Mustafa Molla: “Gurëve të Tomorricës”

Mustafa Molla: “Gurëve të Tomorricës”

 

Zylyftar Hoxha

 

Me mikun tim të vjetër, Mustafa Mollën*), jam njohur që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur unë punoja në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” dhe si telekronist i Televizionit Shqiptar, ndërsa ai agronom dhe kuadër në kooperativën bujqësore të Zhepës dhe të Dobrenjit.

 

 

Kur shkoja me shërbim andej, ai linte çdo punë dhe më shoqëronte kudo ku unë shkoja për të marrë të dhëna për shkrimet e mia, kujdesej për ushqimin dhe fjetjen time, duke ma lehtësuar shumë këtë pjesë që në shërbimet në fshatar ishte një siklet më vete.

 

Kur vinte në Çorovodë, si me Muçon, por edhe me të gjithë kolegët e tij që na sajdisnin kur vinim në zonat e tyre, si t’i binte rasti: kur ishim të ngeshëm, kthenim ndonjë gotë; kur kishim më pak kohë, pinim ndonjë kafe në këmbë dhe, kur ishim shumë të zënë, ia bënim që larg me dorë njëri-tjetrit.

 

 

Kështu “qetësonim ndërgjegjen” dhe “i shpërblenim” ne të qytetit të gjitha ato pritjet madhështore dhe sakrificat që bënim miqtë e shokët tanë kur vinim ne në fshat.

 

 

Pra ky ka qenë raporti im miqësor dhe shoqëror për më se 40 vjet me Mustafanë, një miqësi as shumë e nxehtë dhe e afërt, por edhe as edhe një marrëdhënie shoqërore dhe miqësore për t’u harruar.

 

 

Kur erdhi në Tiranë kisha pirë dy-tri herë kafe me të, dhe kaq. Nuk e dija se do të shkruhej diçka për të. Tani që e mora vesh që djali i tij, Ylli po grumbullon material për një libër për të, marr inat me veten time që jam treguar i pavëmendshëm dhe i pakujdesshëm që, lere më parë, por  të paktën, në ato kafe që kemi pirë këtu në Tiranë, të mos “qanim bashkë hallet e Shqipërisë”, por të qanim hallet tona, të kishim freskuar kujtimet e së kaluarës.

 

 

Po të kishim bërë këtë, duke biseduar për atë kohë, ca ai dhe ca unë, shënimet e mëposhtme do të ishin më të gjalla, më të freskëta, por do të na kujtoheshin edhe shumë të tjera që i kishim harruar. Nejse, s’duhet bërë pishman për atë që ikën se, sado ta vrasësh mendjen, ajo s’kthehet më.

 

 

Po si e kam njohur Mustafanë unë?

 

 

Ashtu si ai nxënësi i mirë që kalon nga një rresht në tjetrin, derisa zë vend në bankën e fundit për të mos rënë në sy, dhe që aty, edhe pse i di të gjitha ato që kërkon mësuesi, nuk e ngre dorën, edhe Mustafai, megjithëse ishte një nga specialistët dhe kuadrot më të zotë dhe më të aftë në rrethin e Skraparit, zgjodhi të punonte në fshatrat më të largëta të Tomorricës, në Gjerbës, Zhepë, Dobrenj e më së fundi në Tërrovë.

 

Me atë zgjedhje që bëri, duke u larguar për herë e më shumë nga qendra në periferi, madje në ekstrem të zonës, ai asnjëherë nuk priti dhe nuk e vrau mendjen se dikush do t’i shtinte dorën. Si duket mësuesit i kishin qëlluar të këqij, që s’dinin, s’donin apo që prisnin, që ai “të ngrinte dorën”, të kërkonte e t’u bëhej ferrë për të lëvizur, jo tutje, po tëhu, drejt qytetit.

 

 

Por, me atë karakter dhe me atë brumë që ishte formuar, ai më mirë bënte gjak gjuhën, se sa të lubitej për një detyrë dhe vend më të mirë, duke sakrifikuar kështu edhe perspektivën e fëmijëve të tij. Ai s’e hapi, qoftë edhe një herë gojën.

