Rrëfim nga Lufta

Rrëfim nga Lufta

 

Është një histori interesante dhe e dhimbshme, ku mijra ushtarë italainë ngelën në mëshirë të fatit, maleve dhe rrugëve të Shqipërisë, ku një pjesë u inkuadruan në Batalionin Partzan “Antonio Gramshi”, i gjithi me italianë, dhe një pjesë  tjetër u strehua dhe u mbajt nga populli, i cili edhe pse fukara, ndau me ta bukën e gojës.

 

Rikthimi i kësaj çështje, është një nga vendimet dhe marrëveshjet më të mira dhe më të  drejta të dy qeverive, italiane dhe shqiptare, këto kohët e fundit. 

 

Del detyrë për institucionte përkatëse shtetërore, historianët, mediat dhe artistët shqiptarë, t’i kushtojnë një vemendje të shtuar këtij vendimi, për ta ndriçuar sa më shumë dhe sa më mirë atë periudhë, pasi kemi të bëjmë me një nga vlerat më të çmuara të popullit tonë, siç është mikpritja.

  

Pasi ata, edhe pse pushtues dhe armiq, në fund u mbajtën si miq.

 

 Në arkivin e “Orakujve të Tomorrit” ndodhen të ruajtura disa ngjarje dhe episode, siç është shkrimi i mëposhtëm, të cilat do t’i botojmë herë pas here.

 

 

Shfrytëzojmë rastin, t’u bëjmë thirrje dhe ftesë miqve dhe bashkëpunëtorëve tanë, të na dërgojnë për botim materiale të kësaj natyre.

 

 

Falenderojmë për mirëkuptimin!

 

 

***

 

 

 

Italia fashiste kapitulloi me 8 shtator 1943. Sipas aktit të kapitullimit, trupat dhe armatimet duhet të dorëzoheshin te aleatët anglo-amerikanë.

 

Në Shqipëri nuk kishte të tillë dhe ata të shpartalluar dhe pa komandën mbetën rrugëve; disa mundën të iknin, disa u inkuadruan me forcat partizane e të tjerët më keq s’ishin ku të shkonin. Por shqiptari kurrë nuk e vret të mundurin, edhe kur e ka armik.

 

Edhe në këtë rast ua hapi derën, sepse këta ushtarë dhe oficerë po t’ë gjendeshin nga gjermanët,  që kishin hyrë në vendin tonë, i vrisnin ngaqë Musolinin e kishin shpallur tradhëtar.

 

 

Në ditët e para të kapitullimit, një mëngjes përpara avllisë tonë, te mëni shekullor, panë një grup ushtarësh italianë. Ishte një oficer, djalë i ri, dhe nja 10 ushtarë. Ishin pa armë dhe dukeshin shumë të lodhur.

 

U morën vesh që donin rrgën për në Lapan e më tutje, në Përmet. Kishin një hartë, por kërkuan edhe bukë se ishin pa ngrën.

 

Nekja, gjyshja jonë, i rregulloi me bukë e ujë. Rushani kërkoi që ndonjëri nëse donte le të rrinte aty, të punonte deri sat ë gjendej një mundësi për të ikur.

 

Doli një ushtar me emrin Mario. – Do të rri unë – tha

 

I kënaqur se iu shtua një krah punë pune, gjyshi urdhëron Neken që t;u jepte bukë me vete atyre të tjerëve.

 

 

Oficeri, i impresionuar nga kjo lloj pritje, heq nga brezi një revole tip “Bereta” dhe ia dhuron Nekes, duke iu lutur për garantimin e jetës së Marios.

 

Ushtarakë italianë të Luftës Italo – Greke të 140- ës në shkollën e Qafës, Skrapar

 

 

Tani, sa herë shikoj filmin “Njeriu me Top” të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë.

 

Gjyshi, ynë, Rushani, me sa dukej e kishte dashur shumë, se fliste me pasion për të, duke i mburrur cilësitë njerëzore: mbi të gjitha, i urtë-dele dhe shumë punëtor.

 

I vinte inat që, megjithëse e pyeste çdo ditë, nuk mbante mend emrin e ngatërruar të  vendit nga ishte Mario.

 

Bashkë me Marion, Rushani hapi një arë të re 4-5 dynymshe që ne e quanim Pusez.

 

Megjithëse i thoshte italianit në drekë kur vinte të merrte bukën në shtëpi të pushonte, ai s’ulej asnjëherë. Bënte punë skllavi i shkreti  dhe në darkë flinte në plevicën e kashtës, pasi ne nuk kishim shtëpi, se na i kishte djegur gjermani.

 

Nga Mario, fshati ynë, sidomos shtëpia jonë, që ishte në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit, kishte dhe një kujtim, ai kishte mbiellë për herë të parë domate, për të cilat të gjithë thoshin se nuk i “bënte vendi”, por që ai ia kishte arritur. Që atëhere, domatet tona, sidomos të vjeshtës, zemërkau, linin nam.

 

Më poshtë në lagje qëndruan për punë edhe dy ushtarë të tjerë.

 

Mbas dhjetë muajsh ata ikën të tre bashkë në drejtim të Këlcyrës.

Kur Mario u përcoll me Rushanin, qau. Derdhi lot edhe Rushani.

 

 

 

Duke fshirë lotët ai iu drejtua Marios:

 

– Lanet, më bëre për të qarë, që nuk kam qarë kurrë!

 

Por për fatin e tre italianëve të Qafës nuk u mor vesh kurrë se si përfunduan!…  (Nga tregimet familjare të P. dhe Z. Hoxhës – # Orakujt…)