Në belvederen “Braçaj” mbi Kanionet e Osumit
Në do një pamje karakteristike, të bukur, të veçantë, impresionuese të Kanioneve të Osumit, këtë e përfton vetëm nga belvederia e ngritur enkas nga bujtina “Braçaj”, nën fund të fshatit Çerenisht, e vetmja bujtinë që mund të quhet bujtinë (fjalë e ardhur në shqip nga turqishta “Bujrum”, “Urdhëro”, “Wellkome”, në anglisht po deshe) buzë kanioneve.
Kushdo që vjen në këtë belvedere, i duket vetja për një moment si Leonardo Di Kaprio në bashin e “Titanikut”, me një ndjesi të veçantë që të japin thellinat e Osumit, shkëmbinjtë thikë, tërë viza erozive, lumi që gjarpëron hijshëm në një shtrat të hirtë guri dhe zhavori me një zhurmë të lehtë si sifonitë e Vivaldit në të katër stinët.
Por le të lëmë përshkrimet panoramike dhe të hyjmë brenda në bujtinë, e cila për të hujat quhet në anglisht “Guest House”.
Pronari i bujtinës, Xhentili Braçaj është me origjinë nga Muzhencka, i biri i Brahim Braçajt, që dikur ka qenë teknik pyjesh dhe nuk ka lënë fshat të Skraparit pa shkelur, por edhe pa lënë gjurmët e punës së tij me blloqet e rinj pyjorë të mbjellë në shumë shpate malesh në të gjithë rrethin.
Historia e biznesit të Xhentilit dhe të bashkëshortes së tij, Bleonës, është një histori si edhe e shumë shqiptarëve që u larguan jashtë atdheut për një jetë më të mirë, por jo ta bënin këtë jetë atje ku shkuan, por ta bënin në vendin e tyre. Punuan në Angli aq sa e panë se me atë kapital që grumbulluan në pak vite, mund të bënin diçka në vendin e tyre, ku të punonin e jetonin normalisht.
E menduan mirë, zgjodhën vendin, një rrepirë e frikshme buzë kanioneve, ku dikush kishte bërë një palë shtëpi, por ishte larguar prej andej. I blenë shtëpitë, të cilat i kthyen në vila e më pas në hotele. Hap pas hapi ndërtuan një lokal të bukur me mjedise të jashtme relaksuese për të gjitha stinët.
Tani është belvederia dhe bujtina më e mirë, në mos e vetmja, mbi kanionet e Osumit që frekuentohet gjithë kohës nga turistë vendas dhe të huaj.