Memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha, 1913: “Të shpëtojmë Korçën” – thirrej në Kaninë!…
Për Korçën nuse, mirënjohje përjetë, Kolonjë, Panarit e Backë!
Petrit Zeneli
Ky memorandum është nënëshkruar në Kaninë të Vlorës, më 8 qershor 1913 nga Idhomene Kosturi, Çerçiz Topulli, Loni Lloja, Themistokli Gërmenji, Stavre Karoli, Tahir Mazerëku, Musa Demi dhe Rauf Fico
Ja si e përshkruan shtypi i kohës:
Të nderuar Zotërinj!
Dyke patur një mbesim të plotë në patriotizmën e njohur dhe me veprën t’uaj të ç’këlqyer, pritmë deri më sot bashkë me ju, me durim dhe me qetësi; kishim shpresë në drejtëria e Fuqive të Mbëdha, ishim mbështetur në mprojtësia e të dy qeverive mike, Austria me Italinë, po mjerisht, si ju si ne mbetmë të zhgënjyer. Një nga një viset tona i lëshuan në duart e të huajvet, Ipek, Jakova, Prishtina, Dibra etj, u hoqnë nga trupi i mëmës tonë së dashur Shqipëri! Por sot një tjatër rrezik çfaqet në Kryet tona, një tjetër lajmë e zezë po tingëllon si një vdekje nëpër herën e vrerët të Shqipërisë, se Korça në rrezik!
Të gjithë ata që e njohin atdhesinë të këtij qyteti, fisnikëria e vëndësve të ti, dhe rëndësia që ay ka për shtetin tonë, mund ta kuptojmë lehtësisht, dhe ju më mirë se cili do, humbjen e madhe dhe pa ilaç që do pësonte Shqipëria në qoftë se dhe Korça do të mbetej jashtë kufinit saj. Nga ky rrezik i tmerruar, u shtërnguam sot të dalim malit dhe të mbledhim fuqitë tona, për të marë masat e fundit. Sali Butka, luan i Kolonjës, na pret me shokët e Panaritit dhe të Backës në Skrapar.
Neve jemi këtu 200 veta dhe ças për ças çeta jonë po shtonet. Nuk kemi më ç’të presim po të idhemi gjithë në kufitë, dhe ja të vdesim ja të rojmë bashkë me vendin tonë të dashur. Me githë këtë, nukë duam të nisim lëvizjen pa lajmëruar veçanrisht edhe ju.
E njohim atdhesinë tuaj, dhe ja ku pra ju thëresim të hiqni dorë nga puna dhe të vini të takohi me ne, në mos po do të mirni një barë të rëndë dhe përpara istorisë; jeta tuaj e shkuar do të fëlliqet dhe përpjekjet dhe të vuajturat tuaj që shtatë muaj gjer sot, do të venë më kot.
Ejani pra sa më shpejt që të mos nagasemi e të marim masa të tjera kundër jush, ejani të vdesim bashkë, se pa Korçën, pa Gjirokastrën dhe pa Çamërinë, Shqipëri nuk munt të mbahet dhe të ronjë! Ju presim!
Mbetemi me nder të math!
Ministerëve të Shqipërisë në Vlorë
Kaninë 8 qershor 9 pas d. 1913.
Idhomene Kosturi, Çerçiz Topulli, Loni Lloja, Themistokli Gërmenji, Stavre Karoli, Tahir Mazerëku, Musa Demi dhe Rauf Fico.
Për Korçën nuse, – mirënjohje përjetë, Kolonjë, Panarit e Backë!