Michael Schmidt, mik gjerman i shqiptarëve: Tri të mirat dhe tri të këqiat e Enver Hoxhës

Michael Schmidt, mik gjerman i shqiptarëve: Tri të mirat dhe tri të këqiat e Enver Hoxhës

Michael Schmidt-Neke është një mik i shqiptarëve dhe merret prej dekadash me historinë dhe me zhvillimet aktuale të Shqipërisë.

Ai rrëfen në një intervistë krejt të veçantë për Vox News kontaktin e parë me Shqipërinë dhe shqiptarët, vizitën e parë këtu në mes të viteve ’70, si nisi të mësojë në mënyrë autodidakte shqipen e deri te perceptimi në Europë i imazhit të shqiptarëve dhe politikës shqiptare.

 

Schmidt-Neke në këtë intervistë sjell përshtypjet mbi regjimin komunist, duke i njohur tri meritat më të mëdha, por edhe tri mëkatet më të mëdha.

                                   

Më shumë si kuriozitet: Cilat janë sipas tij këto “tri të mira dhe tri të këqia” dhe, a përputhen me pikpamjet tona lidhur me këtë çështje jo të vogël për shqiptarët.

Ja ç’thotë ai:

 

“Shqipëria ka jetuar për thuajse më shumë se 4 dekada në regjim komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha. Cili është opinioni juaj lidhur me atë periudhë, mund të rendisni tri gjëra që u bënë mirë dhe tri të tjera që i sollën dëme vendit?

 

Siç kam thënë më lart unë vizitova Shqipërinë për herën e parë në vitin 1975 – lidhja me Kinën ishte akoma e gjallë, dallgët e spastrimeve ishin kaluar. Pra, përshtypja e turistëve në përgjithësi ishte aspak e keqe për një vend të prapambetur në zhvillim të vrullshëm.

 

Propagandistët me të fuqishëm nuk ishin as shoqëruesit shqiptarë dhe as anëtarët e grupeve marksistë-leninistë; ishin disa zotërinj pleq, veteranë të luftës, të cilët morën pjesë në pushtimin e vendit 1943-‘44, zakonisht antikomunistë të regjur. Ata ishin entuziazmuar nga përparimet e arritura: “Ky Enveri, ky burrë i dheut, ai i ka dhënë fund dembelizmit me të cilin ishim mësuar ne dhe vërtet ka shndërruar vendin!”

 

Pra, kthesa historike e viteve 1990/91 ishte e domosdoshme, por shqiptarët nuk janë ngritur nga ferri në parajsë – as anasjelltas.

 

Mendoj se meritat me e rëndësishme e sistemit të PPSH-së janë:

 

– arsimi për gjithë popullin dhe shfarosja e analfabetizmit;

 

– krijimi i sistemit shëndetësor me efekte të thella në nivelin e jetesës dhe të jetëgjatësisë;

 

– emancipimi i gruas, edhe kur mbeti i pambaruar duke lënë gratë me barrën e dyfishtë të punës dhe të familjes.

 

– represioni i egër dhe çnjerëzor me vrasje, burgime, dëbime dhe internime si shtrembërim i konceptit të “luftës së klasave”

 

– ruajtja e familjarizimit tradicional – me gjithë propagandës së luftës së pandërprerë kundër zakonet e prapambetura – duke përçarë shoqërinë shqiptare në “familje të mira” dhe “familje të këqija” dhe duke ndëshkuar brez pas brezi shtresa të mëdha të popullit për “fajin” se kishin lidhje gjaku me ndonjë funksionar të një regjimi të rrëzuar, me ndonjë emigrant a refugjat politik a me ndonjë titullar komunist të rrëzuar

 

– izolacionizmi në vitet ’70-’80 si mbivlerësim i potencialeve të një vendi periferik të zhvillohej “duke u mbështetur në forcat e veta” me rezultat shkëputjeje të ekonomisë së vendit nga përparimi teknologjik dhe të vendit nga proceset ndërkombëtare të kapërcimit të Luftës së Ftohtë”.