Mehdi Kushe: “Ja pse them se një Demir Zyko nuk ka dalë akoma, hane kur të dalë!…”

Mehdi Kushe: “Ja pse them se një Demir Zyko nuk ka dalë akoma, hane kur të dalë!…”

 

Zylyftar Hoxha

 

Artisti i Popullit Demir Zyko, me zërin e tij brilant, hyri në historinë e këngës popullore toske si një fenomen i rrallë dhe i papërsëritshëm. Por, siç dihet kënga polifonike nuk ka vetëm një zë, ajo do një grup, një ekip të kompletuar që të këndohet, se veç marrësit, duhet pritësi, pa duhet edhe isoja.

 

 

 

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Trimi i mirë, me shokë shumë”.

 

 

Dhe Demir Zyko, sado që qe një legjendë e vërtetë, nuk mund të dilte dhe të ngrihej në ato nivele, pa shokët e tij, pritësit e këngës, të cilët u gjetën hap pas hapi dhe jo pa vështirëi.

 

I pari nga këta pritës ishte bashkëfshatari i tij, Neshat Hebibasi; i dyti, që është edhe objekt i këtij shkrimi ishte i ndjeri Mehdi Kushe, pas Mehdiut, ishte Shahin Çinari dhe i fundit Agim Carkanji.

 

 

 

 

Më poshtë po japim një bisedë e hershme me këngëtarin popullor, Mehdi Kushe, botuar në “Dielli i Tomorrit”, në vitin 2005

 

Le të jetë kjo përmendje si një homazh nderimi dhe respekti për të.

 

 

-Ku je, o bilbil i këngës, i thotë Fatmiri, shoqëruesi im, Mehdi Kushes, sa hyjmë në derë.

 

-Bilbil në degë të thatë, ia kthen xha Mediu, në mënyrë proverbiale, duke shtuar: Pleqëria më ka marrë shumë, por zërin dhe zemrën s’ma ka marrë. Po hajdeni, uluni një herë, më gëzuat që erdhët.

 

Biseda me xha Mehdiun nis shtruar. Defteri i jetës është i madh dhe do ditë dimri për ta rrëfyer, por ai na tegon ato më kryesoret.

 

-E  vështirë, or bir, por në përgjithësi nga jeta, duke e ditur që ajo s’ bën  përjashtime dhe s’të pyet shumë, s’qahem. Detyrën e  kam bërë dhe nga dega e thatë, që u thashë qëparë e që mund të këputet nga çasti në çast, u gëzohem nipërve dhe mbesave.

 

 

Diçka nga fëmijëria…

 

 

-Kam lindur në Koprënckë, më 10 maj 1920. Babai im u martua tri herë. Me të parën bëri çupa, mori një tjetër, edhe ajo i vdiq, të tretën mori nënën time dhe linda unë. Më kanë shpuar edhe veshin për të rrojtur. Pleqtë tanë ishin trembur mos këputej fisi.

 

Një xhaxhai im nuk bëri fëmijë, as Maliqi, kushëriri im, me gruan e parë nuk bëri fëmijë. U martua prapë dhe bëri tre djem. Po të mos ish martuar Maliqi për së dyti dhe po të mos kisha lindur unë, do  të ishim këputur, vështirë të kishte Kushellarë sot.

 

 

Kur ish 15 vjeç më fejuan aty në fshat. Pas katër vjetësh u martova, atëhere u ndamë edhe me Maliqin, ka qenë viti 1941. Rinia ime ka kaluar me dhi dhe pazareve të Korçës e të Beratit. Kushedi sa herë jemi gdhirë me një pëllëmbë dëborë mbi gunë në malet e Gorrulit e të Qafës së Martës. Një herë, kur kemi shkuar në Berat për misër. S’gjetëm aty dhe shkuam në Roskovec. Pesë ditë na bëri rruga.

 

 

 

  • Xha Mehdiu, ty të ka bërë të njohur në Skrapar e më tej, kënga dhe ajo që për shumë kohë ke kënduar me Artistin e Popullit, Demir Zykon. Si e nise këtë rrugë?

