Moj Gjirokastra me vulë, ç’e bëre Shemo hajdunë?!…
Shemo Kaso Brahimi, sipas gojëdhanave ka lindur aty nga viti 1822 në një familje të varfër të lagjes Manalat të Gjirokastrës.Doli kaçak malit sepse nuk donte shkonte nizam. Për 30 vjet më e radhë më së shumëti veproi vetëm se sa me çetë të oraganizuar, duke i sjellë shqetësime të herëpashershme Perandorisë Turke të kohës.
Kapja e kaçakut pas tridhjetë viteve veprimtari, bëri bujë të jashtëzakonshme në të gjithë Jugun e Shqipërisë.
Populli ka thurur për të një baladë shumë të bukur. Fatkeqësisht, po harrohet dhe po gjymtohet, por ka qenë një nga baladat që, në kohë të ndryshme, për forcën e saj artistke, ka tërhequr vëmendjen krijuesve të huaj dhe vendas, një prej të cilëve ka qenë edhe Martin Camaj.
Gjirokastër ishe zonjë,
Gjirokastër mbeç beronjë,
Kape vrave një shqiponjë,
Le pa këngë një milonjë,
Në Stamboll një lajm gëzimi,
Thon’ u zu Shemo Brahimi,
Qysh u zu, ku zihet trimi!
Nëntë vjet, në mal firar,
Se nuk desh të vej ushtar,
S’vete, tha, nuk i kam ngenë!
Dhe nëntë vjet e brodhi dhenë,
Rumelinë dhe Morenë,
Qysh e futën pra në lak,
Mos u lodh, a mos u mplak,
U mërzit nga çeta, vallë,
Mos i shkrep, i ra një mallë,
Për një stan, për një kope,
Për një stan, në Valare,
Për fëmijtë, për gruan e re,
Jo, mor jo, s’u mplak hajduti,
As u lodh, as falje luti,
Po s’mendoi se do ta shesë,
Kushëriri me të pabesë,
Faqeziu shtroi gosti,
Mish të pjekur, e raki,
E kallzoi në qeveri,
Në bodrumet e kalasë,
Vjen Hysni Pashai t’i flasë,
Ja lironi ca litarët,
-Fol, hajdut, trego të vrarët,
Se ke djegur, e plaçkitur,
Se ke shtypur e neveritur,
Ligjet, forcën e Sulltanit,
Kundër dinit dhe imanit,
Vilajetit i kalle datën,
Të kam ndjekur, ditën, natën,
Dimër e verë nga mbrapa,
Shemo, më në fund të kapa!
-O, pasha, që flet mbi fron,
S’jam ashtu, s’i më gjykon,
Me koshadhe, me xhandarë,
Më ke ndjekur, të kam vrarë,
Për, haraç të marrë armikut,
Për grabitjen e çifligut,
Të një beu, të një agai,
Mirë vërtet se paskam faj,
Po le të më thotë njeri,
Se rrëmbeve dhen a dhi,
Nga një bujk, nga një bari,
Unë i dhashë, varfanjakut,
Zoti e di, e më ardhtë hakut,
E çupa kam martuarë,
Pleq bonjake kam ndihmuar,
Ah, pse s’thash lepe e peqe,
Për nizam e për xhelepe,
Për një mbret në vend të tij,
Që s’më di, dhe as e di!
Jam hajdut, pëlqej më mirë,
Te rroj malesh, ujk i lire,
Se sa balo në zinxhirë,
-Shemo, nesër që me natë,
Të këtillë ligjëratë,
Bëja lakut edhe rrapit,
-As i pres meshir kasapit,
Amanet, pasha, një gjë,
Porosi Lules i lë,
Të martohet, e grabita,
Kur ish foshnje, vet e rrita,
Është e re, njeri nuk ka,
Fëmijtë t’i jepen tim vëlla.
-Gjirokastra male brigje,
Qan një grua, qan me ligje,
S’të njoha dot, korba, kurrë,
Lulja jote s’merr më burrë,
Do rris djemtë t’u jap zjarrë,
Hakën tënde për të marrë,
Pasuri oxhak nuk dua,
Do gjezdis krua më krua,
Të dëgjoj këngët e tua!
Shënim:
Fotoja në kopertinë është ilustruese