Mësuesit skraparas të Tiranës dhe Durrësit “ndezin” FAFA –n me festën e tyre

 Mësuesit skraparas të Tiranës dhe Durrësit “ndezin” FAFA –n me festën e tyre

 

 

Dhjetra mësues të Tiranës dhe të Durrësit, të ardhur në vitet e “demokracisë” në këto qytete, u mblodhën sot në në një nga mjediset e kompleksit turistik FAFA në Durrës për të festuar dhe gëzuar ditën e tyre.

 

 

Një festë që për skraparasit është bërë traditë të kremtohet çdo vit në këtë kompleks të njohur të industrisë të turizmit shqiptar, falë administatorit me një shpirt filantropist, njerëzor dhe patriot, Fatos Çerenishtit.

Takimin e çeli kryetari i shoqatës “Tomorri” Durrës, Hajri Nuhu, i cili foli për punën dhe veprimtarinë e dallueshme që bëjnë këta mësues në shkollat ku punojnë apo gjurmët që kanë lënë me punën e tyre mësuesit që kanë dalë në pension dhe që sot ndodheshin aty.

 

 

Në fund të fjalës së tij, ai kërkoi të mbahej një minutë heshtje për mësuesit e larguar nga jeta këtë vit, siç ishin: Qani Zaimi, Qemal Zaimi, Behar Korbi etj.

 

 

Më pas përshëndeti “i zoti i shtëpisë”, administratori i përgjithshëm i FAFA-s, Fatos Çerenishti, i cili i ftoi pjesëmarrësit për një drekë në sallat luksoze të kompleksit, e cila kaloi hareshëm me këngë e valle.