Ndahet nga jeta Baba Hekuran Nikollari, Babai “rrebel”, por, çuditërisht, edhe më i dashuri dhe më popullori i bektashinjve shqiptarë

Ndahet nga jeta Baba Hekuran Nikollari, Babai “rrebel”, por, çuditërisht, edhe më i dashuri dhe më popullori i bektashinjve shqiptarë

 

Në faqen kryesore të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, me hidhërim të thellë, njofton gjithë besimtarët, klerikët bektashianë e dashamirësit të kudondodhur, se më datën 3 shkurt 2025, në teqenë e Alipostivanit-Përmet, kaloi nga jeta baba Hekuran Nikollari.

 

 

Baba Hekuran Nikollari, u lind më 7 shtator 1963, në Seniçan të Përmetit. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan. Më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënje, por pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit.

 

 

Në vijimësi ka punuar në Ndërmarrjen e Bonifikimit në Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë dhe në Shfrytëzim-Përpunimin e Drurit të Përmetit. Në vitin 1992, emigroi në Greqi, ku punoi në punë të ndryshme në Trikalla, në Athinë, në Lamia, në ishullin Kolkidha dhe në Larisa.

 

 

Në vitin 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare e bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut, të Alipostivanit.

 

 

Në Seniçan rindërtoi Mekamin, në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili sot quhet “I miri i Nakove”.

 

 

Më 22 mars 2001, ai shkoi në Alipostivan. Teqja ishte e shkatërruar në vitin 1967. U mbështet tek familja e Refat Hasimit, familje me tradita atdhetare. Me Refatin, me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën në fillim tyrben e Baba Ali Horasanit. Për këtë pati bekimin dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi.

 

 

Më 04 prill 2002, pasi qëndroi pak kohë, pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut dhe u emërua dervish, në teqenë e Ali Horasanit të Alipostivanit, në Përmet.

 

 

Në vitet 2007-2009, baba Hekurani emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti, duke ruajtur origjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme, e cila sot është një mrekulli e vërtetë.

 

 

Disa vite, baba Hekurani, bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Hekuran Fejzo Nikollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’ dhe u emërua baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit.

 

 

Baba Hekurani i teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyllte me fjalët “Rroftë Shqipëria”!

 

 

Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit; Titulli “Nderi i Frashërit”, nga Këshilli i Komunës së Frashërit (Vendimi Nr. 19 datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”.

 

 

Me punën e tij të palodhur drejtoi më së miri teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe bëri përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferit në Përmet.

 

 

Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve të Përmetit e më gjerë.

 

 

Ai ka bërë identifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të mira në Përmet, ngriti nga themelet teqenë e Cfratit në Bual të Përmetit me një tyrbe të mrekullueshme.

 

 

Puna e tij është një kontribut i veçantë për bektashizmin.

 

 

 

Paqe e Qetësi Xheneti për Të!