Margarita dhe Kristaq Tutulani / Si u ekzekutuan në sy të njëri-tjetrit motër e vëlla

Margarita dhe Kristaq Tutulani / Si u ekzekutuan në sy të njëri-tjetrit motër e vëlla

Më 6 korrik 1943 pushkatohen në Gosë të Kavajës Kristaq dhe Margarita Tutulani, ikonat heroike të qytetit të Beratit

 

Familja e Tutulanëve njihet historikisht si një nga familjet beratase me ndjenja të thella patriotike.  Fëmijët e kësaj familje ushqeheshin me dashurinë për atdheun.

 

Milto Tutulani, i ati i Kristaqit dhe Margaritës, ka qenë 14 vjet deputet si dhe ministër i Financave dhe Drejtësisë në qeverinë e Zogut, daja, i tyre ishte Sotir Kolea, lëvrues i gjuhës shqipe dhe bibliofil i shquar.

 

Familja e Tutulanëve ishte bazë e Luftës, aty strehoheshin Kahreman Ylli, Ajet Xhindole, Kristaq Capo, Myqerem Fuga, Thoma Bello, Ali Shehu, Mane Nishova, Gjin Marku, Ramiz Aranitasi, shumë guerilas, të rinj komunistë, por edhe gra e vajza, me të cilët merrej Margarita.

 

 

Margarita

 

Në qershor 1942 Margarita ndërpret studimet në Institutin Femëror të Tiranës dhe vjen në Berat e ngarkuar me detyrë organizimin e popullit në luftë kundër fashizmit. Në fillim veprimtaria e Margaritës ishte gati legale, ajo shkonte lagje më lagje dhe bënte mbledhje me gratë e të rejat. Demonstrata e 28 Nëntorit e vitit 1942 në Berat, mund të themi se ishte kryesisht vepër e saj.

 

Demonstruesit u nisën nga rruga kryesore e qytetit, grisën flamujt e fashistëve, kaluan para burgut dhe duke brohoritur kërkonin lirimin e të burgosurve, hidhnin parulla kundër fashizmit. Në krye të demonstruesve printe Margarita. Në këtë manifestim antifashist, përpara mijëra vetave, ku gjithë Berati kishte dalë në rrugë, në shkallët e përmendores kushtuar Dëshmorëve Rilindas, Margarita mbajti një fjalim të zjarrtë. Përkrah saj ishte edhe Kristaqi që sapo kishte ardhur nga Italia.

 

Duke parë këtë entuziazëm të madh, fashistët rrethuan demonstruesit dhe qëllimi i tyre ishte arrestimi i Margaritës. Por falë popullit që e futi në mes dhe më pas e fshehu, Margarita shpëtoi. Që nga ajo ditë ajo u hodh në ilegalitet dhe ndërroi edhe bazën ku rrinte.

 

 

Kristaqi

 

Ashtu si Margarita edhe Kristaqi në tetor të vitit 1942 la studimet në Firence të Italisë për Drejtësi dhe erdhi në Berat ku u lidh menjëherë me Lëvizjen Nacionalçlrimtare.

 

Portreti i Kristaqit, ishte portet i një intelektuali të formuar në të gjitha pikëpamjet, i rregullt dhe i kujdesshëm edhe në mënyrat e thjeshta të veprimit, në të veshur, në të folur, në të ecur. Ai nuk ishte patetik. Në fjalën e tij sundonte logjika dhe argumenti.

 

Ai ishte një propagandist i palodhur, i lindur për atë punë, njeri me kulturë të lartë, që zotëronte tri-katër gjuhë, njohës dhe përkthyes i kolosëve botërorë të letërsisë, krijues dhe vetë, vazhdues i denjë shkrimtarëve të viteve ’30.

 

Vetëm për pak muaj, si rezultat i kësaj pune agjitative,  në korrik të vitit 1943, gjendja në qarkun e Beratit ishte e tillë, Skrapari dhe shumë komuna e zona ishin çliruar, ishin ngritur tetë çeta dhe katër batalione, ishin bërë shumë aksione në qytet, sidomos vrasja nga njësiti gueril i majorit të SIM-it, sulmi ndaj bankës etj.

 

 

Luftëtarë dhe artistë

 

 

Vëlla e motër kanë lënë pas, veç shembullit të vetmohimit, vëlla e motër kanë lënë edhe një pasuri letrare me krijime ne poezi, në prozë dhe publicistikë me vlera të veçanta dhe shumë të avancuara për kohën.

 

Spikat Kristaqi, si njohës i shkëlqyer i kulturës botërore, por edhe i shumë gjuhëve të huaja. Kristaqi është i pari që e quajti Migjenin “uragan i ndërprerë në mes” dhe i pari që kish një ëndërr për Shqipërinë Demokratike, sipas modelit të iluminizimit francez.

 

 

Shënimet që gjenden sot në arkivat e familjes Tutulani, sikurse dhe shumë detyra studentore, evidentojnë se të dy, vëlla e motër, ishin njerëz shumë aktiv, shumë të zgjuar dhe të mprehtë. Ata nuk ishin vetëm skolastikë, por edhe njerëz të aksionit, siç e provoi koha.

 

Nga Margarita kanë mbetur poezi, hartime, ditare, mbresa, përshtypje të ndryshme dhe shumë qëndisje artistike.