Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit / Vangjel Pina, një jetë mes ëndrrave dhe cicërimave fëminore

Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit / Vangjel Pina, një jetë mes ëndrrave dhe cicërimave fëminore

Nga Dhimitër Shtëmbari

 

Edhe pse tashmë është plot 78 vjeç, Vangjeli nuk e ka shkëputur mendjen nga tërë ajo veprimtari pedagogjike që pat kryer gjatë më shumë se dyzet e pesë vjet si arsimtar.

Ai ka mbetur edukator në të folur, mësues në të veshur, intelektual në  marrëdhënie me njerëzit…

 

 

Takim me Enver Hoxhën, si Natyralist i Ri në Tiranë

 

I lindur më 5 mars të vitit 1945 në fshatin Lumth të ish rrethit të Lushnjes, Vangjel Pina do të rritej nën kujdesin e prindërve të tij të urtë. Shkollën  shtatëvjeçare do të kryente në Gorre, të cilën do ta mbaronte me nota të shkëlqyera.

Ka një episod interesant të jetës në këtë shkollë: Organizohej në Tiranë një takim i zgjeruar me pionierët më të dalluar të Republikës, në të cilin merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Nga Gorreja shkon Vangjeli, nxënës i klasës së shtatë. Me vete kishte mbarë një rrënjë pambuku me më shumë se 20 boçe. Teksa e shikon Enveri nga larg, i afrohet dhe e pyet: “Nga vjen?” “Nga Gorreja e Lushnjes” i përgjigjet i vogli. “Po a e di ti se aty Partia ka shpërndarë tapitë e tokave?” “E di shumë mirë, xhaxhi Enver” i përgjigjet nxënësi i dalluar i shkollës shtatëvjeçare të Gorresë.

 

Sakaq Enveri kishte kapur bimën e pambukut, kishte buzëqeshur dhe i qe drejtuar sërish: “Ku e ke marrë këtë bimë kaq të bukur pambuku?” ”Në kopshtin eksperimental të shkollës” i qe përgjigjur i vogli. “Sa mirë! Kështu ta rritni bimën e pambukut në shkollë! Kështu ta rritin edhe në kooperativë, që të punojë Kombinati…” kishte përfunduar Enveri.

 

 

Në të gjitha ciklet e shkollimit, i dalluar

 

Në shkollën shtatëvjeçare të Gorresë autori i këtij shkrimi Vangjelin do ta kishte gjatë dy vjetëve komandant të Çetës së Pionierëve. Shkollën e mesme do ta fillonte në Gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës, por, mbas mbarimit të vitit të parë, prindërit e panë më të udhës që ta dërgonin në Tiranë në Shkollën e Mesme Pedagogjike Dyvjeçare “Ndrecë Ndue Gjoka”.

 

Në vitin 1962, kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, emërohet mësues në shkollën e ciklit të ulët në Hallvaxhias të ish rrethit të Lushnjes. Gjatë dy vjetëve të tjera, 1963 – 1965, emërohet mësues në shkollën e Grabianit. Edhe pse fare i ri në moshë, djaloshi nga Lumthi do të fitonte respektin e nxënësve, të prindërve të tyre dhe të të gjithë banorëve të fshatit.

 

Shtatori i vitit 1965 Vangjelin do ta gjente në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçarë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Sikundër edhe në ciklet e mëparshme të shkollimit, edhe këtu do të dilte me rezultate të larta. Dhe vetëm dy vjet më pas do të merrte diplomën për degën Gjuhë – Letërsi Shqipe të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Tashmë do të emërohej mësues në shkollën tetëvjeçare të Bubullimës në ish rrethin e Lushnjes. Dy vjet më pas, për gjatë shtatë vjetëve, do të ishte nëndrejtor i shkollës tetëvjeçare të Rrapzës. Vite më vonë emërohet drejtor i shkollës së mesme të Gorresë, ku drejtoi për gjatë një çerek shekulli.

 

Si dikur, Instituti Bujqësor i Kavajës

 

Gjatë kohës që Vangjel Pina drejtoi në Gorre, shkolla e mesme njohu një përmirësim të dukshëm në çdo pikëpamje. Ndër më të dalluarat në shkallë Republike. Sepse vet drejtori ishte shembullor. I pari në çdo veprim. I vinte në punë mësuesit. I kontrollonte dhe i ndihmonte. Të gjitha klasat u pajisën me kabinete. Mjediset e jashtme u vunë në funksion të detyrave të shkollës. Tashmë nuk do të mungonin terrenet e ndryshme sportive. Brenda e përqark kishte mjedise të gjelbëruara.

 

Duke qenë për mjaft vite shkollë edhe e profilit bujqësor, shkollës iu dhanë në përdorim disa dynymë tokë, që mbilleshin me bimë të arave. Mësimet e biologjisë zhvilloheshin pikërisht në ngastrat e mbjella me perime dhe bimë gjithfarësh.

 

Nisur nga mendimi, se prej dyerve të shkollës duhej të dilnin jo vetëm agronomë të mesëm, por edhe zooteknikë të mesëm, pranë shkollës nisën të mbarështoheshin kafshë të ndryshme shtëpiake, kryesisht lopë, por edhe kafshë të tjera. Në një farë mënyrë, filloi të veprohej si dikur, sikundër shumë e shumë dekada më parë në Institutin Bujqësor të Kavajës. Nxënësit e shkollës së mesme kësisoj e lidhnin teorinë me praktikën. Për të përgjithësuar këtë përvojë, këtë shkollë e patën vizituar, njëri pas tjetrit, edhe ministrat e Arsimit të fundit të viteve tetëdhjetë, Prof. Skënder Gjinushi e Tefta Cami.

