, cenimin e pronës, udhëtimin, ushqimin e kopeve ose ruajtjen e shtëpive nga qentë roje. Jepen të dhëna të hollësishme mbi trajtimin e besës, mënyrën e vendosjes së dënimeve; dhe së fundi, normat që rregullojnë gjakmarrjen, e cila trajtohet nga një numër rregullash dhe parimesh që janë mjaft të qarta, ndonëse të pashkruara.
Përmbajtja e këtij libri paraqet interes për lexuesin e gjerë, pasi përshkruan jetesën e panjohur të një populli me një kulturë tepër të veçantë dhe individuale, i cili gjatë gjithë historisë së tij ka patur veçoritë e tij.
Shkencëtarja, “mëma spiune”
Pas largimit nga Shqipëria, në vitin 1939, në një moshë relativisht të madhe, e gjetur si më e përshtatshme nga Inteligjent Servisit anglez, si njohëse e mirë e këtij vendi, është shfrytëzuar për të instruktuar Misionin Anglez që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo është puna e dytë, veç si etnografe që e lidh me Shqipërinë, por edhe që e “bën me njollë në biografi”, pasi u quajt nga Enver Hoxha spiune, “mëma, mësuesja e spiunëve” anglezë etj. Mbi këtë pjesë të dytë të lidhjes së saj me Shqipërinë hedh dritë me kujtimet e tij David Smiley, britaniku, që qëndroi aq afër Enver Hoxhes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Nisur nga motive patriotike, si njohëse e shqiptarëve, ajo pavarësisht se u quajt spiune, e bëri këtë punë me pasion dhe dashuri. Pati lidhje me të gjithë drejtuesit shqiptarë të dy kampeve gjatë Luftës, punoi me ndërgjegje të lartë që vendi ynë të çlirohej nga pushtuesit, por edhe të organizohej si një vend demokratik, që t’i hiqeshin vuajtjet shekullore mbi shpinë. Duke mos qenë në një linjë me komunistët, ajo, siç thamë më lartë, u quajt agjente e tradhtare.
Ka ardhur koha, që si dhe shumë figura të tjera të huaja, që i kanë shërbyer me mish e me shpirt Shqipërisë, edhe figura e Hasluck të rivlerësohet dhe të zërë vendin që meriton në historinë dhe shkencën shqiptare.
Rezidenca e Hasluck, endé në këmbë në Elbasan
Sipas më të vjetërve të lagjes përreth, shtëpia e Margaret u ndërtua nën kujdesin e Vait Sinanit, funksionar lokal për urbanistikën në atë kohë. Pamja e jashtme dhe konfigurimi i brendshëm është një model tipik i ndërtimeve angleze të asaj periudhe. Vetë Hasluck dha idenë e projektit të ndërtesës. Margaret kërkoi që rezidenca të ndërtohej në periferi të qytetit, në një vend të qetë pranë një rreme uji.
Banorët tregojnë se ajo kujdesej në mënyrë të veçantë për banesën e saj. Në oborr ndërtoi një mozaik, i cili ka mbetur origjinal deri në ditët e sotme. Ndërsa kopshtin përreth e mbolli me lule dhe pemë. Sipas të dhënave, shtëpia u sekuestrua nga shteti menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë kohës së komunizmit, rezidenca e studiueses së famshme shërbeu si jetimore dhe si laborator zoologjik. Në vitin 1993, çifti anglez Michael e Judi Smith, çelën jetimoren që e pagëzuan me emrin “Shtëpia e Shpresës”.
Ajo ishte jetimorja e parë e çelur nga të huajt pas ndryshimeve demokratike. Çifti Michael e Judi Smith drejtuan jetimoren deri në vitin 2002. Pas largimit të tyre, shtëpia u mor nën kujdestarinë e Kristinë Debenham. Zj. Debenham u largua para ca kohësh dhe tani “Shtëpia e Shpresës” i u mbetet institucioneve vendor.
Mbesat e Hasluck, pas 64 vjetësh në Shqipëri
Në vitin 2012, nga Uellsi kanë udhëtuar për në Elbasan dy mbesat e Margarat Hasluck. Ato kishin informacion të plotë për të gjitha hulumtimet që Hasluck kishte kaluar në këtë pjesë të jetës së saj. Mbesat e saj përshkuan një pjesë të rrugës dhe familjeve ku kishte qëndruar.
Në dorëshkrimet e saja, kishte shkruar edhe për familjen Panxhi, me të cilën ajo kishte patur shumë lidhje. Ishin të bijat e motrës së Margaret dhe njëra mbante emrin Margaret. Pasi vizituan banesën ato thanë se shumë shpejt do të botonin të gjitha dorëshkrimet që ka lënë Margaret për zonën e Shpatit.
“Ju lutem, mos e dëmtoni mikun tim të mirë”!…
Margaret Hasluck, letër Enver Hoxhës për Lef Nosin
Albanologia e famshme, Margaret Hasluck, kur ishte drejtuesja e Misionit Sekret Britanik për Shqipërinë, i lutet Enver Hoxhës për jetën e njërës prej figurave më të njohura të historisë shqiptare, Lef Nosit. Lef Nosi, patrioti i njohur, nismëtari i deklaratës së Pavarësisë, mik i ngushtë i Hasluck, që ia njihte dhe kish kaluar nëpër duar në dorëshkrim veprën e saj, e gjeti veten të arrestuar pak kohë pas çlirimit të vendit nga gjermanët.
Enver Hoxha e akuzonte atë se kishte shërbyer si regjent gjatë pushtimit.
Hasluck, ndërhyn që Nosi të mos keqtrajtohej e dëmtohej se, sipas saj, i kishte dhënë shumë Shqipërisë.
Por Enver Hoxha nuk e mori parasysh këtë lutje të saj, në vitin1946, Nosi u pushkatua. Hasluck, që vdiq dy vjet më vonë, nuk mori asnjëherë përgjigje për letrën e saj.
Ja ç’thuhet në letrën e znj. Hascluk, që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit:
Qipro 12 Prill 1945
Shkëlqesis së tij
Gjeneral kolonel Enver Hoxha
President i Qeverisë Shqiptare, Tiranë
Shkëlqesi,
Marr leje më ju shkrue për me ju u-lutë qi t’a ndihmoni mikun ma të vlefshëm që kam në kët dynja, Z. Lef Nosi.
E kam njoft mirë e mirë 15 vjet e ca, e Zoti e di se kurrë nuk më ka thanë asnji fjalë në favor të Gjermanëvet ose t’Italjanëvet. Përkundrazi ka veprue bashkë me mu kundra të dyjave në kët luftë.
Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj. Por, pa ardhë unë, mund të dërgoni kush të jetë në shtëpi të tij. Atje do të shifen mobilat e mija si edhe librat e mija qi ai m’i ka ruejtë gjatë okupacjonit, gja mjaft e rrezikshme se unë s’jam Gjermane.
Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë.
Ashtu ju lutem shum qi të ma rueni. Më erth shumë keq kur u-ba Regent, por mbas ca ditësh u-kujtova se ishte ba Kryetar i Bashkisë s’Elbasanit në kohë të turbullimevet të 1924 vetëm e vetëm qi t’a ndihmonte popullin e vogël. Kujtoj se ashtu ka qenë edhe ket herë. E me të vërtetë ç’ishte ba Shqipnija pa krye nën sundim të Gjermanëve? Juve s’un erdhët se ishit në mal.
Ç’prej 6 qeshorit të 1944 kur rashë e sëmurë, kam dalë prej punës zyrtare. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.
Me nderime të nalta, shkëlqesi
Margaret Hasluck