Naim Zoto: Do të pi një raki, sa të dehet vetë Rakia
– Kushtuar Dritero Agollit –
Si duket autori i librit “Njerëzit e krisur të Dritero Agollit”, profesor Shaban Sinani, redaktori, konsulentët dhe botuesi kanë rënë në një mendje që, në hyrje të librit të vendoset kjo poezi e gazetarit, shkrimtarit, poetit dhe botuesit të njohur, Naim Zoto, nxjerrë nga vëllimi i tij poetik “Kanion”, Tiranë 2005.
Besojmë se nuk bëjmë keq, që po e sjellim edhe ne këtë poezi kaq të vlerësuar për lexuesit dhe ndjekësit e “Orakujve të Tomorrit”
D r i t e r o i
Do të pi një raki mani të zier tri herë,
deri sa të dehet vetë Rakia.
Do t’ia marr një kënge të shtruar,
iso të mbajë vetë Kënga.
Do të kërcej një valle, valle të çmendur,
sa të marroset vetë Vallja.
Do tregoj ca histori të vërteta,
sa të çuditet e Vërteta dhe vetë Historia.
Do të shkoj të hap vetë një gropë,
gropën e shkretë ku mbin Bari.
Aty do të shkruaj një vjershë për lugatin,
të trembet Lugati e Varri.
Pastaj do të ndez qiririn e shkretë,
flakën e përhershme njerëzia të shohë.
Të thonë miq e shokë, kur të kalojnë andej,
ende paska Dritë, Dritero!
Kanion, Tiranë 2005