Ndahet nga jeta Izet Dashi

Ndahet nga jeta Izet Dashi

Është ndarë sot nga jeta, Izet Dashi, veteran, Hero i Punës Socialiste, një person publik, i njohur si kuadër i aftë dhe i zoti në drejtimin e disa ekonomive bujqësore në Skrapar.

 

Izet Dashi lindi në Zabërzan të Skraparit, më 18 janar 1936, në familjen e madhe dhe të njohur të Hamit Zabërzanit, një familje e njohur me tradita atdhetare, aktive në disa periudha historike, veçanërisht gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Këtë zë dhe këtë emër kjo familje e ka ruajtur edhe me brezat e mëvonshëm. Shtatë vëllezërit dhe dy motrat e Izret Dashit kanë qenë njerëz të arsimuar, energjikë, punëtorë dhe organizatorë të njohur, duke ua transmetuar këto cilësi edhe fëmijëve të tyre kudo që jetojnë e punojnë.

 

Izeti ka qenë një njeri me cilësi, energji dhe aftësi të rralla organizative. Për këtë ai ka marrë titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, një titull shumë i vlerësuar i kohës.

 

Ai ishte një njeri i thjeshtë, që e donte punën si në atë kohë, kur ishte kryetar kooperative, që hiqte xhaketën dhe merrte kazmën apo drapërin dhe futej mes kooperativistëve, duke punuar me ta, por edhe tani që jetonte në Tiranë nuk u shkëput nga shtëpia e fshatit, duke selitur vreshta dhe kopshtie.

 

Madje, si një kapak floriri, atje pati edhe fundin e tij të amëshimit, për të qenë pranë paraardhësve të tij.

 

Stafi i gazetës  “Orakujt e Tomorrit” i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij të shumtë!