 

 

Atëherë s’kishte shkolla për këngë, pa le germa zëri, siç ka tani. Por ishte pylli. Atje ia shkulje si të donte qejfi. Sa për vallen, zija një degë shkoze e rrotullohesha rreth saj, demek, sikur kisha shokun që ma mbante e më ndiqte.

 

Kam pasur një xhaxha, Mehmet e thoshin, ngeli pa fëmijë dhe kishte merak se s’kishte kush t’i ngjallte emrin, ia ngalla unë. Ky Mehmeti këndonte shumë. Kishte dhe një shok që ia priste, Xhako Seferi e quanin, ishte xhandar në Frashër.

 

Kur bëheshin të dy, hajde t’i dëgjoje. Këndonin këngët e Naimit “Ku mërzen cjapi me zile”, “Fyelli i bariut”, “Bilbilat arrë më arrë” etj. Kështu unë mësova pas Mehmetit. Dhe sa herë ngjitesha në skenat e festivaleve e kujtoja Mehmetin.

 

 

  • Kur ke kënduar për herë të parë para publikut?

 

 

Oho, vonë, vonë. Por kam një histori të lezetshme, kur këndova për herë të parë në një dasmë në fshat. Dasma bëhej në lagjen ku unë isha fejuar, por që s’e kisha marrë akoma nusen. Nja 16 vjeç duhet të kem qenë. Pasi mbaroi muhabeti, u bë vallja. Një nga bashkëfshatarët më provokoi.”Pa të shohim ç’dhëndër kemi, a e vlen çupën tonë”, tha dhe u drejtua nga unë. “Ja sheshi, ja mejdani…ja Mehdi kapedani”.

 

 

Ja mora valles, në fillim pata një çikë zor, po pastaj e mblodha. Graria kish mbushur dyert. Më ka vajtur ajo valle që ç’të të them. Erdhi vjehrri im, më puthi dhe më tha: ”Hallall çupën e Selimesë”, kurse vjehrra, meqenëse kisha djersitur nga sikleti, më hodhi një gunë krahëve dhe më pëshpëriti në vesh:”Hall, or bir!”

 

 

Pas kësaj mua kënga mu bë si zanat, më merrnin kur shkonin krushk si të këngës. Se ti e di, që ndaheshin detyrat atëherë, selamazi do të ishte burrë me mend, fjalëpakë dhe i saktë. I dyti do të ishte i muhabetit, ta mbante rakinë dhe të ndiqte radhën e dollisë. I treti, i këngës. Mund të kem shkuar 30-40 herë krushk. Kjo më rriste përgjegjësinë për ta përmirësuar këngën. Bëja prova për të mos u turpëruar, se më merrte ai tjetri për burrë të mirë.

 

 

Në publik për herë të parë kam kënduar në vitet ’60, kur ka ardhur sefte Enver Hoxha në Çorovodë. Kemi marrë një valle me Hetem Dostin, një fshatarin tonë, në shesh, dy metra larg Enverit, se s’kishte podium. Si mbaruam, Enveri u ngrit nga vendi, na përqafoi të dy e na tha: “U lumtë, bukur e drodhët”!

 

 

  • Po me Artistin e Popullit, Demir Zykon, kur keni kënduar?

 

 

Kur filluan aktivitetet, unë me Avdyl Dostin e Orhan Kacin merrnim pjesë në grupin e kooperativës së Potomit. Kemi konkurruar çdo vit, siç bëhej atëhere, në Çorovodë. Një ditë më vijnë në Koprënckë dy punonjës të pallatit të kulturës të Çorovodës. Më thonë se kemi një plak nga Gjerbësi që këndon mirë, a vjen t’u bëjmë bashkë? Po si quhet ai plaku, i pyes. Demir Zyko e thonë, më thanë ata.

 

 

“O, po unë Demirin e njoh, u thashë, kam qenë me të në zbor 2 muaj në Përmet në vitin 1952”. Kishim një Hajdar nga Staravecka, qejfli i këngës sonë, që na mblidhte çdo darkë e ia merrnim këngës për qejf. Atje kam kënduar me Demirin. Ja që e solli prapë terezia të këndoj me të, u thashë atyre djemve, e u nisa bashkë me ta për në Çorovodë.

