Merko Muhametaj, njeriu i Drejtësisë që mbeti i Drejtë si rrallëkush tjetër

Merko Muhametaj, njeriu i Drejtësisë që mbeti i Drejtë si rrallëkush tjetër

 

 Gëzim Voda

 

Ka 15 vjet që ai është ndarë nga jeta, por njerëz me gjurmë si Merko Mahmutaj nuk harrohen kurrë.

 

 

Ta quaja Merkon “njeri i veçantë”, nuk besoj se e tepëroj. Përkundrazi, a ja kam thënë tamam atë që meriton. Kjo veçori e tij gjendej mes rigorozitetit e rreptësisë së tij në zbatimin e ligjit gjatë kryerjes së detyrës si gjyqtar dhe sensit miqësor e shoqëror të pamatë mbasi mbyllte derën e zyrës;

 

 

mes trysnisë për t’i rezistuar presionit të kohës në politikën e goditjeve ndaj elementit keqbërës dhe skrupulozitetit të tij për të dhënë dënime vetëm të merituara e jo të imponuara;

 

 

mes ndërhyrjeve miqësore apo për shkak të funksionit të dikujt për lëshime ose shtërngime në dënime dhe të qënurit njeri që e arsyetonte ligjin dhe vinte në ballancë dinjitetn dhe profesionalizmin e vet.

 

 

Dhe ai zgjidhte më të sikletshmen: të ishte korrekt me ligjin por pa bërë pazar me lirinë individuale në hapësirat që ja lejonte ligji; të qe në rregull me shtetin, por të mbronte edhe të drejat e individit kur duhej. Gojëshqyerve dhe nihilistëve, mund të mos u pëlqejë kjo që them, sepse priren të nxijnë bashkë me kohën që iku edhe cilindo individ. Por punë e tyre.

 

 

Ndaj Merko Muhametaj mbeti, sa “rrebel” me shtetin e djeshëm e më pas, aq edhe i dashur e i respektuar për shumicën a atyre që punuan ose e njohën nga afër atë. Ishte nga ata njërëz të drejtësisë që ndër vite krijoi tipin më të veçantë tek njerëzit e zanatit të tij, që edhe kur kundërshtonte dikë (dhe për dreq ai kish qejf “të kruhej” me ata mbi vete), nuk ia merrte kush për keq, sepse ai nuk mbronte interesa të vogla personale, apo që t’i druhej transferimit a diçkaje tjetër. I kish provuar edhe këto.

 

 

Mjafton të them se qe deri Kryetar Gjykate në Përmetin e tij por edhe në Tepelenë, Skrapar e Lushnje. Madje edhe familjarisht.

 

 

Në brezin e tij, Merkua qe “etalon” i principialitetit, modeli i njeriut të pakorruptuar. Nuk thoshte kollaj “dakord” për hatër, apo si forcë zakoni, nëse nuk bindej për atë që i sërvirej. Ishte “Person”, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale!

 

 

Me të mund të bëje një natë të tërë muhabet miqësor, por nëse të nesërmen do të ishe para trupës së tij për gjykim, po të ishe me faj, e djeshmja harrohej. E kishe të humbur davanë.

 

 

Njeri që nuk “mbytej në një lugë ujë” dhe as shitej “për pesë para spec”. Dhe atij njeriu, askush nuk iu zëmërua. Pati përherë dashamirës, ndonjë dhe qejfmbetës të çastit, por jo zëmërakë, sepse ai ta thosh jo me inat e me ton atë që kish për të thënë por me argumenta e burrërisht. Si të thuash “i dilte borxhit”, që tjetri të ikte mbas gykimit jo “i vrarë” shpirtërisht, por deri dhe i penduar për fajin. Kësisoj e tregoi veten edhe kur punoi si avokat në Tiranë.

 

 

Merko Muhametaj, ishte njëri prej trashgimtarëve të denjë të Muhametajve të Kajcës, nga kishin dalë luftëtarë e patriotë që kishin bërë për vatanin e tyre si Xhako Merko (Muhametaj apo Kajca), Novruz Muhametaj, Hajrulla Muhametaj etj.

 

 

Ai e mbajti të papërlyer emrin e fisit, por edhe të fshatit Kajcë me histori burrash të shquar si atdhetarë të rreshtit të parë. Sigurisht edhe tiparet njerëzore të dëshnicarit.

 

 

Ai u lind në Kajcë më12 shkurt të vitit 1943, një muaj e pak para kohës kur xhaxhai i tij Xhakua të komandonte çetën e parë partizane në Dëshnicë dhe pak më pas (po atë vit), të komandonte Batalionin partizan “Dëshnica”.

 

Ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë në 29 qershorin e vitit 2009, sa kish mbushur 66 vjeç. Pa asnjë mëdyshje, ai mbeti njeriu që u përpoq të jepte drejtësi të vërtetë dhe kujtohet edhe sot me respekt.

 

Do kujtohet i tillë edhe në vitet që vinë.