 

 

Herë mbas here, në përbërje të ekipeve të Ministrisë së Arsimit

 

I spikatur si drejtues i aftë në shkallë Republike, Ministria e Arsimit dhe Kulturës e asaj kohe, e viteve tetëdhjetë e përfshinte Vangjelin herë mbas here në ekipet e kontrollit e të ndihmës nëpër shkollat e ndryshme në rrethe. – Kam qenë për inspektim në disa shkolla nëpër rrethe, – tregon Vangjeli, – dhe më pat bërë përshtypje fakti, se mësuesit kudo ishin tepër të interesuar për formimin dhe edukimin e nxënësve. Deri në sakrificë.

 

Dhe Vangjeli tregon një episod interesant: Shkuam në një shkollë tetëvjeçare në një fshat të thellë të Beratit dhe i pamë të gjithë mësuesit të ishin gati për mësim. Rastësisht pyetëm një mësuese, se sa larg e kishte shkollën nga shtëpia dhe ajo na u përgjigj, se pat udhëtuar më këmbë një orë e dyzetë minuta për të mbërritur në shkollë! Mbetëm të habitur me sakrificën e asaj mësueseje.

 

Ndërsa na tregon këtë, vazhdon me një tjetër histori: Sot mësuesit shkojnë nëpër shkolla me mikrobuzë. Dhe po të ndodhë që mjeti të mos vijë, atëherë mësuesi nuk shkon në shkollë dhe, njëherësh, është në “rregull”, se bën mungesë të përligjur!

 

– E biseduam në seksionin e Arsimit e të Kulturës të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Beratit çështjen emërimeve larg të mësuesve, por nuk kishte qenë aq e lehtë për ta sa ç’e kishim menduar ne. Gjithsesi, diçka u bë.

 

Veprimtar i shkëlqyer shoqëror

 

Ish drejtori historik i shkollës së mesme të Gorresë Vangjel Pina për rreth tri dekada ka pas qenë kryetar i Organizatës së Frontit Demokratik të ish kooperativës bujqësore të Gorresë në rrethin e Lushnjes. Edhe pse nuk ka qenë asnjë orë anëtar i PPSH, ai ishte më i respektuar, madje edhe më i besuar se sa një komunist.

 

– Në fshatin tim, Lumth, – tregon Vangjeli, – jo vetëm gjatë periudhës së viteve 1960 – 1990, por edhe gjatë këtyre tri dekadave të mbas vitit 1990 nuk ka ndodhur asnjë vrasje, asnjë plagosje, asnjë vjedhje dhe asnjë mosmarrëveshje serioze për çdo lloj çështjeje.

 

Gjatë kohës që ishte drejtor shkolle, pasditeve Vangjeli lëvizte fshatrave për të mësuar nga kryetarët e organizatave të Frontit të fshatrave se çfarë shqetësimesh kishin. Sapo mësonte, që një kryetar këshilli popullor fshati nuk interesohej për furnizimin me qumësht të çerdhes apo të kopshtit të fëmijëve, menjëherë e ngrinte zërin fort pranë kryesisë së kooperativës e deri pranë byrosë së Partisë të kooperativës bujqësore.

 

Tepër i ndjeshëm në shpirt, sapo mësonte që dikush nuk ishte mirë nga ana ekonomike, nga që mund të kishte mjaft fëmijë, atëherë Vangjeli, si kryetar i Organizatës së Frontit i zinte derën kryetarit të Këshillit Popullor të Fshatit të Bashkuar.

 

 

Familjar shembullor

 

Edhe në familje Vangjel Pina vazhdon të sillet si mësues dhe edukator. Kërkon të zbatohen rregullat e kodit të familjes e të mirësjelljes në komunitet.

 

Bashkëshortja e tij, Gjinovefa (Ndreka), një ish mësuese e shquar në tërë zonën e Gorresë, vazhdon të sillet ndaj fëmijëve dhe mbas nipave e mbesave të saja si një edukatore e vërtetë.

 

Vajza e madhe e Vangjelit, Manjolla, sot është nëndrejtoreshë e një shkolle të mesme të përgjithshme në Lushnje. Vajza tjetër, Erjona, martuar me një irlandez, banon e punon prej vitesh në Dublin. Djali i vetëm, Ermiri, punon inxhinier elektronik në Tiranë.

 

Bashkëshortët Pina janë derëhapur. Në vitin 1999, teksa banonin në Lumth të Lushnjes, në kohën e luftës në Kosovë mbajtën për disa muaj dy familje të gjëra kosovare.

 

Tashmë familja Pina bën vite që banon në Tiranë.

 

Urime për ditëlindjen

 

Më 5 mars, dy ditë para 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, – na thotë Vangjeli, – unë kam 78 vjetorin e lindjes.

 

Urime, i nderuar Vangjel për ditëlindjen! Respekti ndaj jush nuk shteron asnjëherë. Sepse i keni shërbyer me devotshmëri shkollimit të brezit të ri. Është kuptimplote ajo që ka pas thënë i madhi Viktor Hygo: Kush hap dyer shkollash, mbyll dyer burgjesh.