Mustafa Bakiasi/ Ja pse Petro Marko thoshte se skraparllinjtë i kam miq historikë!…

Mustafa Bakiasi/ Ja pse Petro Marko thoshte se skraparllinjtë i kam miq historikë!…

 

 

Ishte muaji qershor i vitit 1964 kur për vizitë në shtëpi më erdhën Kahreman Ylli, Mane Nishova, profesor Mahir Domi dhe shkrimtari  Petro Marko.

 

 

Kushtet ku unë banoja ishin shumë të vështira sepse banoja në një dhomë.

 

Shkrimtari Petro Marko, ashtu i buzëqeshur,  mori fjalën:

“Të falenderoj shumë shoku Kahreman që më more në këtë vizitë në familjen e patriotit Muço Kapinova. Rreth këtij patrioti dhe për krahinën e Skraparit dua të shpreh disa kujtime”.

 

 

Dhe ai vazhdoi:

“Në vitin 1933 isha mësues në Dropull. Në një takim me Asim Vokshin më dha një fotografi të Muço Kapinovës me shokë që kishin dalë kur ishin emigrantë politikë në Selanik të Greqisë.

 

 

Për Muço Kapinovën kam lexuar në gazetën “Liria Kombëtare” dhe gazeta të tjera. Në biseda me shokë kam mësuar për një patriot antizogist me aktivitet të gjerë atdhetar në Skrapar dhe më gjerë.

 

 

Kur Ahmet Zogu në 1926 bëri një amnisti mashtruese, Muço Kapiova u kthye pranë familjes së tij në Kapinovë, por pas te muajsh, në gusht të atij viti, forca të shumta ushtarake e rrethuan në familjen e tij në fshatin Kapinovë, por ai luftoi trimërisht, nuk u dorëzua dhe u vra si burrat.

 

Nga ajo kohë e në vazhdim, isha shumë kurioz të dija më shumë për krahinën e Skraparit. Por, kur me Mane Nishovën shkuam në një “kurbet” në Luftën e Spanjës, Mania më foli gjerë për aktivitetin patriotik e atdhetar të popullit të Skraparit që nga periudha e Rilindjes e në vazhdim.

 

 

Më tregoi gjithashtu edhe për terrorin e Zogut ndaj kësaj krahine, për dënimet dhe internimet e patriotëve Sinan Ylli, Avni Kapinova, Pasho Hysi, etj. ku edhe vetë Mane Nishova ishte dënuar dy herë si antizogist.

 

 

Më vonë u njoha edhe me ju shoku Kahreman, me Tajar Grepckën e të tjerë.

 

 

Kur isha në Shkollën Pedagogjike në Tiranë djemtë më të mire ishin nga Skrapari dhe tani kam lidhje me ta.

 

 

Më vonë mu dha mundësia të punoj një muaj në Skrapar për romanin “Stina e armëve” ku për kapituj të tërë në atë libër unë kam pasur parasysh Skraparin. Gjatë atij muaji shkova në Potom, Cerovë, Radesh, Gjerbës dhe Çepan. Për herë të parë dola në televizor me regjizor Endri Kekon në Kulmak.

 

 

Ju skraparllinjtë keni fat që keni malin e Tomorrit. Tomorri është një obelisk kombëtar, ndoshta është kjo arsyeja që skraparllinjtë kanë një shpirt aq të ndjeshëm e janë aq patriotë. Veçanërisht gratë janë fisnike. Dëshira ime për Skraparin është të shkruaj më shumë edhe herë tjetër. Më falni që nga dëshira u zgjata shumë!…”

 

 

Vizita e këtyre personaliteteve në familjen time la mbresa dhe kujtime që janë raujtur tek unë edhe sot.

 

 

Me Petro Markon pata rastin edhe herë të tjera ta takoj në shtëpinë e Mane Nishovës, ku ata takoheshin shpesh si shokë të Luftës së Spanjës dhe më vonë në Lëvizjen Antifashiste Nacional çlirimtare dhe ndërtimin e vendit.

 

 

Petro Marko ishte një ndër shkrimtarët më të shquar që zë një vend të merituar në letërsinë shqipe. Ishte njeri kurajoz, por edhe kritik ndaj padrejtësive dhe shkelësve të ligjeve të kohës.