Ndjeshmëri njerëzore: Olti Dervishi, ndihmë dhe përkrahje njerëzve në nevojë

Ndjeshmëri njerëzore: Olti Dervishi, ndihmë dhe përkrahje njerëzve në nevojë

Lajm i faqes zyrtare të Bashkisë Skrapar

 

“Së bashku me Olti Dervishin ishim sot në Blezënckë, për të takuar Astrit Bubën, invalid, pas të një aksidenti të pësuar 18 vite më parë. I ndodhur në kushte, që ai nuk lëviz dot,  kërkesa e tij modeste ishte t’i siguronim një karrocë që të lehtësonte lëvizjen e tij në shtëpi dhe rreth saj.

 

Kësaj kërkese iu përgjigj menjëherë, me shumë dashamirësi Olti Dervishi, i cili, së bashku me mikun e tij, Sokol Avxhiun dhe miq të tjerë, e bënë atë kauzë të pjesëmarrjes së tij, pak javë më parë, në maratonën e Tiranës. Në përfundim të saj, përmes kontributit financiar të miqve të shumtë, u bë e mundur të siguroheshin fondet e duhura për t’i plotësuar këtë dëshirë Astritit.

Ishte vërtetë emocionuese të takoje një individ si ai, që me gjithë vështirësitë në të cilat ndodhet, shihje optimizëm, forcë dhe kurajë për ta jetuar jetën me gjithçka që ajo ofron, me privacionet dhe të mirat e saj.

 

Astriti jeton sot me bashkëshorten Violetën, vajzën Klean dhe nënën e tij, Behijen, në moshë të thyer. Pak ditë më parë ai kishte përjetuar gëzimin më të madh të jetës, fejesën e vajzës së tij, Kleas. Fëmijë i vetëm, ajo ishte 3 vjeç ditën që Astriti u aksidentua. Tashmë Klea ka përfunduar studimet e larta. Ndaj, kjo vizitë ishte për ata familjarisht shumë e veçantë.

 

Kjo nuk është hera e parë që Olti, me mirësinë që e karakterizon dhe shpirtërisht i lidhur me Skraparin, realizon akte të tilla ndaj individëve në nevojë në Bashkinë Skrapar.

 

Dy vite më parë, me iniciativë të tij, fëmijëve të qendrës me aftësi ndryshe në Çorovodë, iu dhuruan pako të dedikuara me rastin e Vitit të Ri.

 

Në bisedë me Oltin, mësuam se fëmijët e kësaj qendre, si dhe të tjerë me aftësi ndryshe, do të jenë edhe këtë fundvit fokus i veprimtarisë së tij.

 

Bashkia Skrapar, gjen rastin të falënderojë përzemërsisht z. Olti Dervishi për modelin shoqëror që ai përcjell, vëmendjen dhe aktet e tij fisnike në ndihmë të individëve në nevojë.

Shoqëria jonë ka shumë nevojë për njerëz si ai”.

 

***

 

Këtu përfundon lajmi i Bashkisë Skrapar për këtë akt human.

Por redaksia e gazetës “Orakujt e Tomorrit” dëshiron, që, për të orientuar dhe njohur më mirë lexuesin, të shtojë edhe diçka tjetër lidhur me Oltin, protagonistin e  këtij lajmi.

 

Ai është djali i një personaliteti të njohur në Skrapar, agronom, drejtues ekonomie bujqësore, ish-kryetar i Komunës Qendër, “Qytetar Nderi i Bashkisë Skrapar” (pas vdekjes), Mustafa Dervishi.

 

Si duket qenka e vërtetë ajo fjala e popullit se “dardha bie në në dardhë”! (Orakulli i Tomorrit)