Munushtiri, dikur “bahçja” dhe “qilari” i Çorovodës, sot një fshat i kthyer në origjinë, në varfërinë e dikurshme

Munushtiri, dikur “bahçja” dhe “qilari” i Çorovodës, sot një fshat i kthyer në origjinë, në varfërinë e dikurshme

 Nga shkrimet më të pëlqyer të vitit 2023

 

Fshati Munushtir ndodhet pranë qytetit të Çorovodës, në perëndim të tij.

Munushtiri nga  ndryshimi dhe evoluimi linguistik që vjen nga një kohë e largët, vjen nga fjala Manastir.  Gërmime të mirëfillta arkeologjike, megjithse ka shumë shenja si copa enësh balte, qeramikë dhe gjetje rastësore objektesh zbukurimi,  asnjëherë nuk janë bërë të planifikuara se ku ka qenë vendndodhja e tij.

 

 

 

Lashtësi

 

Munushtiri është  pjesën jugore të Kalasë së Skraparit, më pak se 1000 metra në vijë ajrore larg saj, çka duhet të zgjojë interes për lidhjen që mund të ketë pasur mes kalasë dhe manastirit.

 

 

Banorët e vjetër mbajnë mend se  në njërën prej arave të këtij fshatit, me emrin “Luadh”, brenda një sipërfaqeje prej 100 m2, dikur ka ekzistuar një xhami. Kjo xhami  para se të adoptohej si e tillë me osmanizimin e vendit tonë, ka funksionuar si manastir.

 

 

Ky, sipas autorëve të lashtë bizantinë ka qenë manastiri i Shën Dhimitrit.

 

 

Pas shkatërrimit të xhamisë, ara është punuar vazhdimisht, dhe në të janë gjetur objekte arkeologjike të tilla si, një enë brenda së cilës ndodheshin një palë vëthë dhe disa monedha, të cilat sipas specialistëve  i përkasin periudhës veneciane. Vëthët e gjetur i kanë kaluar muzeut arkeologjik të rrethit të Skraparit.

 

 

Në pjesën juglindore të arës ndodhet një mur tarracimi, i ndërtuar me gurë të marrë nga shkatërrimi i monumentit në fjalë.

 

 

Mbi arë, në jug të saj dhe pranë rrugës së ashtuquajtur “Rruga e sipërme e fshatit”, është gjetur një enë e madhe prej qeramike.

 

 

Banorët tregojnë se mbi sipërfaqen e arës, e cila përdoret si tokë bujqësore, vazhdimisht dalin fragmente qeramike.

 

 

 

Munushtiri, kur ishte “Manastir”!…

 

Munushtiri, si të gjithë fshatrat e Skraparit, deri në vitet ’70 të shekullit të kaluar ka qenë një fshat i varfër. Kooperativa, që u krijua në vitin 1957, edhe pse qe me minuta pranë qytetit, e bëri edhe më të varfër.

 

 

Në vitet 1970, meqenëse qe afër qytetit, u kthye në fermë shtetërore, sektor i fermës së madhe të Çorovodës. Agronomët dhe specialistët  që  punonin në fermë panë se Munushtri kishte shumë rezerva dhe mundësi të pashfrytëzuara, që po të punohej kthehej në një vend shumë të begatë.

 

 

Mundësitë që “zbuluan” ata ishin: mikroklima e shkëlqyer. Fshati dhe arat periferike të tij shtriheshin në një shpat mali ku i rrihte dielli gjithë ditën. Dy kodra që zbrisnin deri në lumë, njëra në jug dhe tjetra në veri, e mbronin nga erërt e forta dhe të ftohta.

 

 

Pluse të tjera, veç mikroklimës ishte se Munushtiri, veç lumit, kishte disa burime uji nëpër fshat që përdoreshin edhe për vaditje. Munushtiri e kishte traditë punën, banorët e tij njihnin shumë mirë teknikat bujqësore, veçanërisht të kopshtarinë dhe pemtarinë. Përpos kësaj ata, duke qenë afër qytetit, njihnin edhe tregun, ku shisnin ndonjë tepëricë.

 

 

Shumë shpejt sektori fermës së Munushtirit u bë shumë rentabël, prodhimet e tij të perimeve, por veçanërisht të frutave dhe rrushit mbushën tregun e qytetit.

 

 

Duke qenë një vend ideal për frutikulturë, këtu u ngrit fidanishtja, e cila për pak vite jo vetëm plotësoi me fidana nevojat e rrethit, por prodhonte fidana edhe për rrethe të tjerë. Veç të tjerash, një meritë të veçantë në ngjizjen, rritjen dhe suksesisn e kësaj fidanishte kishte Mjeshtri Qazim Caka.

 

 

U krijuan blloqe pemësh, pjeshkësh dhe mollësh me një rendiment të lartë dhe një cilësi akoma më të lartë, aq sa Munushtiri u bë mburrja dhe krenaria e mikpritjes për autoritetet shtetrore lokale të kohës.

 

 

Shumë të deleguar, të huaj, miq e dashamirës që vinin në Skrapar, veç mikpritjes në qytet, planifikohej edhe një vizitë në Munushtir, si një “odë” tjetër pritjeje.

 

 

 

Munushtiri sot

 

Pas viteve ’90 si për tërë fshatrat e Shqipërisë, edhe për Munushtirin ndodhi ajo që ndodhi: pemëtoret u ndanë me rrënjë, vreshtat po ashtu, kanalet dhe pompat vaditëse u prishën, infrastrutura u grabit dhe u shkatërrua.

 

 

Sot, megjithëse ndërtimi i rrugës së re nacionale e afroi më shumë me qytetin, me një pedonale ku shetisin e argtohen qytetarët  e Çorovodës që vijnë derin në fund të fshatit dhe kthehen, koha dhe tranzicioni e largoi Munushtirin ekonomikisht, sociologjikisht, shpitërisht nga qyteti, duke e kthyer atë, fatkeqësisht, në origjinën e dikurshme të një fshati të humbur, të braktisur nga rinia, të plakur dhe të rrëgjuar.

 

Munushtiri është shembulli më tipik i absurdit shqiptar:

 

Qytetin e ka, rrugën e ka, ujin e ka, tokën e ka, krahët i ka, mendjen e ka…

…të gjitha i ka dhe asgjë nuk ka!…

Zylyftar Hoxha