Mihal Gjergji: Jerusalemi i Labërisë

Mihal Gjergji: Jerusalemi i Labërisë

 

Mihal Gjergji

 

 

 

Kronika të kahmotshme na sjellin në vëmëndje historinë e panjohur të Kurveleshit në jugun e Shqipërisë.

 

 

Kur flasim për këtë krahinë, nënkuptojmë Labërinë, sepse trupi pa zemrën s’mund të jetojë. Shënime vizitorësh, konsujsh e senatorësh të ardhur nga brigjet e përtej detit, bëjnë fjalë për rrebelime gjeneralësh, mbretërish e perandorësh në krye të ushtrive të tyre, lëshuar mbi banorët e krahinës kryengritëse.

 

 

Po kështu flitet edhe për barbaritë e sulltanëve osmanë. Ndoshta Sulltan Sulejmani s’ka qënë i fundit që ngriti kampin e fushimit në brigjet e Himarës. Me vete kishte marrë dhe dy djemtë e tij. Ishte vjeshta e vitit 1530.

 

 

Djaloshi himariot me emërin Damjan, guxoi ti vërsulej me jataganin në dorë sulltanit pushtues, te çadra ku pushonte, por nuk mundi që ta vriste. E kapën jeniçerët dhe ja coptuan trupin. Thonë se shpirti i tij endet si pulbardhë atje ku valët puthen me shkëmbinjtë e brigjeve të thepisura, ndoshta atje ku kreu aktin e tij guximtar e të papërsëritshëm.

 

 

Kanë kaluar kaq shekuj dhe historia e tij, tashmë e shndrruar në legjendë, kalon gojë më gojë nga njëri brez te tjetri, sepse sulltanët vdesin, legjendat-jo! Shqiptarët vriteshin në trojet e tyre, për të mbrojtur vatrat dhe nderin. Shqiptarët vriteshin edhe në sinoret e skajshme të perandorive, larg fëmijve, familjes, të dashurve (Më bëhet se dëgjoj një thirrje dëshpëruese dalë nga goja e një nizami, ardhur nga larg, ndoshta përtej Urës së Qabesë; “Nënë, ç’ma bëre Dilin-ë “/ Unë ta lashë si florin-ë/ Ti ma trete si qirin-ë…”).

 

 

Kjo më shtyn të besoj se banorët e kësaj krahine kanë qënë të dënuar të lindnin nga krismat dhe të rriteshin mes luftrave, si e vetmja mënyrë jetese e caktuar për ta. Kush tjetër mund t’ia jepte ngjyrën e kuqe flamurit, veç gjakut të luftëtarëve?!

 

 

Ndoshta keni dëgjuar për Solomonin (970-931 para K). Ishte mbreti i tretë i Izraelit, djali i mbretit të famshëm David. Gjatë 40 viteve të sundimit të tij mbi Izraelin, Solomoni ka pasur 700 gra dhe afro 200 dashnore. Nga arkivat e Vatikanit mësojmë se pikërisht Solomoni, në shoqërinë e njërës prej të dashurave ka vizituar Buronjat në Kuçin e Kurveleshit për vetitë çudibërëse të këtij uji.

 

 

Vallë, cilët kanë qënë banorët e kësaj krahine para 3000 vjetësh dhe si kanë jetuar ata? Asgjë nuk dimë, veçse mbledhim thërrimet e mbetura në arkiva dhe hamendësojmë. Edhe për Kurveleshin e nesërm pas 100 apo 200 vjetësh s’dimë si do të jetë, por një gjë është e sigurt, për luftrat e përgjakshme, legjendat dhe baladat brenda të cilave frymojnë heronjtë e qëndresës, brezat që do vijnë do të thonë: na ishte dikur…Jo vetëm në Kuç, edhe në fshatrat e tjera kohë pas kohe janë zbuluar nga nëntoka gjurmë jete, mure ciklopikë, rrënoja kështjellash dhe varresh, që datojnë prej periudhave më të hershme parahistorike, si epoka e gurit, e bronxit, e hekurit deri në periudhën historike të antikitetit e mesjetës.

