Meriban Mezini, “tomorricaria e hekurt” që sfidoi kohën

Meriban Mezini, “tomorricaria e hekurt” që sfidoi kohën

 

Meriban Mezini, nga Dobrenji i Skraparit, do të mbahet mënd si gruaja e parë në Skrapar, nga një zonë e thellë, siç ishte Tomorrica, të vihej në pozicione drejtuese dhe ta justifikonte besimin e dhënë me punë të përkushtuar.

 

 

Në pesë vjet, 1969 – 1974, si kryetare e kooperativës buqësore të Dobrenjit, ajo në këto vite arriti rezultate impresionuese në ekonominë e saj, duke sfiduar kolegë meshkuj të ekonomive të tjera në zonë aty pranë.

 

 

Meriban Mezini lindi në Dobrenj, në 12 mars 1932, në një familje të thjeshtë fshatare, por me tradita mikpritëse. Meribani mori shumë nga prindërit e saj, Myftar dhe Fize Dervishi, që ishin njerëz të ndershëm dhe punëtorë.

 

Në vitet 1963 -1964 ajo punoi si shitëse në konak të Tomorricës.

 

 

Në vitin 1946 martohet me bashkëfshatarin e saj, Shaban Mezini, që rridhte nga një derë e njohur me traditat më të mira që karakterizon atë krahinë.

 

 

Shabani ishte një aktivist i njohur që gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por sidomos në vitet pasçlirimit për zhdukjen e pasojave të Luftës.

 

 

Frut i kësaj lidhjeje janë tetë fëmijët e saj: Lumtria,  Natasha, Xhirja, Safireja, Fejziu, Vladimiri, Sofia dhe Margarita, që kanë ecur në gjurmët e prindërve, duke krijuar familjet e tyre të mrekullueshme.

 

 

Pas dorëzimit të detyrës si kryetare kooperative ajo u angazhua me detyra të tjera të rëndësishme për kohën, duke u zgjedhur në forumë të ndryshme të rrethit.

 

 

Ka qenë deputete e Kuvendit Popullor në legjislaturën e viteve 1970 -1974.

 

 

Mbahet mend për një fjalim – thirrje shumë të zjarrtë dhe shumë të duartrokitur në Kongresin e 6 –të të PPSH –së, ku ajo, jo vetëm solli shembullin e saj personal, por edhe ftoi  gratë e tjera të Shqipërisë që të jenë më të emancipuara, të kenë besim në forcat e tyre, të thyejnë zakonet e vjetra dhe bashkë me burrat të marrin në dorë fatet e vendit.

 

 

Meriban Mezini ishte një grua e fortë, që la gjurmë të thella pas, gjurmë që bëjnë të mos harrohet kurrë.