Mesazh i ndjerë dhe prekës i një mësuesi në mbyllje të një cikli shkollor
Të nderuar prindër!
Sot ka përfunduar gjenerimi i dëftesave të nxënësve të klasës sonë, klasa 9-D. Simbolikisht duke filluar nga sot, ju dhe fëmijët tuaj, keni mbyllur përfundimisht historinë 9-vjeçare të aktivitetit në shkollën 9 – vjeçare “Kongresi i Manastirit”.
Po ashtu, si mësues kujdestar dhe njëkohësisht mësimdhënës i matematikës, më duhet të pohoj me kënaqësi se vitet e bashkëpunimit me ju dhe fëmijët tuaj kanë qenë ndër më të mirat e karrierës sime 40-vjeçare. Sinqerisht ua them se mua do të më mungojë shumë ai komunikim fantastik që kemi patur.
Kam shijuar jashtëzakonisht shumë çdo moment apo detaj, i kam ndihmuar nxënësit e mij, por edhe jam ndihmuar prej tyre. Unë kam ruajtur në kujtesën time, por edhe në shënimet e mija të përditshme sa e sa momente të bukura e interesante.
Do të kem vazhdimisht prezente jo vetëm momentet e bukura apo rastet e sukseseve, por edhe ato të pakëndshme; të gjithë ne duhet të përpiqemi të mësojmë jo vetëm nga sukseset, por edhe nga mosarritjet apo dështimet. Jam përpjekur të bind veten, por dhe fëmijët tuaj se kështu është.
Tani që fëmijët tuaj do të shkojnë në arsimin e mesëm të lartë (gjimnaz apo shkollë profesionale qoftë ajo), dëshiroj të them se do të vazhdoj të ndihem përgjegjës për çdo sukses apo mossukses të tyre edhe në të ardhmen, por unë jam besimplotë se të gjithë ata i pret një e ardhme e shkëlqyer edhe falë punës e vullnetit të tyre sistematik, si dhe edukatës solide familjare të kultivuar me kujdes nga secili prej jush.
Të dashur prindër!
Gabimisht në shkollat tona shpesh përdoret termi “nxënës i mirë, apo “nxënësi i keq”.
Ju e dini se konceptet tona janë të tjera dhe se nuk ka nxënës të këqinj, por ka nxënës të ndryshëm, që dallojnë nga njëri-tjetri në shumë drejtime e nuk shquhen të gjithë njëlloj e në çdo drejtim.
Kur të lexoni dëftesat e fëmijëve tuaj jo të gjithë do të jeni njëlloj të kënaqur, apo në gjithçka të kënaqur, por duhet të jeni të bindur se secili prej tyre e ka mundësinë të shkëlqejë në një apo më shumë drejtime në të ardhmen, drejtime këto, të cilat me dhimbje e them, jo gjithmonë kemi mundur të zbulojmë.
Unë dëshiroj të besoj se çdo individ i klasës është i ngjashëm me një tonalitet të veçantë të ngjyrave të një piktori, për të cilin nuk ka ngjyra të mira apo të këqija, por ngjyra të domosdoshme, të gjitha të nevojshme, pra secili prej fëmijëve tuaj është njëlloj i vlefshëm e i rëndësishëm për mësuesin dhe besoj se do të jetë akoma edhe më i vlefshëm në të ardhmen.
Në fund fare, përtej modestisë, dua të them se ndihem krenar edhe për arritjet e mija profesionale me fëmijët tuaj, por po ashtu është e rëndësishme të kujtoj se janë pikërisht ata që më kanë bërë mua që të përmirësohem edhe më shumë. Ne rregullisht kemi patur se çfarë të mësojmë nga njëri tjetri. Këto vite do të jenë ndër më të mirat e karrierës sime.
Pavarësisht se numrat tuaj të telefonit do t’i kem gjithmonë në telefonin tim, më duhet t’u them se pas këtij diskutimi të përbashkët, grupi ynë i komunikimit në WhatsApp e ka përmbushur plotësisht misionin e tij dhe do të mbyllet, ndërsa unë ju uroj vetëm të mira e suksese për të gjithë ju e fëmijët tuaj!…
Me respekt
Dashnor Dosti
Korrik, 2004