Mihal Gjergji: Një natë pa gjumë
Gremisen retë mbi hon e brinjë
Është dimër, ngricë e borë
Doriu brof e shkrofëtin
Unë frerët mbaj në dorë
Dhe ja, u sosa në katund
Më fton një plak bujar
Kjo udhë e verbër s’paska fund
Ky dimër është xanxar
Një dritë e mekur mbi oxhak
Dhe saçi ndënë prush
Na sjell e mira zonja plakë
Ullinj e djathë e bukë
-Gëzuar mik, e këmbë të mbarë
Më thotë bujari plak
Pastaj i heshtur dredh cigarë
Mendimet shpie larg
-Të ndajmë bukën, pastaj hallet
Se miku ka kismet
I gjalli me të gjallin çmallet
Për nesër s’dimë se ç’ngjet
Dhe s’di nga feksi një milonjë
Një vajzë si shtojzovallë
Më çeli prilli në buronjë
Si fola dot një fjalë
S’më qasej gjumi atë natë
Ish dimër, fryente erë
S’iu ndava zjarrit bubulak
Dhe brokes plot me verë
Matanë kërritej një manar
Trazohet gjë e gjallë
Dhe qeni bën lehjen litar
Unë pres ditën të zbardhë
Me trok në udhën e pakthim
Doriu frelëshuar
Më ndjek nga pas një blegërimë
Dhe vashëza syshkruar
Bolenë, shkurt 1990