Mustafa Spathara, besnik i uniformës në të gjithë sistemet dhe qeveritë
Në cilësinë e përfaqësuesit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në mars të vitit 1914 mori në dorëzim qytetin e Korçës derisa erdhën ndërkombëtarët
Zylyftar Hoxha
Mustafa Spathara (Zylyftari) është shembulli më tipik i një oficeri karriere që iu bind ligjeve, rregullave dhe detyrës në përgjithësi dhe vetëm atyre. Ai, duke kaluar në disa regjime e qeveri, turke para 1912-ës, në Qeverinë e Ismail Qemalit, në qeverinë e Princ Vidit për vendosjen dhe mbrojtjen e kufijve Juglindorë nga greku, në Republikën Franceze të Korçës, në Kongresin e Lushnjës dhe së fundi në atë të Zogut, dëshmoi korrektësinë e tij dhe prerjen prej një ushtaraku të lindur, që s’bëri ujdi dhe kompromise me asnjë vijë a formacion politik, por që kreu me përkushtim vetëm atë që i takonte nga detyra.
Si duket këto cilësi i kanë rënë në sy edhe Komisionit Ndërkombëtar të Vendosjes së Kufijve më 1913 që e bëri pjesë të tij, jo vetëm për sigurinë e delegacionit, por edhe në çështje të vendimeve që merreshin.
Mustafai kishte lindur në Spatharë të Skraparit më 20 janar 1875. Prindërit e lanë jetim që të vogël. I mbetur pa njeri, i hedh dorën një xhaxhai i tij, i cili e mori në Stamboll dhe e shkolloi shkallë-shkallë deri sa mbaroi akademinë ushtarake “Ergani Hak” me medalje të artë.
Pas mbarimit të shkollës emërohet në Manastir për disa vjet. Krahas detyrave ai ka vazhduar studimet në Shkollën Ushtarake në Itali, në Akademinë Ushtarake të Torinos, të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e këmbësorisë. Një vit më vonë fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në Gratz të Austrisë për degën e prapavijës, të cilën e mbaroi në qershorin e vitit 1935.
Kush ka lexuar me vëmendje historinë tonë kombëtare, ka parë se Manastiri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë ka qenë qendra më e zjarrtë e lëvizjes xhonturke, e Rilindjes sonë Kombëtare dhe një nyje lidhëse për të gjitha kolonitë shqiptare jashtë atdheut.
Në vitin 1908 ai u bë edhe qendra e kulturës, ku u mbajt Kongresi i Alfabetit Shqip. Pikërisht në këto vite ka qenë aty edhe Mustafa Spathara me njohje të mëdha, me miq e shokë patriotë si Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, Sali Butka, Kajo Babieni etj.
Ai u lidh me dyer të mëdha, bashkëshorten e mori nga një familje të njohur nga Kërçova. Vajzën madhe e martoi me Sulejman Vuçiternën, patriotin e shquar për bëmat e tij, ndërsa vajzën e dytë me djalin e Refik bej Toptanit, Pellash Toptanin. Në Manastir dhe Kërçovë ai shërbeu si oficer me uniformën turke. Ndërsa si oficer shqiptar ai shërben në Korçë, Tiranë, Berat, Vlorë, Elbasan, Pogradec, Mallakastër, Durrës dhe Krujë. Vdiq në Shkodër në vitin 1938.
Por segmenti historik që e bëri të njohur Mustafa Spatharën, është viti 1913, kur ai merr pjesë në Komisionin Ndërkombëtar të Vendosjes së Kufijve si përfaqësues i Shqipërisë. Me punën, sjelljet dhe ndërhyrjet e tij të drejta, ai fitoi simpatinë e këtij komisioni.
Aq e vërtetë është kjo, sa Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në mars të vitit 1914, me ndërhyrjen e mikut të patriotit Kristo Dako, përfaqësuesit amerikan në konferencë, Çarls R. Krejn, pas presioneve të mëdha nga populli, vendosi që Korça të lirohej nga grekët dhe qytetin ta merrte në dorëzim me cilësinë e përfaqësuesit ndërkombëtar i besuari i tyre, major Mustafa Spathara. “Mos harxhoni më para për letra e telegrame, i shkruan një ditë para dorëzimit Krejn Kristo Dakos, Korça dhe Gjirokastra janë tuajat…”.
