Myzalien Hoxha (Vokopola): Metafora, produkt mençurie, ja si zbukurohet fjala nëpërmjet saj…  

Myzalien Hoxha (Vokopola): Metafora, produkt mençurie, ja si zbukurohet fjala nëpërmjet saj…  

 

Një metaforë është një figurë e të folurit që përshkruan një veprim në një mënyrë që nuk është fjalë për fjalë e vërtetë, por ndihmon në shpjegimin e një ideje nëpërmjet krahasimit. Një krahasim i nënkuptuar, por i plotë me përngjasimin.

 

 

Një metaforë barazon dy gjëra jo sepse ato në të vërtetë janë të njëjta, por për hir të krahasimit apo simbolizimit të tyre. Pra përdorimi i një fjale apo shprehjeje me kuptim të figurshëm, nëpërmjet krahasimit dhe sipas ngjashmërisë është metafora, si figurë letrare.

 

 

Metafora si një figure letrare bën krahasimin midis dy gjërave jo të ngjashme. Si një mjet letrar, metafora krijon krahasime të nënkuptuara pa përdorimin e shprehur të “si-së”. Ajo është një mjet për të pohuar se dy gjëra janë të njëjta në krahasim dhe jo thjesht të ngjashme. Kjo është e dobishme në letërsi për përdorimin e imazheve dhe koncepteve përveçuese për të shprehur të vërteta abstrakte.

 

 

Kur kalohet “masa” e përdorimit të saj, metafora kthehet në metaforeskë që e terratis mendimin dhe ndjenjën poetike dhe prozaike. Metaforeskat e bëjnë shumë hermetike një krijimtari letrare, dhe si e tillë, të pavlerë atë.

 

 

Një nga metaforat më të famshme në historinë e letërsisë është ajo e shkruar nga Ëilliam Shakespeare tek drama romantike e tij “Romeo dhe Zhuljeta”: “Çfarë dritash nëpër dritare thyen? Është Lindja, dhe Zhulieta, dielli!”.

 

 

Në këtë metaforë, Zhulieta krahasohet me diellin. Në fakt, kjo figurë e fjalës pretendon se Zhulieta është dielli. Sigurisht, lexuesi e kupton që Romeo nuk beson se Zhulieta është fjalë për fjalë dielli. Në vend të kësaj, krahasimi shpreh idenë se Romeo e barazon Zhulietën me bukurinë, frikën dhe forcën jetëdhënëse të diellit. Për Romeon, simbolikisht, Zhulieta dhe dielli janë të njëjtë.

 

 

Metafora u jep bukurinë dhe kuptimin bisedave dhe shkrimeve letrare. Poezia dhe proza e kanë hukamë të tyre metaforën. Kjo figurë e të folurit shpreh ngjyrimin e thellë të mendimit dhe ndjenjën e hollë e të bukur të qenies njerëzore.

 

Myzalien Hoxha (Vokopola)

Poet dhe eseist