 

 

Dhe, asnjëherë nuk u bë pishman për këtë deri në vdekje, me ngushëllimin e madh dhe të vetëm, se fëmijët, edhe pse mes vështirësish, kishin mundur të gjenin veten, të bëheshin me shkollë, të pavarur dhe dinjitozë në jetë.

 

 

Nuk e di, por nuk gaboj të them se, si për Mustafanë, por edhe për shumë të tjerë kuadro dhe  intelektualë nga Tomorrica dhe Potomi ky ka qenë një fat i parashkruar. Në librin tim me shënime jete “Orakujt e harruar” në një vend kam shkruar: “Megjithëse krahina e Tomorricës shquhej për trimëri dhe burrëri dhe kishte mbajtur peshën luftës gjatë të gjitha periudhave historike, ishte fyes fakti që në administratën e rrethit kuadrot e zonës së Tomorricës numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Edhe këta, në rangje fare të ulëta. Tarafi e miqësia atëherë bënin mu…Çorovoda ishte mbushur me kuadro të luginës së Osumit. Aq sa nën zë këndohej një këngë alegorike “O kjo an’ e lumit, ka bilbila shumë”…

 

 

Por më e çuditshme ishte se edhe në të katër kooperativat e zonës së Tomorricës, kuadrot i kishin të ardhur e jo vendës. Natyrisht që njerëzve s’u vinte mirë dhe (gjithmonë nën zë) shpreheshin se djemtë e vajzat e tyre s’ishin budallenj, që vinin e i komandonin të tjerët”!

 

 

Kështu edhe Mustafai,  le që nuk e transferonin për më mirë, por edhe e linin nën komandën të tjerëve, më së shumti të pashkollë dhe injorantë klasikë.

 

Megjithatë ai ishte një komunist i vendosur, me tërë kuptimin e plotë të fjalës komunist, duke bërë pjesë në ata njerëz të ndërgjegjshëm që kishin besim të plotë te Partia e Punës dhe në emër të saj ata mund të bënin gjithçka kërkonte ajo, madje të sakrifikonin edhe jetën dhe familjen për të, po t’ua kërkonte nevoja.

 

 

Të tillë njerëz, edhe pse ishte sistemi i tillë, i gjithi i ideologjizuar dhe i njëmendësuar dhe presupozohej se të gjithë komunistët ishin njëlloj, që atëherë, por sidomos më vonë, koha vërtetoi se s’ishte kështu, shumë nga ata s’ishin siç paraqiteshin dhe zbuluan karakterin tyre të vërtetë, ndërsa një pjesë tjetër, ngelën ashtu siç ishin, siç thotë populli, “derëmbyllur”, idealistë të pandreqshëm dhe që vdiqën më këtë ideal.

 

 

Ata qenë maksimalisht, deri në sëmundje të ndershëm, të ndërgjegjshëm, të sinqertë. Dhe për t’u vënë një emër, do të thosha se ata ishin vetë koha e tyre, të pakonceptueshëm nga brezat e sotëm, madje edhe nga ata që do të vinë më pas.

 

 

I tillë ishte edhe Mustafa Molla.

 

 

I kam qenë mirënjohës Mustafajit, dhe këtë ia kam shprehur atij kushedi se sa të satën herë, sa ndoshta edhe e kam bezdisur, kur kam qenë redaktor dhe kryeredaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit”, për mbulimin “gjeografik” të gazetës.

 

Ai ishte korrespondent vulnetar jo vetëm për gazetën tonë në atë kohë, por edhe për shtypin, radion dhe Televizionin Shqiptar, ku shkruante vazhdimisht. Një pjesë të këtyre shkrimeve janë ribotuar, pas vdekjes, edhe në librin e tij “Gurët e Tomorricës”.

 

 

 

Nuk mund t’i mbyllnim këto shënime pa thënë edhe dy fjalë për djalin e tij, Ylli Molla, që vazhdoi rrugën dhe pasionin e të atit përsa i përket krijimtarisë letrare dhe publicistike.

 

 

 

Ylli, pas viteve ’90, ka qenë kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare si dhe ka botuar disa libra publicistikë. Aktualisht është drejtuesi i shtëpisë botuese “BoArt”, një nga entet botuese më serioze dhe më cilësore në Shqipëri.

 

 

 

 

Shënim:

 

Ky shkrim është përfishirë në librin “Gurët e Tomorricës” të autorit Mustafa Molla