Mjeku që i dha emër kirurgjisë dhe nder Beratit e Skraparit
Në një kohë kur vlerat njerëzore shpesh zbehen përballë etjes për fitim, figura të tilla si dr. Maksut Drasa mbeten shembull i përkushtimit dhe humanizmit.
Dr. Maksut Drasa lindi më 10 mars 1920 në Arapsun të Turqisë. Fillimisht iu dha bursë për Juridik, por me këshillën e kushëririt të tij, Nuri Drasa, zgjodhi Mjekësinë, pasi Shqipëria kishte nevojë për mjekë. Studioi në Universitetin e Bolonjës, ku u dallua si një nga studentët më të mirë, por lufta e detyroi të ndërpriste studimet dhe të kthehej në Shqipëri në vitin 1942.
Në Tiranë punoi pranë kirurgut të njohur Frederik Shiroka, i cili e vlerësonte shumë talentin e tij. Më pas përfundoi studimet në Bullgari me rezultate të shkëlqyera dhe u kthye në atdhe si një kirurg i formuar.
Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Si një kuadër i rëndësishëm në frontin partizan nacionalçlirimtar, u dërgua si përfaqësues në Marrëvëshjen më forcën tjetër opozitare, Ballin Kombëtar. Megjithëse marrëveshja u nënëshkrua sipas orientimit të Partisë Komuniste Shqiptare, Maksut Dërrasa, nga ndërhyrja e emisarëve jugosllave, u ndëshkua, u përjashtua nga PKSH.
U dërgua, gati si internuar në Spitalin e Beratit, ku punoi si shef i Kirurgjisë. Me profesionalizmin e tij të lartë ai e ktheu qytetin në një qendër të njohur kirurgjie, ku vinin pacientë nga e gjithë Shqipëria. Më vonë u emërua kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku spikati për profesionalizëm dhe aftësi të jashtëzakonshme.
Gjatë jetës së tij realizoi rreth 250 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Në vitin 2004, Bashkia e Beratit i akordoi titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e madh profesional dhe human në shërbim të njerëzve.
Dr. Maksut Drasa mbetet një figurë e shquar e mjekësisë shqiptare dhe një emër që meriton respekt e mirënjohje të përhershme.
