Myrto Qafa, patriot nacionalist, por, fatkeqësisht, kontributi dhe veprimtaria e tij atdhetare nuk u kuptua kurrë!…

Myrto Qafa, patriot nacionalist, por, fatkeqësisht, kontributi dhe veprimtaria e tij atdhetare nuk u kuptua kurrë!…

 

Qerim Hysenbegasi

 

 

Pranvera, e bija e Myrto Qafës, kujton:

 

– Në takim me Myrto Qafën,- thirri tellalli i burgut.  Ne u afruam… Pas hekurave të rëndë pashë atë që s’e kisha parë  kurrë, tim atë. Nën shtysën  e një ndjesie  që s’e pata provuar  ndonjëherë, u lëshova drejt tij. Desha t’i hidhesha  në krah,  ta përqafoja  e ta puthja  fort,  por … hekurat. Zgjata duart përtej tyre, mbështeta ballin mbi ta. Ai m’u afrua, u përkul mbi gjunjë, m’i kapi duart, m’i puthi fort, më  ledhatoi ballin dhe flokët, pastaj më pyeti:

 

“Sa vjeç je, moj xhane?”.

Unë shtriva pëllëmbën për t’i thënë, pesë.

“Si ta kanë vënë emrin?”

“Pranvera”.

“Kush ta ka vënë këtë emër të bukur?”

“Babuli”, ia pata  njëherëz.

“Bravoo!”

 

 

Si bisedoi edhe pak me xhaxhanë edhe nënën, u dëgjua  zëri i policit:

 

“Takimi mbaroi”!…

 

 

U larguam… Që prej asaj dite s’më hiqej  sysh, kudo më delte përpara  me kokën e qethur, me rrobat  e burgut, me  nallanet në këmbë,  me hekurat e  policin  midis nesh.

 

Çdo natë pyesja gjyshen, xhaxhallarët, nënën, vëllezërit:

 

“Kur do të vijë Babuli?

 

Përgjigjja e ngatërruar:

 

“Për dy javë… Për dy muaj…”.

 

Pyeta kështu derisa e kuptova se s’duhej të pyesja më…

 

 

Qerimi, Pranvera dhe vajza e tyre

 

***

 

 

Cili ishte dhe ç’bëri ai? A e meritoi atë që vuajti?

 

Lindi në Qafë të Skraparit në qershor  1905. Zbret në Berat familjarisht  më 1914. Sapo ka kryer  studimet e shkollës së mesme, inkuadrohet  në radhët e xhandarmërisë dhe specializohet  në shkollën e saj, që e drejtonin  instruktorët  anglezë në Tiranë. Fiton gradën  marshall dhe emërohet postkomandant  në qarkun e Beratit. Bën emër  si njeri i drejtë, korrekt dhe i pakompromentueshëm.

 

Të gjithë e thërrisnin  me respekt  e dashamirësi  “marshall Myrto”.

 

 

Ky emër e shoqëroi  gjatë.

 

 

Ishte mik i ngushtë i Riza Cerovës, krah i djathtë  i inteligjencës  dhe i parisë nacionaliste të vendit.  Pas dështimit  të Lëvizjes së Fierit, viti 1935, Zogu, nën rrugë e mbi rrugë, ku hapur  e ku fshehur, ku me ligj e ku pa ligj, filloi të  lante “hesapet” me kundërshtarët e tij. Edhe Berati s’bëri përjashtim nga këto plane.

 

 

Në pranverë të vitit 1936 disa forca “incognito”, rrethuan lokalin e Burhan  Rulit, që ndodhej nën bashkinë   e asaj kohe. Kërkonin t’u jepnin një “mësim të mirë” kundërshtarëve të mbretit.

 

Gjithçka kishte përfunduar.

 

Rrethimi ishte kryer plotësisht.

