Ndahet nga jeta mjeshtri i pikturës postkubiste dhe naive, Sulejman Përrenjasi
Është ndarë nga jeta mjeshtri i pikturës së linjave naive dhe postkubiste, Sulejman Përrenjasi.
U lind në Përrenjas të Skraparit më 4 janar 1935. S’kaloi shumë, kur ishte vetëm tre vjeç prindërit e hipën në samarin e një kali mes plaçkave të shtëpisë dhe morën rrugën drejt Qafës së Martës, për t’u vendosur familjarisht në Lubonjë të Korçës.
Botën e pikturës e pa dhe zbuloi në kishën e fshatit, që u bë shkolla e parë e pikturës së tij. Fare ir arrin jo vetëm të pikturojë, por edhe të japë mësime vizatimi në klasat e ulëta të shkollës unike të Qafëzezit të Kolonjës.
Në vitin, kur punonte në hidrocentralin e Gjançit si elektricist, për një defekt të rëndë jo për faj të tij, dënohet me burg, por për shkak të moshës së vogël i shpëton dënimit. Më pas shkon ushtar dhe pas mbarimit të ushtrisë nuk kthehet më në Lubonjë. Më 1957 vjen familjarisht në Tiranë.
Ëndrra e tij ishte piktura, një ëndërr që për arsye politike nuk u realizua kurrë. Filloi të punojë vet si autodidakt, duke realizuar punime interesante dhe të pëlqyeshme nga miqtë dhe shokët. Vetëm në pikturë zemra e tij gjente prehje dhe qetësi.
Pas më shumë se 40 vjetësh pune të heshtur dhe të panjohur, njerëzit artdashës shikojnë forcën dhe vrullin e talentit të këtij artisti, i cili u zbulua në emigracion, në Itali, ku kishte fëmijët.
Ishte galeria e arteve “Bratsor” në Milano ajo që i bën ftesën e parë. Mbresat e derdhura në disa nga pikturat e tij lënë pa mend vizitorët që shikojnë një lloj pikture të çuditshme, të cilën nuk dije ku ta klasifikoje. Fati e bëri të vetin.
Piktori takon në Milano të madhin e famshëm, Ibrahim Kodra. Kodra entuziazmohet nga puna e tij, duke shpërthyer në një bravo të madhe për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria, duke thirrur: “Ja ku e kemi Shqipërinë”!…
Me Ibrahim Kodrën, Milano
Duket sikur rruga e suksesit ishte hapur dhe Sulejman Përrenjasit i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali.
290 punime në teknikën e vajit, 45 prej të cilave ndodhen në pronësi të koleksionistëve të artit në Shqipëri, shumica në Itali, Suedi, Zvicër etj. Punimet e Sulejmanit janë paraqitur në 24 ekspozita, 6 në Shqipëri dhe të tjerat jashtë, në Itali. 17 nga këto ekspozita janë personale dhe janë prezantuar nga personalitete të shquara të artit italian si, Ibrahim Kodra, Eti, Magdalena, Miro Kalari, Ana Oxa etj. Rrethet artistike dhe shtypi i huaj kanë qenë të ndjeshme duke shprehur konsiderata të veçanta për krijimtarinë e piktorit tonë.
Me individualitetin e vetë të papërsëritshëm në pikturën shqiptare, Përrenjasi pranohet me të drejta të plota anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Milanos.
Pas ekspozitave në Itali, ekspozitat më të fundit të Përrenjasit janë në Korçë, në Shtyllë të Vakëfeve, ku dhe ka kaluar rininë e tij, një ekspozitë në Skrapar, me tema të marra nga kjo trevë etj. Ndërsa sadisfaksioni i më i fundit, që, natyrisht, e ka gëzuar piktorin, është pranimi i tij në anëtarit të Akademisë Evropiane të Artit, seksioni shqip.
Me rastin e 80-vjetorit të tij të lindjes u realizua filmi “Një jetë me dashuri për pikturën” me regjizor dhe operator Kristaq Nanushi, skenarist Petrit Zeneli, teksti Petrit Ruka dhe operator zëri Agim Xheka.
Ai që ka ndenjur gjithmonë pranë dhe që ka ndihmuar në kurimin dhe administrimin e veprës së Sulejman Përrenjasit, ka qenë operatori dhe fotografi i njohur Kristaq Janushi.