Mësuesit Liri e Ismail Sheroku: Ditarë që nuk i zverdhi koha…

Mësuesit Liri e Ismail Sheroku: Ditarë që nuk i zverdhi koha…

Hajri Nuhu

 

“Mësuesi prek përjetësinë”. Kjo thënie e Henri Adams të vjen ndërmend kur hedh në letër një copëz histori  për një mësues.

Tek fjalët për mësuesin është vlerësimi, mirënjohja e respekti i secilit. Dhe është fjala për mësues që bënë emër, të vertëtë dhe të tillë ka patur shumë.

 

Po shkruajmë për dy prej tyre, për një çift interesant, për Ismail e Liri Sherokun nga Prishta. I pari është mes nesh, Liria është në parajsë prej vitesh, por jeton kujtimi e respekti për të. Një jetë të tërë në arsim, me shkumës e ditar në dorë.

 

Prishta –një fshat i veçantë për Skraparin…

 

Prishta është  fshat me histori në Skrapar. Fshat me kalanë ilire ,fshat që ka qënë për pak kohë edhe qendra e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe i një teqeje të famshme. Pra, ka qënë fshat i besimit,i luftës e i punës, i mollëve e, padyshim, fshat i rakisë. Një fshat i begatë nëpër kohë.

 

Shkollën e ka dashur dhe njerëz të zgjuar e të ditur kanë dalë edhe atëherë kur nuk kishte shkollë. Tregojnë se Xhaferr Duro dinte qindra vargje përmendësh nga Naimi e rilindas të tjerë. Abetaren e parë në fshat e solli Abedin Lushka. Prishtallinjtë morën pjesë edhe në Kuvendin e Frashërit. Ndërsa shkolla e parë u çel në vitin 1926. Ndihmoi teqeja. Vetë fshati ngriti një dhomëz të vogël.

 

Mësuesi i parë ishte Sami Mezhgorani. Nga dokumentat në vitin e parë ishin 16 nxënës nga Prishta, Dorëzi e Rehovica. Një nga mësuesit Tajar Grepcka që kishte mbaruar edhe Normalen , më pas do të binte në fushën e nderit. Në qershor 1944 gjermanët e dogjën shkollën. Më vonë jo vetëm shkollë, por një armatë e tërë kuadrosh, mësues, agronomë, ushtarakë…

 

Mjaftojnë pak rreshta për të vlerësuar fshatin dhe njerëzit e tij. Prishta për këto pak rreshta duhet të ishte në 100 fshatrat që u përzgjodhën në planin e investimeve për turizëm. Po edhe pa vendime pushtetarësh ajo mbetet interesante për atë trevë.

 

Ismaili, në “gjurmët “ e babait

 

Ishte pranvera e fundit e pushtimit dhe pikërisht atëherë erdhi në jetë Ismail Sheroku. Ishte fëmija i parë i Sulos dhe Ervehesë. Gëzoheshin se ishte i pari dhe ishte djalë që do të ndizte zjarrin e asaj shtëpie. Më pas erdhën edhe dy motrat Zengjineja e Dudia. Gëzim i madh se vetë Suloja ishte rritur jetim. Njëvjeçar ishte kur humbi nënën dhe pas dy vitesh edhe babain. Fëmijërinë e kaloi tek daja në Kajcë e Velabisht.

Kohë e vështirë. Për t’u shpëtuar masakrave të andartëve e merr me vete xhaxhai, Muharremi që shpërngulet drejt Vlorës. Plot 10 vite i kaloi në Hekal të Mallakastrës. Jetoi tek Jemin Nesimi që më vonë do të pushkatohej nga gjermanët si kreu i këshillit.

