Matura 50-vjeçare feston në Çorovodë
Nga Hajri Nuhu
Po kthehet në një traditë të bukur! Maturantët e një gjimnazi elitar si ai i Çorovodës mblidhen përsëri.
Në këtë kohë të trishtë dhe jo pa halle dhe në këtë vapë mbytëse 35 ish-maturantë skraparllinj u mblodhën në atë “strehë ëndrrash”. Përsëri bashkë. Ka kaluar plot një gjysmë shekulli. Jo vetëm e thjesht për mall e nostalgji.
Takime të tillë kanë brenda një mesazh të madh. Në një kohë tjetër, në kohën e moshën e ëndrrave ne ia dolëm, bëmë diçka jo thjesht për veten, por edhe për vendin, për brezat.
Një fjalë, një nismë dhe në kushtet e sotme të komunikimit shokët e miqtë mblidhen. Kështu ndodhi edhe me këtë maturë.
Nismëtar u bë Xhaferr Mustafaraj. Xhaferri që ka provuar sfida në jetë, u bë nismëtari. Se ai ndihej si i shtëpisë. Më pas edhe Nasipe Shkëmbi.
Dhe nga qytetet ku jetojnë ata u mblodhën.
Në oborrin e shkollës i priti një mësues e drejtues i respektuar si Çelik Nako. Mësuesi që hyn “tek peshat e rënda” jo vetëm në profilin e Bio-Kimisë, por edhe të një drejtuesi që bëri emër nëpër vite.
Në atë takim i pranishëm, ai që nuk mungon se ndihet skaparlli, Fiqri Aliaj. Nga Porgadeci kishte ardhur Pranvera Çuni me djalin dhe nusen e djalit. Jo thjesht e vetëm se u bë “nuse Skrapari”, por edhe për t’u thënë më të rinjve që, në këtë qytet, ai brez që erdhi bëri histori në arsimin e këtij qyteti. Nuk mungon në këto veprimtari as Festim Myftari, Abdyl Shkëmbi etj.
Apeli i dhimbjes
Në këtë takim u bë apeli. “Kohë e gjatë, -thotë mësuesi i Matematikës, Veli Hazisllari. Nuk janë pak 50 vite në jetën e njeriut. Kishim vite që nuk ishim takuar me disa. U çmallëm”.
Mësuesi Behar Zylyftari flet për ata që munguan “me arsye”. “Kishim mësues që na munguan. Mungoi një kryemësues, një njeri “ia artë” si Xhaferr Ibro. Kemi qënë me fat që kemi patur një mësues si ai.
Kishim disa ish-maturantë që munguan. Një mungesë që na dhemb se ikën para kohe nga kjo botë. Iku në një kohë të çmendur një shok e intelektual si Albert Lajthia. U mungoi të gjithëve. Folëm me shokët për Bertin. Edhe për Ludmill Haxhiun, Myftar Dervishin, por edhe për të tjerët.
Ja kjo është një arsye përse duhet të mblidhemi se këto takime janë edhe njëlloj homazhi për shokët e shoqet që nuk janë më”.
Vërtet,një homazh që ata e meritojnë ,si një buqetë me lule për ta.
Endrra të plotësuara
Dikush mund të thotë se ishte “brezi i djegur”, duke e lidhur me sakrifica e privacione që lidheshin me kohën e atyre katër viteve. Të tjerë, dhe vetë ata ndihen të plotësuar. Dhe në ditë si kjo kanë çfarë të kujtojnë e tregojnë. Rrëfime idealistësh!…
Kanë qënë dy klasa dhe pothuajse të gjithë vazhduan arsimin e lartë. Ishin vitet ‘70 të shekullit kaluar dhe Skraparit tonë i duheshin kuadro e specialistë në të gjitha fushat.
Në takim ka ardhur Flutura Guri (Hajdini). Një përfqësuese e një familje që nxori inxhinierë, mësues, juristë. Një zonjë që nëpër vite rrezatoi mirësi e kulturë.
Ka çfarë rrëfen edhe Safet Saliasi, një specialist e kuadër me integritet në të “dy kohët”.
Pjesë e kësaj mature është edhe arkitekt Ladi Dyrmishi që “ka dorën e tij” në bukurinë e këtij qyteti.
Se çorrovoda është e bukur edhe pse ka vite që provon një braktisje të dhimbshme.
Në atë maturë edhe ing. Kamber Hasanin, edhe ushtarak Myslim Gorezin edhe doktorët Kastriot Spahiu e Ilir Demko, Ajet Bakiu, ekonomistë si Bujar Molla e specialistë si Selam Osmënllari apo mësues si Kujtim Kajo, Abdyl Braho etj….
Ndihen mirë të gjithë. Nuk kishte mbrëmja e maturës së asaj kohe “luksin e shkëlqimin” e festimeve që bëjnë maturantët e sotëm. Por për të tjerat…
Në shoqërinë e maturantëve të atyre viteve kishte sinqeritet, respekt e vlerësim për njëri-tjetrin e për mësuesit, për shkollën. Këto vlera këta ish-maturantë i kanë mbajtur gjallë dhe i reflektuan edhe në këtë takim malli.