 

 

Në vjeshtën e vitit 47 (para K) Çezari do zbarkonte me anije në bregdetin e Jonit, mandej do ngjitej në lartësitë e Llogarasë. Pikërisht në këtë periudhë ai mbriti dhe në zemër të Kurveleshit, konkretisht në Kalanë e Nivicës, të cilën e përdori si vendfushimi. Asgjë për tu çuditur. Nga lartësitë e këtij karakolli mund ti kesh si në pëllëmbë të dorës rrugëkalimet dhe luginat që zbresin deri në brigjet detare.

 

 

Gjurmët e rrugës Egnatia unë i kam parë edhe në vendin e quajtur Qafa e Kalbaqit, në kufirin administrativ mes fshatrave Gusmar dhe Rexhin. Edhe kronikanit osman Evlija Çelebiu, në udhëtimin e tij të vitit 1670, emri i Kurveleshit i ka ndezur imagjinatën për ta lidhur me emrin e një fisi arab: Kur i thanë se qenë nga fisi i Kurejshëve, mbreti i dha atij malet e pabanuara të Delvinës… Por meqë vinin nga fisi i kurejshëve, malet ku tani zunë vend, i quajtën Kurjelesh (Kurvelesh). Kurejshët ishin një fis i fuqishëm i Mekës dhe vetë Muhamedi kishte lindur në fisin hashemit të kurejshëve.

 

 

Sot gjuhëtarët mendojnë se emri i krahinës së Kurveleshit vjen nga fisi i korvasejve. Por kjo është e parëndësishme, sepse Çelebiu s’ishte gjuhëtar, historian apo arkeolog, kështu që mendimet e tij mund ti pranojmë me rezerva. Ai s’harron të përshkruaj dhe natyrën e bukur por të frikshme, aty ku “edhe djallit i duhet të eci natën dhe me shkop në dorë”-sepse prapa çdo shkrepi a kaçubeje, befas mund të dëgjosh sokëllimën e atyre që shfaqen si hije dhe derdhen me jataganë në duar.

 

 

Popullsia e krahinës ka lëvizur pa ndërprerë, e detyruar nga kushtet dhe luftrat e gjata. Jo vetëm kaq, këtu gjejmë edhe gjurmë të Hunëve dhe Gotëve, ardhur si pushtues. Më vonë, grupe  hebrenjsh të përzënë nga vendet evropiane gjetën strehën e tyre mbrojtëse në fshatrat e Labërisë. Banorët vendas u bënë më të fortë përballë dhunuesve, u bënë më të rëndësishëm dhe zunë vendin e merituar në histori, tamam si gurët e rëndë në themelet e kështjellave.

 

 

Banorët e Labërisë e kanë pranuar njeri-tjetrin përmes nderimit të ndërsjelltë dhe normave zakonore. Pikërisht kjo ka qënë arsyeja e kuvendeve të mbajtura në periudha të vështira kohore;  “Kuvendi i Papa Zhulit (1801), i Himarës, Senicës (1770), Progonatit (1846), Mesaplikut, Cepos, Shtëpëzit, Kuçit dhe kuvende të tjerë, të cilët lidhen me kryengritje massive popullore si dhe ndryshimet e së drejtës zakonore të Labërisë.

 

 

Po kështu, Kuvendi i Mesaplikut (1847) i udhëhequr nga Zenel Gjoleka, Kuvendi i Gjirokastrës (1880); Kuvendi i Frashërit më 1880; Kuvendi i Vlorës më 28 nëntor 1912; Kuvendi i Shtëpëzit (1914), Kuvendi në Manastirin e Cepos (1911); Kuvendi i Barçallasë më 1920; Kuvendi i Kuçit të Kurveleshit më 1924 etj.” Kur sulmohej Himara, banorët e kishin mburojën e sigurt te fshatrat e Kurveleshit gjersa të ktheheshin sërish në shtëpitë e tyre.

 

 

Administrata e Perandorisë osmane herë i ndante dhe herë i bashkonte fshatrat e Labërisë. Sipas defterve osmanë, Himara ka administruar rreth 50 fshatra, Kurveleshi 34 (qysh nga koha e Mbretërisë shqiptare vetëm 15).