 

Në vitin 1925 Suloja kthehet në Prishtën e tij. Autodidakt mësoi shkrim e këndim.Në vitet 1934-1935 ishte ushtar në Shkodër. Shërben xhandar në Buz të Tepelenës dhe bëhet pjesë e lëvizjes së Fierit. Dënohet 18 vjet . Bën katër vjet deri në 1939 dhe për dy vjet punon polic bashkie në Durrës. Bëhet pjesë e lëvizjes Nacinalçlirimitare dhe në vitet 1943-1944 ishte sekretar i këshillit. Bën edhe detyrën e mësuesit deri sa rreshohet në radhët e Brigadës së 10-të. Pas lirimit punon daktilografist në Divizionin e Gjirokastrës, polic lokaliteti në Çepan dhe sekretar i Gjyshatës së Prishtës. Më pas në kooperativë.

 

Nëna e Ismailit,Erveheja ishte mbesa e vëllezërve Koprencka e Dule, Hasan e Xhelal Koprenckës që ishte firmëtar i Pavarësisë. Në Prishtë erdhi në vitin 1939. Në memorje i mbeti pritja që i bëri kjo shtëpi Mehmet Shehut pas betejës së Tendës së Qypit. Krenare deri në fund për origjinën dhe për vëllain e saj Ilmiun,patrizanin e çetës Plakë të Skraparit,ushtarak karriere më vonë.

Për Sulon e para ishte shkolla. Në odën e Cake Totos u çel shkolla në shtator-tetor 1944 dhe dy muaj ishte mësues Sulo Sheroku. Më pas në vitet e para pas çlirimit në  këtë shkollë nëpër vite punuan Myslim  Golemi, Abdulla Elezi e Afërdita Doraci.

 

Në këtë mjedis, në vitet 1952-1956 Ismaili do të përfundonte shkollën fillore .Mësuesi  kolonjar Petraq Telo dhe Hajredin Spahiu nga Malindi, Shefqet Bramko e Skënder Mullai  i mbetën në mendje. Model e idhull në profesion më pas kishte Hektor Protopapën. Në vitin 1956 shkon në Çorovodë me bursë. Konviktor dhe një nxënës me ambicie. Qyteti i vogël i asaj kohe kishte mësues elitarë. Gjurmë në jetën e tij lanë mësues si Ermir Qafa, Syrja Laze, Hysen Yzeiri e Lejla Meqemeja. Një brez që niste ëndrrat. Kujton shokët e tij, Xhevahir Spahiu, Luftim Ylli, Petrit çeço, Ferit Lushka.

 

Idealistë të një kohe

 

Djaloshi imcak nga shtati ishte pedagogjikas e shkollës “Babë Dudë Karbunara”. Ndër dalladyshet e para që lajmëronin një stinë të re. Prishta nxjerr pesë mësuesit e saj të parë. Bashkë me Shyqyri Mersinin,Kadrije e Dilaver Kotobellin dhe Ferit Lushkën nisi kjo rrugë.

Në Berat Ismaili njohu shokë e shoqe nga Skrapari. Mes tyre Lirinë që më vonë do të ishte dashuria e jetës së tij. Në vitet 1963-1965 ishte mësues në Rehovicë. Hapat e parë në profesion.Vështirësi , por edhe dashuri për njerëzit dhe profesionin. Në vitet 1965-1967 vazhdon studimet në ILP Shkodër. Miq e shoke të rinj,jetë studentore aktive,e bukur. Përfundon dhe emërohet drejtor në Prishtë. Një vit, se do të nisej ushtar. Edhe aty shkëqen për edukatën dhe përgjegjësinë.

 

Që nga viti 1969 ai në këtë rrugëtim nuk ishte i vetëm. Kishte gjetur shoqen e jetës,edhe ajo mësuese. Liri Bego nuk ishte e panjohur për të. Kishte qënë shoqja e tij në shkollën pedagogjike. Më pas kolege e bashkëshorte. Ajo ishte nga Rogu. Familja e Riza Begos. Ai që kishte provuar të bënte hyzmeqarin që fëmijë e që në vitin 1913 vazhdonte shkollën në çepan. Mbështetës i Tefik Rogut dhe pjesëmarrës i luftës së Vlorës e i Grupit të Skraparit në luftën Nacional-çlirimtare, invalidi që mori plagë në majin e vitit 1944.