Më 2 mars 1914, në orën 3 pas dite, autoritet shqiptare me në krye major Mustafa Spatharën dhe kapiten Gjilardin hynë në Korçë dhe morën në dorëzim nga guvernatori grek Kondulis qytetin, ku u nënshkrua edhe protokolli përkatës. Më 3 mars 1914 mbërritën në Korçë edhe oficerët holandezë, majori Snellen dhe kapiteni Dorman, të dërguar të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për të organizuar xhandarmërinë në këtë rreth.
Puna e parë që bëri major Mustafa Spathara më 4 mars, pasi mori në dorë qytetin, ishte formimi i një pleqësie qeveritare me 12 përfaqësues. Ai thirri Kristo Dakon, që kishte ardhur atë ditë i gëzuar nga lajmi i mirë që kish marrë nga Manastiri, për ta bërë këshilltar të parë, detyrë të cilën Kristua e pranoi me kënaqësi. Pasi mbaruan punët e para, përfaqësuesit e huaj me qeverinë vendore bënë përgatitjet për ardhjen e Princ Vidit.
Këtu, pas disa javësh, mbaron dhe detyra e major Mustafa Spatharës, i cili shkoi përsëri në front, në Kolonjë, ku kishte ende mbeturina të forcave greke. Kjo qe një periudhë fare e shkurtër, por tepër e rëndësishme, që e vendosi Mustafa Spatharën në faqet e historisë së Shqipërisë si një figurë modeste, por të ndritur e faqebardhë.
Por, ashtu si dhe figura të tjera historike, ai pati fatin e keq të mos vlerësohet dhe të harrohet gjithë ai kontribut që kishte dhënë në dobi të atdheut. “Arsyeja” ishte se e bija e tij, Faiká Spatha, u martua me Sulejman Vuçiternën (me të cilën pati katër djem e një vajzë), edhe ky një patriot i pafat, që mesnatën e 14 nëntorit 1945, skuadrat speciale të partizanëve e arrestuan kolonel Sulejman Vuçitërnën, duke e justifikuar marrjen e tij para familjes gjoja se po e marrin “vetëm sa për t’u sqaruar në komandë”…
Dhe pas këtij “sqarimi”, atdhetari Sulejman Vuçitërna nuk i shpëtoi dot gjyqit ushtarak, torturave të vazhdueshme në hetuesi, më vonë burgut, internimit e pastaj vdekjes në kënetën e Vloçishtit në Maliq, ku pas torturave nga më çnjerëzoret në hetuesi dhe vuajtjeve nga më mizoret të punës së rëndë fizike, u detyrua të priste me bel gishtat e këmbës dhe të mbaronte tragjikisht nga hemorragjia në atë kamp varr.
Me 15 tetor 1948, duke e dërguar gjoja për ndihmë mjekësore, e zhdukën dhe, edhe sot nuk i dihet varri. Pas likuidimit, familja e tij u internua dhe u torturua nga organet e Sigurimit.
Karriera
- Oficer në qeverinë Turke, në Manastir e Korçë, ku bëhet pjesë e lëvizjes xhonturke 1908 – 1912
- Oficer i lartë në Qeverinë e Ismail Qemalit, 1912
- Oficer i lartë në qeverinë e Princ Vidit, 1913
- Pjesë e mbrojtjes dhe e shoqërimit të Komisionit Ndërkombëtar të Vendosjes së Kufijve, më 1913
- Kryeadministrator i Korçës, pas largimit të grekëve, deri sa erdhën misionarët holandezë në mars 1914
- Përfaqësues shqiptar në Republikën Franceze të Korçës, 1916
- Në mbrojtje të Kongresin e Lushnjës dhe i ngarkuar me funksione ushtarake nga ky kongres
- Ushtarak i lartë në qeverinë Zogut dhe në atë të Nolit në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare