Myzaljen Hoxha: “Syri i Zi” i Vokopolёs

Myzaljen Hoxha: “Syri i Zi” i Vokopolёs

 Të njohim mrekullitë turistike të trevës sonë 

 

 

 

 

Myzaljen Hoxha

Eseist, politolog

 

 

 

 

Syri i Zi, emri artror i Ujit të Zi, është një vend turistik shumë i bukur që ndodhet pranë Urës me Tre Harqe, monument kulture në luginën e Vokopolës. Në Ujtë e Zi, nga një burim i zi dhe i stërmadh del një ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit uji merr ngjyrën e zezë nën rrezet e diellit dhe hijes së shelgjeve me degët e tyre të varura dhe të kredhura në ujin e tij.

 

Syri i Zi ka formë rrethore e ngjashme me formën e një syri të zi, që shpërthen nga toka i errët në mes dhe i zi anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 55 m thellësi. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm dhe të harlisur.

 

Ai shton ujrat e i lumit të Vokopolës, që përshkon tërë luginën dhe bashkohet në Valë me Osumin e kanioneve të bukura, ashtu sikurse ka dhe vetë. I ngjan një syri të madh rrumbullak me diametër afro 5 metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart duke gurgulluar me ngjyrë të zezë.

Bukuria shtohet nga gjelbërimi që shkrihet në ujërat që rrjedhin drejt poshtë tij në lumin e Vokopolës. Syri i zi ka një pastërti ujërash dhe kthjelltësi marramendëse.

 

Rruga gjarpëruese e makinës, paralel me rrjedhën e lumit të çon tek burimi i madh i Ujët të Zi. Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme. Kënga e zogjve, aromat e gjelbërimit dhe fëshfërima e shelgjeve mbeten grishëse.

 

Karakterin turistik të tij e forcon dhe Ura Mesjetare e Vokopolës, monoment kulture, që kanë një afërsi prej 50 m.

 

Klima e veçantë e bën të kërkuar burimin me prurjen nga nëntoka. Një habitat i pasur zogjsh e insektesh, që rendin mbi petalet e luleve, ndalen në gjethet e shelgjeve dhe vazhdojnë vallen marramendëse në ajër.

Udhëtarët, banorët e trevës dhe mysafirët historikisht janë përhapur në shtigjet e gjelbërta, drejt burimit magjik, bashkë me gurgullimën e ujërave që shprishin qetësinë me zërat e njerëzve.

 

Për “Syrin e Zi”, ka në rrjedhën e kohës rrëfime për një bashkë leshi deleje i hedhur në një guvë të Kalasë së Vokopolës, lart në mal dhe ka dalë në Ujët e Zi.

 

Sipas legjendës, një kuçedër që ushqehej me bagëti, i rrëmbente ato dhe futej në përrojin e nëndheshëm dhe dilte e shuante etjen në ujtë e zi, që figurativisht thirret dhe Syri i Zi. Kuçedra herë – herë ndalte dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve të Vokopolës.

 

Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i zi i kuçedrës buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në lumin e Vokopolës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca, dhe duke dhënë më tej sot dritën me hidrocentralet Vokopola 1, 2, 3 që do të ndriçojnë fshatrat dhe qytetet e Poliçanit dhe të Beratit.

Një rrëfenjë që simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës, por edhe varësinë e tij prej natyrës. “Ne nisi parendo vincitor” (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë filozofi anglez Francis Bekoni për natyrën.

 

Syri i Zi është një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj.

 

Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen shelgjet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithçka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për t’i qëndruar pranë.

 

Qysh nga fillimi i shekullit 19-të dhe deri në vitet 30-të të shekullit 20-të, aty ka qënë i ngritur një han i madh, që bujtënin karvanet tregëtare që lëviznin nga Shqipëria e Mesme për në Greqi. Në hartën austriake të vitit 1900, si toponimi “Uji i Zi” dhe hani i “Ujit të Zi” janë të hartografuar dhe na kujtojnë egzistencën e tyre në kohërat e herëshme.

 

Natyra e bukur, qetësia e saj dhe mikëpritja e vokopolarëve, me traditën e fjalës së mënçur dhe të mirë të të ushqyerit, e detyrojnë mysafirin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore.

 

Ja, atje tej, tek “këmbët” e atyre dy pemëve të larta, njëra pak më e blertë se tjetra, imazh i krijuar nga drita, del nga shkëmbi, gurgullon dhe merrë udhë drejt Osumit, e bashkë me të në det, ” Syri i Zi ” i ujit të kristaltë dhe të praaruar i Vokopolës.

 

Duket sikur zbret “serbes – serbes” nga Ura e Gurtë Mesjetare, kur ne qysh nga fëmijëria, breza të tërë, kur ndjellim kujtime dhe mall për vëndlindjen tonë të dashur, i freskojmë ato me atë “Ujë të dëlirtë të Ujit të Zi” dhe i ngjisim e i zbresim mbi atë hark të kalldrëmtë të Urës Mesjetare me tre harqe të Vokopolës, monument kulture kombëtare.

Pastaj shkonim e rehatoheshim në vatrat e ngrohta e të dashura të kuvendimeve familjare të fjalës së mënçur e të ëmbël, të “shijuara” me pastërma, mish dhe gjellëra të lezetosura me narden, byrek, lakror me koçkulla, turshi, speca të prehura në gjizë dhe djath.

 

Me erëmimin e rakisë së rrushit dhe vajit të ullirit, rehani, bakllava, kabuni, arrë, bajame, mollë, ftonj, shegë, fiq dhe bukëfiqe.

 

Me rrëfenja të shtruara e të ngrohta për historinë mesjetare dhe moderne të Vokopolës, të magjisë së kumbimit të tingullit të zërit të këngës dhe të bukurisë së valles dyshe të lakimeve fluturore, në shtëpitë tona vokopolare.