Ndahet nga jeta Teki Bregu

Ndahet nga jeta Teki Bregu

Është përciell sot për në banesën e fundit një nga autoritetet dhe personalitetet më të njohur të arsimit në Skrapar, Teki Bregu.

 

Teki Bregu u lind 83 vjet më parë në Rog të Skraparit. Pas përfundimit të shkollës pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” në Berat, vazhdon arsimin e lartë në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Histori -Gjeografisë, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyëra.

 

Emërohet mësues në shkollën 7-vjeçare të Çepanit, ku nuk ndenji shumë, pasi u zgjodh sekretar  i Parë Rinisë të rrethit të Skraparit, ku rrezatoi në këtë detyrë me artin e tij të komunikimit me njerëzit dhe veçanërisht me të rinjtë.

 

Pas largimit nga kjo detyrë, emërohet inspektor dhe më pas shef i seksionit të Arsimit të Rrethit, ku edhe këtu shpalosi vlera, jo vetëm të një drejtuesi të aftë dhe të zot, por edhe si metodist për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat që kishte në administrim.

 

Nga viti 1970 deri në vitin 1991, për pothuajse 20 vjet, ai kreu detyrën e drejtorit të gjimnazit “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës, duke e kthyer atë në një shkollë të njohur dhe elitare në mbarë vendin për nga cilësia dhe rezultatet e maturantëve që mbaronin këtë shkollë.

 

Teki Bregu do të mbetet një emër i pashlyer dhe i “shkruar” qartë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Çorovodës, gjithë Skraparit dhe më gjerë, për njohjet dhe emrin që kishte bërë me profesionalizmin e tij si një edukator i palodhur, i kujdesshëm i brezve të rinjsh ndër vite.

 

Stafi i gazetës  “Orakujt e Tomorrit” i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij të shumtë!