Mihal Gjergji: Një vit më shumë 

Mihal Gjergji: Një vit më shumë 

 

Ja dhe ky vit, një grusht me thinja

 

Një brazdë të re më shton në ball’

 

Më gris’ një thikë, e ndjej te brinja

 

S’më bindet zemra, bën të dalë

 

 

 

Një këmbë ma mban gërmadha ime

 

Tjetra është zgjatur për matanë

 

Më kot humbas në perëndime

 

Ndjej brenda shpirtit një piskamë

 

 

 

Kam kohë që pres shaminë e kaltër

 

Tunde nga larg, o lundërtar!

 

Nëse një ditë do vij i vdekur

 

Në shtrat të vdekjes jam i gjallë

 

 

 

Mbështjell me hi thëngjijtë e vatrës

 

Se udha s’di me kë më pjek

 

Një dallandyshe hapi flatrat

 

E vetme endet shteg më shteg

 

 

 

Ndjehem fëmijë në pikë të lotit

 

Në psherëtimë, si murgu plak

 

Zhgënjimin tim që kam prej zotit

 

E mbaj në gji, por nuk e flak

 

 

 

Ju mē uroni për ditëlindje…

 

Sa pak gëzime sjell kjo jetë(!)

 

Shuplakë e rëndë nga dorë e fatit

 

Më shtyn’ ta shkruaj fatin vetë!

 

 

Mihal Gjergji