Mësuesi që u bë shkrimtar dhe shkrimtari që nuk pushoi së qeni mësues

Mësuesi që u bë shkrimtar dhe shkrimtari që nuk pushoi së qeni mësues

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Xhemal Veizaj është një emër që meriton të rikthehet në kujtesën letrare të Skraparit dhe të Durrësit: si mësues, si poet, si tregimtar, si publicist dhe si një nga ata krijues që e jetuan letërsinë jo vetëm në libra, por edhe në klasë, në gazetë dhe në jetën e përditshme.

 

 

Ka lindur në fshatin Qafë të Skraparit. Ka mbaruar shkollën e lartë për gjuhë letërsi në vitet 1969. Ka punuar fillimisht mësues në fshatin e tij, në Qafë dhe më pas në Malind të Skraparit. Në vitin 1971 është transferuar në Sukth të Durrësit ku dhe krijoi familjen e tij.

 

 

Xhemali ka kaluar nëpër disa prej udhëve më interesante të arsimit dhe letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Që herët, në Skrapar është marrë me veprimtari publicisike dhe letrare, duke shkruar në në shumë organe të shtypit të kohës. Por mbi të gjitha ka qenë një njeri që e ka dashur fjalën dhe e ka marrë seriozisht letërsinë.

 

 

 

Që në vitet e shkollës ai kishte filluar të shkruante dhe një nga tregimet e para, “Të lutem qama hallin”, që u botua në “Zëri i Rinisë” më 5 shtator 1965. Më pas erdhën tregime të tjera, si “Hija dhe shkolla”, “Hallet e dasmës” dhe “Shenjtorja e Shpatit”, disa prej të cilave u përfshinë në vëllime me tregime të zgjedhura, krahas autorëve të njohur të letërsisë shqiptare.

 

 

Në vitin 1976 botoi vëllimin poetik “Kënga ime”, kushtuar fëmijëve. Më pas, në vitin 1981, botoi “Nën diellin e ëmbël që ndrin”, vëllim poetik për të rritur.

 

 

Poezi e tregime të tij janë botuar në “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi” dhe “Adriatiku”.

 

Dy prej krijimeve të tij hynë edhe në tekstet shkollore. “A jam vajzë e mbarë” u përfshi në abetaren e klasës së parë, ndërsa “Nëna ime” në librin e leximit të klasës së dytë.

 

Për një autor kjo nuk ishte vetëm një arritje bibliografike. Ishte një mënyrë për të hyrë në duart dhe në kujtesën e mijëra fëmijëve shqiptarë.

 

 

Fëmijët ishin edhe arsyeja pse ai zgjodhi shpesh të shkruante për ta. Në vend që krijimtaria e tij të rëndohej nga tema të mëdha ideologjike, ai kërkoi të gjente botën e pastër të fëmijërisë, humorin, ndjenjën dhe jetën e përditshme.

 

 

Veizaj ka qenë edhe një zë kritik për gjendjen e letërsisë shqiptare dhe për cilësinë e përkthimeve dhe mendon se letërsia shqiptare ndodhet në një udhëkryq. Është një qëndrim i një shkrimtari që e ka parë letërsinë nga brenda për më shumë se gjysmë shekulli dhe që e krahason kohën e vet me atë që sheh sot.

 

 

Në një kohë kur letërsia duhej të ecte shpesh nëpër korridore të ngushta ideologjike, ai kërkoi të ruante një hapësirë për njeriun, për fëmijën, për humorin dhe për poezinë.

 

Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e tij.

 

Xhemal Veizaj nuk jeton më, por jeton vepra që ka lënë pas.