 

 

Arifi dhe Myrtoja

 

“Zotërinjtë” ishin mirinformuar  për gjithçka. Të gjithë ata që kërkoheshin (Xhevdet Mehqemeja, Neki Ruli, Zarif Haznedari, Neki Starova etj.), ishin brenda…

Nga çasti në çast  pritej të ndodhte ajo  që s’duhej, katrahura…

Ndërkohë sinjalizohet Myrtoja. Me shpejtësinë që e karakterizonte në krye të trimave që e shoqëronin, arrin atje… Në mënyrë të fshehtë e të  rrufeshme i bën rrethim të dytë lokalit dhe si sigurohet  se këmbë njeriu s’delte gjallë prej andej, thërret:

 

 

– Zotërinj, jini të rrethuar, mos u mundoni të kryeni asnjë veprim, asnjë  lëvizje, çdo tentativë e dyshimtë paguhet me kokë!

 

 

– Jena forcët e xhandarmërisë mbretnore, – ushtoi nga brenda  zëri i komandantit brigant, një farë  Dodeje.

 

– Zotërinj,  komandant e zot vendi jemi ne e vetëm ne. S’kemi dijeni për vizitën tuaj të papritur, prandaj largoni forcat, lironi lokalin, ndryshe  asnjë nga ju s’do të kursejmë!

 

 

Ndërkaq u ngrit në këmbë, u thirri djemve:

 

– Gati, trima!

 

 

U drejtua drejt lokalit me revolver në dorë, u gjend përballë komandantit Dodë dhe i tha:

 

– Jepni urdhërin që  ju thashë, ose ju hodha trutë në erë!

 

– Qe besa , po mos na  korisni  e mos na prisni në besë!

 

– S’i kemi zakon ato punë, mos u frikësoni. Sa për besën e keni shkelur  ju të parët.

 

 

Forcat u larguan.

 

 

Jeta,  nderi i inteligjencës dhe i nacionalistëve beratas s’u prek.

 

 

Ai s’mori parasysh se ç’mund  ta priste pas asaj që ndodhi… Dhe… për çudi, s’ndodhi  asgjë… Përkundrazi duke parë tek  Myrtoja ushtarakun trim e burrin fisnik; pas  disa kohësh e nsiën atë për të kryer  studimet në shkollën e Xhandarmërisë në Romë.

 

 

Laurohet shkëlqyeshëm, fiton gradën kapiten dhe emërohet komandant xhandarmërie në Bilisht, Korçë, Berat, Fier, Pogradec.

 

 

Më 5 prill 1939 i drejtohet prefektit, Qazim  Bodinaku, për të  pajisur me armë popullin e Beratit.

Me pushtimin  fashist e pezullojnë disa kohë nga puna. Komandanti i xhandarmërisë së qarkut,  Mahmut Golemi, duke parë se rendi e qetësia me largimin e Myrtos po shkonte përherë e më keq, e rimerr dhe e emëron komandant xhandarmërie në Berat.

 

Bashkë me të qytetit iu  kthye qetësia si dikur.

 

 

Me fillimin  e Lëvizjes Antifashiste ndërmerr një aksion tejet të vështirë, ruan rininë beratase nga arrestimet e karabinierisë  italiane. Këtë e dëshmojnë familjet  beratase që patën djemtë në rrezik, si Koxhakët, Stamot, Laçkat etj. Së bashku me Mahmut Golemin merr përsipër sigurimin e jetës së nacionalsitëve të nderuar Mithat Frashëri dhe Hasan Dosti, kur atyre u duhej të kalonin dhe të punonin në qarkun e Beratit.

 

 

Rexhepi me bashkëshorten, Sanien

 

Sipas dokuemnteve dhe dëshmive të gjalla, ai ndoqi këmba-këmbës  kriminelin Isa Toska. Kur forcat e karabinierisë zbuluan dhe ndoqën Kahreman Yllin, ky i fundit hyri në xhandarmëri, drejt në zyrën e Myrtos. I ndodhur në situatë të tillë e fut Kahremanin në arkivin e tij.

