Masakra  e 11 dhe 12 janarit 1944 në Vlushë dhe Krushovë: Më e madhja, më e egra, më mizorja dhe më e dhimbshmja e Luftës së Dytë Botërore në Skrapar dhe në Shqipëri

Masakra  e 11 dhe 12 janarit 1944 në Vlushë dhe Krushovë: Më e madhja, më e egra, më mizorja dhe më e dhimbshmja e Luftës së Dytë Botërore në Skrapar dhe në Shqipëri

Zylyftar Hoxha

 

Një nga ngjarjet që do të mbetet e pashlyer nga kujtesa e banorëve të Vlushës në Skrapar, është masakra që bëri gjermani më 11 janar të vitit 1944, ku u pushkatuan në sy të grave e të fëmijëve 22 fshatarë të pafajshëm.

 

 

Masakra e Vlushës

 

Arsyet e kësaj masakre, në përgjithësi dihen. Po pse u zgjodh pikërisht Vlusha?

 

Një nga versionet që flitej që në atë kohë, ishte se një nga krerët e Ballit, që shoqëronte gjermanët në këtë operacion, kish qenë në dhjetor të vitit 1943 në Vlushë për ta kthyer fshatin me Ballin. Por ai kishte marrë përgjigje nga Dalip Borri, në emër të fshatit, se Vlusha  ia kishte dhënë fjalën të birit të Sinan Leshnjes, Kahremanit dhe ishte me të. Ky eksponent ishte një nga shoqëruesit e gjermanëve në Vlushë dhe masakra mban edhe vulën e tij të hakmarrjes.

 

 

Kur erdhën gjermanët në fshat është bërë një përpjekje për të shmangur gjakderdhjen, por kjo ka qenë e vonuar.

Një komandant balli i ka dhënë një letër njërit nga Vlusha dhe i ka thënë që të largohen sa më parë njerëzit se gjermani do të bëjë kërdinë, por personi në fjalë nuk erdhi dot në kohë, detashmenti gjerman e kish bërë punën e tij, kish mbledhur të gjithë burrat që gjeti, në shtëpinë e Tefik Hajdinit.

 

 

Aty i mbajti gjithë natën. Përjekjet për të çarë rrëthimin ishin të pamundura, pasi shtëpija ishte e rrethuar me roje. Veç kësaj, një përfaqësues balli që ishte bashkë me të ngujuarit, i qetësoi, duke thënë se ishte i sigurt se gjermani nuk do të vepronte ashpër.

 

 

Të nesërmen në mëngjes, gjermanët i nxirrnin burrat dy e nga dy dhe i pushkatonin buzë një përroi, 300-400 m larg shtëpisë ku i kishin mbajtur gjithë natën.

 

 

Dy fshatarë u përpoqën të shpëtonin, duke u larguar me vrap i sharruan me plumba. Në kohën që ata bridhnin tatëpjetë, një nga skuadra e pushkatimit qeshte dhe bërtiste shqip: “Aha, ujku”! Kuptohet, që ai ishte ballist.

 

 

Pas asaj gjëme të madhe dhe të paparë, mbërritën gratë, të cilat u përleshën me gjermanët për të ngritur njerëzit e tyre. Midis të vrarëve u gjet i gjallë Sadedin Borri, iu dha menjëherë ndihmë, pasi e kish zënë gjaku dhe e kishin shtypur kufomat.

 

 

Varrosja ka zgjatur dy-tri dite. Gratë hapnin vetë varret e burrave, të djemve, të kunetërve të tyre. Për të ndihmur për varrimin erdhën edhe nga fshatrat pranë nga Gradeci, Qafa, Osoja etj.

 

 

Një pjesë e mirë e burrave të mbetur të Vlushës ishin rreshtuar në formacionet partizane. Dhe shembulli  dhe sfida që ky fshat mbijetoi dhe mori pjesë aktivisht në Luftë, ishte vendosja disa muaj më pas e spitalit partizan në lagjen e Mançeve dhe formimi  në këtë fshhat i një prej formacioneve më të mëdha  partizane, Brigadës së 7-të Sulmuese.

 

 

Masakra e Krushovës

 

Masakra vazhdoi edhe në fshatra të tjerë, në Kapinovë dhe Krushovë dhe njihet si ndër më të  egrat në Shqipëri, por ajo nuk e theu dot popullin e Vlushës dhe të gjithë zonës së Potomit.

 

 

Pas kasaphanës që bënë në Vlushë, gjermanët, të ndihmuar dhe orientuar nga ballistët, morën rrugën për në Krushovë. Mblodhën ç’gjetën rrugës, por edhe lajmëruan kapinovallinjtë, turbëhovallinjtë dhe krushovallinjtë për një mbledhje në tyrben e Krushovës. Një pjesë e e banorëve të këtyre fshatrave besuan dhe shkuan vetë në Krushovë duke menduar se s’kishte asnjë arsye pse ata të vriteshin, sipas fjalëve që ishin hapur se gjermani nuk te trazon po nuk e trazove.

 

 

Por puna doli ndryshe, pasi të gjithë ata që shkuan atje, por edhe ata që gjetën rrugës, gjermani i vuri në plumb.

 

 

Po pse u bë masakra dhe pse u zgjodh Krushova?

 

Ka mendime të ndryshme, por më e besueshmja është se e gjithë kjo zonë nuk përkrahu asnjë herë Ballin Kombëtar.

Në dhjetor Maliq Dushari deshi të futej në Krushovë, por  krushovallinjt e pritën me pushkë dhe ay u detyrua të kthehej prapa.

Këtë gjë bëri edhe Abaz Postena, i cili  mblodhi burrat në Teqenë e Dervish Velikos dhe u kërkoi që të bashkoheshin me Ballin, por ata nuk pranuan.

Më pas Hamit Matjani erdhi deri në Krushovë me një numur të madh ballistësh, por të nesërmen ikën nga syt këmbët  sepse u sulmuan nga forcat partizane  të Skraparit dhe Batalioni “Hakmarrja” me komandant Petrit Dumen.

 

 

Por arsyeja më kryesore ka qenë se pothuajse çdoshtëpi në Krushovë ka patur 1 deri në 3 partizanë në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pra kjo masakër qe hakmarrje.

 

 

Nga Krushova u vranë: Dake Zyko, Jashar Zyko, Sali Zyko, Sali Xhaja, Feta Xhaja, Xhemal Xhaja, Ramo  Hysi, Qerim Hysi, Pasho Koxhaj.  U plagos rëndë në kokë Gjenç  Nako, i cili ngeli invalid gjithë jetën dhe nga kjo plagë vdiq para kohe.

 

Kapinova pati numrin më të madh të të vrarëve, 23 burra të pafajshëm që ishin: Mehmet Duçe Hasa, Riza Duçe Hasa, Brahush Duçe Hasa, Duçe Mehmet Hasa, Zylyftar Mehdi Hasa, Neshat Alo Hasa, Teme Xhevahir Çela, Riza Belul Bakiasi, Ali Fetah Bakiasi, Fetah Ali Bakiasi, Brahim Hasan Gega, Myrto Abdurraman Hasa,  Kamber Sulo Hasa, Hetem Heke Hasa, Hetem Muke Çela, Riza Dalip Çela, Dino Lahe Bakiasi, Hysen Merkë Bakiasi.

 

 

Një ditë më pas u vranë në malin e  Gjokovicës edhe Hazis Mersin Hasa, Shaqir Adem Hasa, Rakip Adem Hasa, Murat Vesel Hasa dhe Bajram Xhelo Hasa.

 

 

U shpëtuan gjermanëve me zotësi Sulo Bakiasi Kapinova dhe Vesel Hodo nga Turbëhova.

 

 

Masakra naziste e Krushovës la gjurmë të thella e të pashlyeshme te të gjithë familjaret dhe të afërmit e viktimave. Por, megjithëse Kapinova u godit rëndë, ajo nuk u gjunjëzua para armikut, përkundrazi pas kësaj nxori luftëtarë të rinj në formacionet partizane.

 

 

Veç nga Kruhova dhe Kapinova në këtë masakër janë vrarë:

 

Kurt Qorri nga Krasta dhe një nga Potomi me mbiemrin Buzali.

 

 

Në kufi me Gjogovicën, në vëndin e quajtur Qafa e Spahinjave,  u ekzekutuan  kapinovallinj, partizanë nga Lushnja dhe 2 ose 3 italianë.

 

 

Edhe pse ranë në gjurmët e tyre, gjermanët nuk arritën të ekzekutonin Malush Nakon, Hajdër Nakon, Hysen Nakon dhe Qazim Tërpon.

 

 

Krushova dhe Vlusha mund të cilësohen si  “Borova e  Skraparit” dhe duhet të kishin marrë statusin e “Fshatrave Martirë të Luftës së Dytë Botërore”, por askush nuk është kujtuar për këtë status.

Dhe tjetra, edhe pse u vranë mbi 60 burra, aty nuk u ngrit kurrë një lapidar apo pllakë përkujtimore!…