 

Mësuese si Liria…

 

Liria pas përfundimit të shkollës pedagogjike për tre vjet shërbeu në Malind. Më pas për 33 vjet ishte mësuese e Prishtës. Me fat nxënësit që patën një mësuese si Liria. Mësuese e metodiste e shkëlqyer. Një qytetare me vlera. Të tillë e kujtojnë edhe sot nxënësit e saj.

“Janë hapat e parë dhe mësuesi i fillores lë gjurmë në jetën e fëmijës. Kujtoj me shumë nostalgji ato vite”, – thotë Elidon Bekteshi. Se Liria kishte pjesën si mësimdhënëse, si grua, si veprimtare. “Ishte aq humane në kujdesin që tregonte për ne, tek komunikimi aq i ngrohtë e njerëzor”, -shprehet Irena Kotobelli.

 

Liria dhe Ismaili ishin bashkë në jetë. Nuk mund t’i ndash edhe në shkrim. Ismaili drejtues e mësues i zoti. Në vitet 1970-1977 ishte drejtues në Prishtë, mandej tre vjet mësues në çepan dhe përsëri në vitet 1983-1989 drejtor i Prishtës. Të dy pasionant për profesionin. Plotësonin njëri-tjetrin. Ajo e nderonte “burrin drejtor” me korrektesën e shembullin që jepte. Në vitin 1970 dekorohet me urdhërin e kohës “Naim Frashëri” dhe në vitin 1976 Ministria e Arsimit i jep titullin e mësueses së dalluar.

Liria kishte pasion edhe të shkruante. I pëlqente gazetaria. Disa vjet ishte korrespodente e gazetës “Bashkimi”. Ishte veprimtare e rrallë shoqërore për kohën. Zgjidhet në forumet e organizatave të masave. U propozua edhe në detyrën e kryetares së organizatës së gruas në rreth, por ajo nuk pranoi. Pasioni i saj ishte mësuesia. Për 6 vite ishte anëtare e Këshillit popullor dhe e Komitetit Ekzekutiv në Skrapar. I vlerësonte me shumë seriozitet detyrat dhe besimin e të tjerëve. Ishte pjesë edhe e kronikave televizive. Modeli i një gruaje me vullnet.

Si prindër të mirë sollën në jetë  vajzën, Aurelën dhe dy djemtë Bledarin dhe Ermalin. Ata mbetën pasuria e tyre më e madhe.

Përjetësisht bashkë…

 

Kohët po ndryshonin. Erdhi tranzicioni. Koha nuk i lodhi. Ata mbetën mësues të vërtetë deri në fund. Në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve, Ismaili rikthehet mësues në Prishtë, më pas shkon atje ku e nisi, në Rehovicë si mësues e drejtor deri në vitin 1994. Përsëri për ta mbyllur në Prishtë në vitet 1994-2003 si mësues e drejtues më pas.

Të dy mbetën plot energji edhe pse mosha po bënte të vetën. Ajo që i “lodhi” ishte tranzicioni “gërryes’ që po merrte me vete edhe shkollën që ata e kiishin mbajtur me pasionin e mësuesit…Po iknin të gjithë në vitin 2003 u vendosën në Durrës. Një Prishtë lanë shpirtin, kujtimet e një kohë. Djemtë emigruan dhe vajza u vendos në këtë qytet. Ndërtuan me sakrifica dhe u integruan. U gëzoheshin fëmijëve,nipërve dhe mbesave.Të dy ishin aktivë.Në veprimtaritë e shoqatës “Tomorri” nuk mungonin.

Pak vite më parë u realizua një dokumentar titulluar “Ditarë diturie”. Pastaj një veprimtari shumë e bukur. Aty u shpalos mirënjohja për këta dy mësues. Ishte një veprimtari homazh për Lirinë. Në fakt është një brez i tërë që bëri historinë e arsimit në Skrapar.

Ismaili ishte dhe është aktiv në rrjete sociale, në portale me mendime e ide. Papritur Liria largohet nga kjo jetë. Ismaili mbeti vetëm, por jo i vetmuar. Ai jeton me dinjitet, ndërsa Liria jeton në kujtimet e nxënësve dhe të atyre që e njohën si mësuese, nënë, njeri.