 

 

Nuk di pse më kujtohet Jerusalemi sa herë që përmendet Kurveleshi. Jeruzalemi u pushtua më 638 pas Krishtit. Mbas shkatërrimit të Jeruzalemit, u ndërtu xhamija prej druri dhe në vitin 691 u ndërtua xhamija e sotme AL Aksa.

 

Jerusalemi ka Murin e Lotëve, Labëria-jo! Në pricipatën thuajse autonome të Labërisë (më pëlqen ta quaj kështu), nuk qajnë, luftojnë. Edhe në krahinën qiellore të Kurveleshit. Kjo krahinë vetëm se është shkrumbuar dhe braktisur kohë pas kohe, askush s’e ka lakmuar si kryqendër, ndërkohë që e kanë coptuar për të mos qënë një prefekturë e vetme. Por ajo që i bashkon me qytetin e largët aziatik (ndër më të vjetrit në botë), është paqja mes besimeve.

 

 

Në fshatin Gusmar dhe konkretisht në këmbët e malit të Kanatait, kur i largohesh Vlloit dhe merr rrugën drejt Shurit të Kuçit, ka ekzistuar një sinagogë e ndërtuar mes shkëmbinjve ku praktikonin ritet e tyre hebrenjtë e mbritur në këtë krahinë qysh në vitin 1492. Në qendër të fshatit ishte xhamia, të cilës i ka mbetur vetëm emëri (Guri i xhamisë), ndërsa jo shumë larg ishte një kishë (Kisha e Behe). E njëjta gjë ka ndodhur dhe me fshatrat e tjera. Ndoshta këta banorë e kanë ruajtur Zotin brenda vetes ose kanë pëlqyer të ishin vetë të tillë.

 

 

Në periferi të Jerusalemit, dhe konkretisht në Golgotë u kryqëzua Jezusi, por qëndroi vetëm 6 orë i mbërthyer me gozhdë. Ndërsa unë që kam jetuar në kohën e mjerimit të kësaj krahine, kam dëgjuar histori tronditëse për banorë dhe familje të kryqëzuara për dekada me radhë. Me një fjalë, edhe ne kemi shenjtorët tanë, të shumtë në numur.

 

 

Po çfarë ndodhi? Na verbuan të mos shikonim se ç’bëhej jashtë dhe matanë nesh, na ushqyen me gënjeshtra të bardha, na shkatërruan traditën dhe zbehën deri në shuarje virtytet njerëzore. Njëri e mbushte kupën dhe tjetri e zbrazte. Dhe çuditërisht kjo ka ndodhur nga pushtuesit vendas, nga njerëzit e një gjaku dhe të një rrace. Shqipëria u pushtua nga sëmundja e pashërueshme e Moskovit ardhur nga stepat e largëta të Rusisë. Fara e urrejtjes mes banorëve (lufta e klasave mes shtresave shoqërore) mbiu si krisja dhe vazhdon të lulzojë. Frika u bë sundimtare gjysmë shekullore. Por, malum, le të themi, ky popull e meriton të korrë atë që ka mbjellë me dëshirë. Dhe mos harroni, s’mjaftojnë një palë sy për të parë të vërtetën.

 

 

Kthej kokën mbrapa; pas kaq vitesh heshtja e banorëve është bërë më e thellë se ajo e varreve. E dini që s’ke kujt ti dhurosh një tufë lule, një përshëndetje, një buzëqeshje të përzemërt? Unë e kam gjetur zgjidhjen, ndaloj te varrezat e vendlindjes, ndez një cigare dhe çmallen e nderoj të vdekurit e mi.

 

 

Gjithmonë jam trembur se mos humbisja kujtesën, por fatmirësisht kjo s’ka ndodhur. Kam njohur vrasës të pushtetshëm që vazhdojnë të jetojnë dhe kam menduar se vitet e zgjatura ua ka dhuruar Zoti për të pranuar fajësinë, për të shpallur pendesën e tyre, por jo, ishte dhe mbeti dëshirë e imja, dhe s’ka për të ndodhur, sepse viktimat janë mësuar të bashkëjetojnë me xhelatët e tyre. Të ndalojmë disa çaste te kujtesa jonë historike dhe të flasim për ata që vazhdojnë të jetojnë edhe pas largimit nga kjo jetë.  Rexhina Balsha, sundimtarja e Despotatit të Vlorës, e bija e Balshës II dhe e Komita Muzakës, na kujton njërin nga fshatrat e Kurveleshit, konkretisht Rexhinin.

