Mihal Gjergji: Tirana, kryeqendra e Shqipërisë, pse kaq e ftohtë, e pangjitur dhe e largët për shqiptarët?!…

Mihal Gjergji: Tirana, kryeqendra e Shqipërisë, pse kaq e ftohtë, e pangjitur dhe e largët për shqiptarët?!…

Mihal Gjergji

 

Tirana! Gjithmonë më ka intriguar etimologjia e kësaj fjale. Pse pikërisht kryeqyteti shqiptar duhet të ketë një emër që simbolizon despotizmin, e që pikërisht këtu, institucionet e dhunës shtetërore kanë funksionuar prej dekadash?

 

Pra, tiranët kanë gjetur strehën e tyre të sigurt! Popullsia e këtij qyteti është heterogjene, madje, për të qënë më i saktë duhet thënë kaotike. Kësisoj, kjo popullatë s’mund të përfaqësojë një model të qendrueshëm zakonesh, jo të reja, por as të vdekura.

 

 

Jo vetëm kaq, por pikërisht kjo dhe rrethana të tjera më shtyjnë të pyes: – kjo qendër urbane e përfaqëson realisht Shqipërinë?

 

 

Kalemxhinjtë e nxituar, në vend të dorashkave të duelit e kanë të drejtën të pyesin: – Përse?

Le të shpjegohem.

 

Flasim për një përfaqësim shpirtëror vlerash, jo suksesi komercial joshës apo fuqie të pretenduar ekonomike. Po çfarë ka tjetër Tirana, veç gjindjes njerëzore?

 

 

 

Jo gjithçka që vendet e tjera ballkanike e trumbetojnë si trashëgimi kulturore, p.sh Athina apo atë rrezatim që e gjejmë në kryeqendrat evropiane: Romë, Paris, Vjenë etj.

 

 

Thuajse gjithçka e trashguar është shembur nga dinamiti dhe fadromat. Duhet të asgjesohet materia e paskëtaj kujtesa e trashguar.  Kjo s’do të thotë se ky qytet është i zbrazur nga gjithçka. Po të pranonim një gjë të tillë, atëherë do gjendeshim në prehërin e fatalizmit.

 

E, prapseprapë, Tirana s’është Durrësi, Gjirokastra, Berati, Shkodra, Apolonia apo Vlora, aq shumë të lakmuara nga mbretër dhe perandorë.

 

Projektimet e para një shekulli nga Mbretëria italiane dhe realizimi i atyre ndërtimeve për godina qeveritare, konfiguruan metropolin shqiptar, i cili do zhvillohej në varësi të kohës dhe ndryshimeve gjeopolitike. Bukuritë natyrore shpalosen në periferi, kuptohet, aq sa kanë mbetur. Ah, po! Ky qytet i madh dhe i zhurmshëm, i ngjanë një prostitute të keqtrajtuar. Në mënyrë vizuale apo imagjinare, unazën që përkufizon qendrën e tij, vendosjani si brez betoni rreth mesit.

 

 

Godinat shtetërore janë shpërndarë jo larg njëra-tjetrës, ndërsa mes shalëve të kësaj lavireje, derdhet lumi i qelbur i Lanës. Po tjetër? Ka një Bashki, me dukje kapitoli, që thonë se administron qytetin, s’guxoj të them se rrjep xhepat e qytetarëve.

 

Grabiqarët nuk mallëngjehen nga martirizimi ynë. Ka një kishë të madhe (projektuar si model i një panteoni, një Shën Mari, por jo shqiptare!). Jo larg prej kishës, buzë të njejtës rrugë, ka një xhami po kaq të madhe, e cila të sjell në kujtesë ndërtimet e sulltanëve të Perandorisë osmane.

 

 

 

Universiteti i Tiranës ndërtuar në vitin 1957, ka mbetur pa gojë përballë peshës dhe pushtetit të kryqit dhe gjysmëhënës. S’di ç’të them për universitetet private, as për Biblotekën Kombëtare, të cilës i lagen themelet nga ujërat e nëntokës. Le të vijojmë me kryeqendrën, aty ku secili ndjehet vetmitar.

 

Kështu ndjehet dhe Gjergj Kastrioti, ani pse qendron kryelat në qendër të qytetit dhe sipër kalit të betejave. Edhe sikur të gjithë të ikin, unë do jem ushtari i tij i fundit.

 

 

 

Modele apo kulla Eifel në miniaturë janë ngritur disa, atje ku kanë mundur. Por kullën më të lartë e më të fuqishme, që s’mund ta gjeni në asnjë vend të Evropës, do ta përkufizoja me fjalët e Hygoit, “Kulla e erërave – opinioni…”

 

Kjo e fundit orientohet nga shërbestarët e përunjur që hyjnë e dalin në ato godina që quhen qeveritare.