 

U përgjigjet karabinierëve “Qui non c’e nessuno straniero, sono solo io”. (Këtu nuk ka të huaj, jam vetëm unë). Karabinierët, edhe pse e kishin parë që ishte futur atje, u larguan.

 

 

Në 15 maj 1943, guerrilet partizane ekzekutuan spiunin  e SIM-it, drejtorin e bankës italiane në Berat. Ata ishin tre. Dy prej tyre u nisën  në drejtim të Urës së Goricës, njeri prej të cilëve, u vra nga karabinieria italiane, i dyti shpëtoi.

 

 

Atentatori i tretë, z. Muhedin Axhemi me revolver në dorë, mori  rrugën për lart.

 

 

Tek është sot kafja e  Dardhës i del përpara  Myrtoja.

 

– Ndal, ku shkon?

 

– Z. Marshall ne vramë drejtorin e bankës.

 

– Mirë, fute revolverin në brez dhe nisu për në ullishte.

 

 

Ashtu ndodhi. Muhedin Axhemi i shpëtoi vdekjes së sigurt.

 

 

Ai e mbajt mend dhe e tregoi këtë ndodhi.

 

 

Kur trupat gjermane pushtuan Beratin, ai filloi të luajë sërish me fatin  e tij e të familjes. Tek plepat, në lagjen  “Murat Çelepi” gjermanët  kishin grumbulluar 600 qytetarë që i kishin marrë si peng.  Kryesisht ishin të rinj dhe do të niseshin, sipas strategjisë gjermane, në Mathauzen, Dakhau, Majdanek, Prishtinë e gjetkë.

 

 

Myrto Qafa, Enver Vrioni dhe nacionalsitë të tjerë në krye  të forcave që komandonin, iu bënë rrethim të dytë trupave  gjermane dhe i detyrojnë forcërisht të lirojnë 600 pengjet e marrë. Nën një presion të tillë lirohen edhe pengje të tjerë të grumbulluar në fushën e aviacionit.

 

 

Djemtë e Rexhepit, Baardhyli, Tomorri dhe Engjëlli

 

Pikërisht se ishte ky, njeri me emër, me nder, një kuadër i përgatitur, një ushtarak i lindur, një nacionalist   i nderuar, një model i përkryer i trimërisë së mençur, për të gjitha këto duhej arrestuar, duhej ekzekutuar. Bashkë me të  të varroseshin emri dhe meritat e tij. Ky ishte vendimi i hidrës së kuqe, por verdikti  i popullit të Beratit, zëri i nënave qytetare, tha jo, pafajësi.

 

 

Iu fal jeta…

 

Falje pas faljesh, kur unë shkoja drejt të trembëdhejtave, ai erdhi.

 

S’di si ta përshkruaj ngrohtësinë e asaj dite, por them se s’kam provuar gëzim më të madh në jetë. Edhe pse ndënji 13 vjet në burg, edhe pse  kishte mall për gjithçka, në fillim  delte rrallë. Kurrë vetëm. Përherë midis vëllezërve  që s’iu ndanë për asnjë çast. Kudo e kurdoherë të tre bashkë. Një treshe e veçantë, e rrallë, e nderuar.

 

 

Ai ishte, mbeti dhe vdiq ushtarak i rrallë dhe nacionalist i nderuar, s’u përkul dhe s’u ligështua asnjëherë. Përherë armik i betuar i komunizmit, parandjeu rënimin e tij.

 

 

“Do t’ia shihni  fundin  Jovanës së Napolit” (kështu e thërriste Enveri), do t’ia shihni, por s’di  a do të jem unë”.

 

Dhe ashtu ndodhi. Por ai dhe të tjerë si ai s’patën fatin e mirë ta shihnin.

 

 

Le të jenë  këto rreshta një homazh për të dhe për shokët e tij.