 

 

Në vitin 1417, kur u pushtua Vlora dhe Kanina nga osmanët, princesha zhvilloi luftime të ashpra, por nuk mundi t’i përballojë deri në fund. Dhe nuk u dorëzua. Rexhina, sëbashku me 400 besnikë të saj, bëri qëndresën e fundit në kalanë e Gjon Poçarit dhe vendosi që të largohet në Korfuz. “Ç’bën që rri Rugjinë e gjorë/ Mblidhi djemtë e bëja forrë/ Se do të hedhin në dorë/ Hamzai me tre taborë”. Ajo urdhëroi besnikët që t’i mbushnin kuvertën e anijes me dhe nga Himara. Me atë dhe të tokës së saj, ajo la amanetin që ta mbulonin kur të vdiste. Dhe ashtu u bë.

 

 

Nga kronikat e kohës mësojmë se kryengritësi emërshquar Krokodil Kladha, bashkëluftëtar me djalin e Skënderbeut, Gjonin, ishte larguar me familjen e tij, Kadhajt e Progonatit dhe ishte vendosur në Himarë. Një tjetër familje nga Progonati, ajo me mbiemrin Kasneci ishte vendosur prej shekujsh në bregdet, në fshatin Vuno. Trimat e këtij fisi janë të shumtë dhe i gjejmë në arkivat e Venedikut. Eqerem Bej Vlora, njëri nga intelektualët e shquar të kohës në të cilën jetoi, na kujton se strëgjyshrit e tyre kanë zbritur nga lartësitë e Kurveleshit dhe janë vendosur në qytetin bregdetar.

 

 

Nuk dimë me çfarë është gatuar ky truall i begatë që fal bujari për gjithë Labërinë! Asgjë nuk ndodh rastësisht, besomëni mua. Aty janë Totajt, Gumenajt, Malajt, Beqohitajt dhe Demo Emini, Leskajt, Dukajt, Gjostojajt, Gjergjajt, Seferajt, MIckajt…Aty është Balil Nesha, edhe Bilbilenjtë. Aty i gjeni ata që ngrejnë krye.

 

 

“Në Kurvelesh tre nishanë/ Bëjnë harb me Padishanë”. Po pse tre, pse duhet të theksohet shenjtëria e këtij numuri? “Çelo Picari i parë/ Gjolekë Kuçi me pallë/ Hodua që mban kalanë”. Janë të tre nga Kurveleshi; Xhelil Bega nga Lekdushi i njohur si Çelo Picari, Gjoleka nga Kuçi dhe Hodo Aliu nga Nivica. Ende s’e kam kuptuar përse populli ka përzgjedhur Hodo Aliun për ta ngjitur në majën e Olimpit si mysafir i Jupiterit. Në gjyqin e historisë Hodua fitoi pavdekësinë dhe titullin e lartë që meriton nderime, titullin  “Bej”.

 

 

Askush s’ka mundur ta zbresë nga lartësitë ku është ngjitur, ta bëjë njeri tokësor e vdekëtar si të tjerët.  Por jam i bindur se Nivica duhet ta krijonte Hodon edhe po të mos kishte lindur, duhet ta farkëtonte me prushin e saj të qëndresës dhe me zërat e baladave. I duhej Kurveleshit një lartësi e tillë, i duhej dhe Këndrevicës që të mbështetej në kohë shtrëngate. Dhe Hodua erdhi. “Hodo Bej, Hodo Nivica/ I larti sa Këndrevica”.

 

 

Mos harroni, jemi në lartësitë e Kurveleshit, mes humnerave pellazge dhe nën qiellin sovran të Zeusit.

 

 

Tiranë, tetor 2024