 

 

Neokomunistët vazhdojnë propagandën e dikurshme, të cilën çuditërisht as Perëndimi s’ka mundur ta ndalojë.  Diktatura demokratike pëlqehet nga banorët e mbetur në udhëkryqe.

 

Ato që s’gjenden në Tiranë i gjeni në qytetet shqiptare që përmënda më sipër. Qilimat me motive hyjnore të Gjirokastrës, Vlorës, Tepelenës apo Shkodrës, s’mund të zëvëndësohen nga jatakët e thurur në periferi të kryeqytetit, nga vendasit apo të ardhurit.

 

 

Vendlindjen e Sami Frashërit, Hasan Tahsinit apo Çerçiz Topullit s’mund t’i ndryshoni. Pikturat e Onufrit s’gjenden kudo. Fustanellat e Bilbilenjve s’mund t’i kërkoni në Tiranë, as jataganin e Hodo Nivicës, Gjolekë Kuçit apo Tafil Buzit. Lahutarët i gjeni në mbretërinë e baladave, në alpet e Arbërisë.

 

 

 

Eh, kryeqyteti! Mbasdite mbulon fytyrën me një shami mjegulle dhe mëngjezeve pret dritën e diellit. Mbi krye të banorëve nderet smogu vrasës i pluhurit përzier me squfur karburantesh. Vargani i makinave ngjajnë me një dërgatë ndëshkuese. Në fakt, jemi duke korrur atë që kemi mbjellë. Frutat e tradhtisë të brezit tonë do i konsumojnë fëmijët tanë. Pushtetarët janë një e keqe e pranuar nga populli, por jo e mbikqyruar prej tij.

 

 

Shqiptarët s’mund të gjejnë një tjetër atdhe për inteligjencën e tyre natyrore dhe një tjetër tokë më të begatë se kjo, për të realizuar ëndrrat e tyre. E megjithatë, ata vazhdojnë të ikin, si t’i largohen një epidemie. Gënjeshtrat e bukura e joshin njeriun.

 

 

Desh harrova! Kemi Akademi Shkencash.

 

Para disa vitesh, jo me votim brenda Akademisë, por me dekret të Presidentit u shpallën 12 “Akademikë”, pra pushteti politik mbi atë shkencor. Edhe titullin “Mjeshtër i Madh” ta jep Presidenti, ai që s’njeh asnjë mjeshtëri. Çudi e madhe!

 

 

Po çfarë bëjnë akademikët? Bëjnë objekt studimi problematika të para dy apo treqind viteve, ndërsa plagëve të pashëruara dhe atyre të reja të shoqërisë shqiptare s’guxojnë t’u hedhin sytë, aq më pak të shkruajnë apo flasin për to.

Marrin rrogat, gëzojnë privilegjet, puthin duart e atyre që mbajnë vulat. Asnjë s’guxon të trajtojë temat e “nxehta”, jo vetëm të minoriteteve reale por dhe atyre imagjinare. E kanë blerë heshtjen e tyre, fatkeqësisht.

 

 

 

Në Bashkinë e Finiqit duhet të flasësh greqisht, ndryshe zyrtarët s’të përgjigjen. Çfarë duhet të bëjë një banor i fshatit Çlirim për të marrë një dokument? Duhet të mësojë gjuhën e fqinjit, apo të pranojë që është grek?

 

 

Nga një analizë e Fan Nolit për dinastinë e Muhamet Aliut që ka qeverisur Egjiptin, po sjell vetëm një gjykim të shkurtuar: “Ismail Pasha sigurisht, që i ka bërë shumë dëm vendit të vet, por i ka ruajtur bakshishin më të madh, nacionalizmin, kundërhelmin për të gjitha sëmundjet e imperializmit të huaj”.

 

Noli s’flet për nacionalizmin e sëmurë, as unë s’nënkuptoj atë, por ndjenjën e pastër kombëtare. Pra, të thuash pa frikë se je shqiptar, dhe të mbrosh interesat e vendit tënd. E dini që, dhe regjimet diktatoriale kanë gjetur mënyra për të ushqyer ndjenjën kombëtare, pavarësisht se si!

 

 

Ja pra, këtë duhet të bëjnë intelektualët, historianët, akademikët, “Mjeshtrit” e tjerë të kulturës. Unë s’do çuditesha, nëse ai brez vital shqiptarësh, i cili do vijë patjetër, do bëjë pyetjen habitore: – vërtetë kanë jetuar këta pseudo intelektualë, që kanë reklamuar “suksese” por jo vlera?

 

Ndodh që dinjiteti të varroset para kufomës, e në këto kushte nuk di kush e shpall vdekshmërinë.

 

Gjithsesi duhet theksuar se, ata që do përqafojnë suksesin e së nesërmes, janë humbësit e sotshëm, ata që klasifikohen si Popolo Menudo.

 

 Tiranë,  janar 2020