Mos u ankoni, shenjtërinë dhe figurën tuaj e vratë vetë, me duart tuaja!…
Migeliana Guri
Dhe kur një ditë të kuptoni se bota është bërë më e ftohtë, më e vetmuar dhe më e zbrazët, mos kërkoni fajtorë.
Aq shumë e zhveshën dhe e zhvlerësuan figurën e femrës, saqë mashkulli filloi të humbasë interesin për të dhe të kërkojë tek mashkulli atë që dikur e gjente natyrshëm tek femra.
Aq shumë iu desh femrës të luftojë për të arritur piedestalin që me të drejtë i takon, saqë e lodhur nga lufta e pafundme, nga padrejtësitë, nga gjykimet dhe nga një botë që shpesh e përdor por rrallë e respekton,
Ajo shpeshherë u kthye tek femra për të gjetur atë që i mungonte: mirëkuptim, mbështetje dhe një zemër që e dëgjon.
Dhe ndërkohë bota vazhdon të duartrokasë veten.
Flitet për progres, për liri, për modernitet.
Por shumë pak flitet për plagët që po lihen pas.
Sepse ndërsa krenaria rritet, ndjeshmëria zvogëlohet.
Ndërsa egoizmi bëhet normë, dashuria bëhet gjithnjë e më e rrallë.
Po jetojmë në një epokë ku gjithçka relativizohet: vlerat, familja, lidhjet, sakrifica.
Gjithçka duhet të jetë e shpejtë, e lehtë, pa përgjegjësi.
Dashuria kërkon durim, kërkon respekt, kërkon të japësh pa llogari. Dhe pikërisht këto janë gjërat që sot po zhduken.
Njerëzit flasin për dashurinë nëpër fjalime, në rrjete sociale, në festa dhe në slogane.
Por në jetën reale e tradhtojnë çdo ditë: me indiferencë, me interes, me krenari boshe dhe me frikën për të dashur vërtet.
Sepse dashuria e vërtetë kërkon guxim.
Dhe guximi sot është bërë gjë e rrallë.
Prandaj vazhdoni të festoni progresin tuaj.
Vazhdoni të shpallni fitore morale dhe revolucione sociale.
Por ndërsa e bëni këtë, shikoni mirë përreth.
Sepse në heshtje, pa zhurmë dhe pa ceremoni, diçka shumë më e madhe po vdes.
Po vdes respekti.
Po vdes sakrifica.
Po vdes dashuria e vërtetë mes burrit dhe gruas.
Dhe kur një ditë të kuptoni se bota është bërë më e ftohtë, më e vetmuar dhe më e zbrazët, mos kërkoni fajtorë.
Shikoni në pasqyrë.
Sepse në epokën e egoizmit dhe të hipokrizisë kolektive, nuk e vrau askush dashurinë.
E vratë vetë.