 

 

  • Aty u priste Demiri…

 

 

Po. U takuam pas kaq vjetësh si dy miq të vjetër, që kishim bërë na një kurbet të vogël. Bëheshin përgatitjet për Festivalin e parë të Gjirokastrës. Pas gati një muaj punë, shkuam në Gjirokastër.

 

 

Me Demirin kam kënduar këngën, që pastaj u bë shumë e njohur “Mbeçë, more shokë, mbeçë”. Si mbaroi festivali, kemi shkuar në Tiranë ku kemi ndenjur 8 ditë për koncertin qeveritar, që u dha me rastin e formimit të Partisë së Punës. Në fund, për grupet pjesëmarrëse, Enver Hoxha shtroi një darkë në Pallatin e Brigadave. Kemi kënduar edhe aty me Demirin. Ndoshta edhe aty u poq mendimi që Demir Zykua u bë Artist i Popullit.

 

 

  • Po më pas si vazhduat?

 

 

Dua të them se me Demirin kemi shkuar shumë mirë, në këngë po e po, se për atë punë na kishin marrë, por edhe kështu, jashtë. Demiri kishte tipare të forta burri, kishte seriozitet dhe pse të mos them se ishte një plak i bukur. Edhe mua, të tjerët më thoshin se nuk isha keq nga pamja, se veten s’e vlerësoja dot. Megjithatë ne ishim një çift i zgjedhur, Demiri komandant i këngës, unë komisari. Por Demiri ka kënduar edhe me Çinarin, me Neshat Hebibasin. Edhe ata kanë qenë shumë të mirë, të zgjedhur, që e bënin zap këngën.

 

 

  • Çfarë kujtimesh të tjera ruani nga ajo kohë?

 

 

Kam shumë, se kam qenë në lëvizje dhe kënga më dha një farë emri të mirë. P.sh. me Zihni Sakon kemi punuar mjaft. Zotni burrë, peshk oqeani, edhe i ditur, por edhe i shtruar, mjaft popullor. Kur bëhej me ne, ishte si ne. Zihniu ka qenë me Zerina Kuken në Gjerbës Kemi bërë një dokumentar.

 

 

Kemi kënduar disa këngë me Demirin. Nuk e di a është, por ai dokumentar doli shumë i bukur. Kur i thashë Demirit pse më mundove mua deri në Gjerbës se kishe me kë këndoje këtu, ai më tha. Ti e di, o Mehdi, se unë s’bëj gjë pa ty. Na është pjekur ylli.

 

 

Në 35-vjetorin e Partisë së atëhershme, u bë një dokumentar i mirë. Me Demirin dhe Dritëro Agollin kemi bërë një xhirim në Çerenisht, në kanionet e bukur të Osumit. Morëm dy mushka me rrobe të kuqe, një pendë qe. Dritëroi, pasi i mori Demirit parmendën nga dora, nxorën qetë nga brazda dhe ia morën këngës mbi shkëmb. Aty unë kam kënduar me Dritëroin këngën e Kajo Babienit. Ia mori Dritëroi bukur, dhe unë ia prita jo keq në variantin e Devollit.

 

 

Kemi qenë pastaj në Vlorë, në 70- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, kemi ndenjur disa ditë. Në Tiranë, ku na ka thirrur Instituti i Folklorit. Bëhej punë atëhere, tani s’para ua varin aktiviteteve të tilla.

 

 

  • Ç’ mendim ke për këta të rinjtë?

 

 

 

Të mirë janë, si ai grupi i Skraparit, që u paraqit në Gjirokastër, edhe ky grupi i Tiranës. Por më duket se këta të Tiranës e bëjnë më mirë këngën. Suloja, i brezit të vjetër, është fare i mirë. Po kështu Xheladini, Fatmiri…Janë edhe nja dy të mirë nga grupi i Çorovodës, por një Demir Zyko s’ka dalë akoma.