Mustafa Bakiasi: Vithkuqi në kujtimet e fëmijërisë sime

Mustafa Bakiasi: Vithkuqi në kujtimet e fëmijërisë sime

 

 Mustafa Bakiasi

 

Para Çlirimit, në Regjimin Zogist, zhvillimi i arsimit në rrethin e Skraparit ishte në gjendje të mjerueshme. Nga 100 fshatra që kish ky rreth, vetëm 13 kishin shkolla fillore. Me vështirësi munda të mbaroja 4 klasë në fshatin tim të lindjes, por dëshira ime dhe e familjes ishte te vazhdoja klasën e pestë.

 

 

Në shtator te vitit 1939 fillova klasën e pestë në Vithkuq, në gjirin e familjes së Traqi Panaritit, në lagjen Dukas. Miqësia jonë me këtë familje ishte e hershme, që kur ata banonin në Panarit para vitit 1912.

 

U gëzova që m’u plotësua dëshira për vazhdimin e shkollës, por kisha edhe shqetësimin që po largohesha nga familja e po shkoja në një vend ku nuk njihja asnjë bashkëmoshatar, nuk njihja zakonet etj. E kaluara kish lënë gjurmët e dallimit midis te krishterëve dhe myslimanëve, megjithëse në familjen tonë nuk ekzistonte ky dallim, sepse im atë, Muço Kapinova, kishte një rreth të gjerë me miq e shokë të krishterë në Opar, Vithkuq, Devoll e Korçë. Një pjesë e mirë e tyre iu gjendën pranë familjes sonë, kur ai u vra nga Regjimi i Zogut më 1926, madje disa prej tyre shkruajtën edhe në shtypin përparimtar të kohës, brenda e jashtë atdheut.

 

 

Këtë e dija dhe e gjeta ngrohtësinë, si në familjen e Traqi Panaritit dhe në familje të tjera patriote vithkuqare. Shpesh burra të moshuar, si Thomo Shore e të tjerë, deri edhe prifti i fshatit At Gjergj Deti, më afronin e më ledhatonin. Këta ishin miq të tim eti, Muços, i cili në vitin 1922 kish punuar si komandant i Xhandarmërisë në Vithkuq. Shpejt u afrova dhe u miqësova edhe me nxënësit në shkollë.

 

 

Vithkuqarët në përgjithësi ishin njerëz të kulturuar në raport me fshatra të tjera të thellësisë. Ata shquheshin si punëtorë, atdhetarë e patriotë. E kishin njohur me kohë kurbetin dhe reflektonin kulturë, miqësi, dashuri për dijen dhe arsimin. Hidrocentrali i parë në Shqipëri ishte ngritur atje, veç të tjerash, edhe me inisiativën e vithkuqarëve.Ai kishtë prurë jo vetëm dritën elektrike, por kishte avancuar edhe kulturën. Për herë të parë unë në Vithkuq dëgjova radion. Gjithashtu, ky vit i parë i shkollimit në Vithkuq më dha dije, arsim dhe kulturë qytetare në komunikim, në veshje, në ushqime dhe në jetesë familjare.

 

 

Shkolla, si ndërtesë dhe ambientet e saj përreth, pasqyronin kulturë. Ajo ishte ngritur kryesisht me kontributin financiar të vithkuqarëve arsimdashës. Ishte e pajisur me orendi mjaft komode për kohën. Atëhere kishte 4-5 arsimtarë dhe drejtor shkolle ishte Apostol Tanefi, i cili ishte njëherësh edhe kryetar i Partisë Fashiste për Vithkuqin.

 

 

Shkolla kishte edhe dy kabinete, një për djemtë dhe një për vajzat. Kabinetet ishin të pajisura me mjetet e nevojshme dhe skema grafike. Prodhimet e kopështit të shkollës vlerësoheshin me notë dhe të ardhurat prej tyre i kalonin Drejtorisë së Shkollës.

 

 

Në shkollë ishte vendosur edhe një orë mësimi në javë për të mësuar gjuhën Italiane (alfabetin), si dhe disa këngë të folklorit italian. Më aktiv në këtë drejtim ishte drejtori i shkollës, Apostol Tanefi, i cili synonte përmes tyre edhe popagandën fashiste. Ky drejtor, përpara mbarimit të vitit shkollor, na vuri kusht që të regjistroheshim për të shkuar balila për 2-3 muaj në Itali. Si dhe disa nga shokët e mi, edhe unë u regjistrova, por familja ime më ndaloi. Shkova të çregjistrohesha, por drejtori urdhëroi të më thyhej nota e sjelljes. Me përkrahjen e mësuesit patriot Misto Shurbi mora dëftesën dhe u largova menjëherë.

 

 

Gjatë atij viti shkollor, nepërmjet eskursioneve që shpesh organizonte shkolla, u njoha me mjaft monumente kulturore dhe historike të Vithkuqit, si kisha, manastire, vende historike etj. Gjithashtu kryem edhe një vizitë në qytetin e Korçës, ku vizituam Shkollën e Parë Shqipe, Monumentin e Ushtarit të Panjohur etj. Të gjitha këto lanë mbresa të pashlyera për gjithë jetën në kujtesën time.

 

***

Kishin kaluar shumë vite dhe shpesh mendoja ta vizitoja përsëri Vithkuqin. Dhe këtë e realizova në vitin 1997, kur isha kuadër oficer.

 

 

Çdo gjë kishte ndryshuar. Lufta kundër pushtuesve nazi-fashistë e pati dëmtuar rëndë Vithkuqin, i cili gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kish qënë një nga bazat më të rëndësishme të saj. Por virtutet e vithkuqarëve nuk kishin ndryshuar, përkundrazi ishin lartësuar mikpritja, bujaria, patriotizmi, dashuria për vendin e tyre, uniteti, vendosmëria, vetmohimi për rindërtimin e vendit dhe ruajtjen e përcjelljen e traditës kulturore.

 

 

Ndër figurat e vithkuqarëve trima dhe patriotë të viteve të Luftës Çlirimtare 1942-1943 më kanë lënë mbresa të veçanta dy shokët e nderuar Nasi Vithkuqi e Haxhi Çemerrica, ish-partizanë të Çetës Plakë të Skraparit, që kishin qënë disa herë në familjen tonë gjatë atyre viteve. Edhe pas Çlirimit i mikprisnim me dashuri e respekt. I paharruar mbetet sidomos një takim me ta pas 14 vjetësh gjatë një vizite në familje.

 

Këto vizita zënë një vend të veçantë në ditarin tim të kujtimeve. Kujtoj gjithashtu me mall një takim të ngrohtë disa vjet pas Çlirimit me Teton e Traqin.

 

 

Miqësia me familjen e Traqit, vajzat dhe djalin e tij, ruhet edhe në vazhdimësi. Sa ishte gjallë Traqi, bashkë me të shoqen vizituan familjen tonë dhe qëndruan dy ditë.

 

Rezervoj kujtimet dhe urimet më të mira për Vithkuqin dhe vithkuqarët.