Një braktisje totale e arsimit në fshat dhe një shtet që bën sehir!…

Një braktisje totale e arsimit në fshat dhe një shtet që bën sehir!…

 

Hysen Binjaku

 

Mësova këto ditë se, pas plot 70-të vjetësh, iu vu kyçi edhe shkollës fillore Çerricë, fshatit ku linda dhe u rrita.

 

 

Nga data 8 shtator, tri vogëlushe nga kanë filluar të bëjnë mbi 4 km rrugë nga Çerrica në Zhepë dhe po kaq në kthim.

 

 

Kush e njeh atë zonë e di shumë mirë se çdo të thotë për një fëmijë 6 vjeç të kalojë Qafën e Vidhit në dimër, ku stoçeni, tufani karakteristik i zonës, ka rrëzuar për tokë burra dhe mushka të ngarkuara, ku edhe gurë ngrihen përpjetë nga toka.

 

 

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët është e detyrueshme me ligj. Por çfarë kushtesh u ka krijuar shteti fëmijëve që të ndjekin shkollën (të zbatojnë ligjin!).

 

Asgjë!

 

 

Çfarë shteti është ky që nuk kujdeset për qytetarët e vet, por i lë në mëshirë të fatit? Kjo gjendje është e njëjtë në të gjithë vendin, një braktisje alarmante. Pse nuk analizohet gjendja dhe të ndryshojnë politikat dhe strategjitë arsimore që të përballohet kjo gjendje ulëritëse?

 

 

A ka zgjidhje, patjetër që ka. Deri sa e zgjidhi shteti i varfer, i dalë nga lufta gjithë atë prapambetje arsimore dhe kulturore, si nuk ezgjidhka dot një shtet modern?…

 

 

Thonë se kostot e mbajtjes së të burosurve i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 5 -6 herë më shumë  se një fëmijë në shkollë, që janë e ardhmja dhe perspektiva e vendit që ia vlen investimi! Pse nuk investohet për ta?

 

 

Pse nuk diskutohet edhe me prindërit për gjetje zgjidhjeje, siç janë konviktet, një përvojë e njohur dhe e suksesshme e vendit tonë.

 

Shteti ynë demokratik, pse nuk ndjek rrugën që ndoqi ai shteti ynë i “diktaturës së proletariatit” në vitet ’50-’60 të shekullit tē kaluar?

 

Çfarë bëri ai?! Hapi shkollë me konvikt në Çorovodë dhe fëmijët e Tërrovës, Dunckës, Dobrenjit, Barçit të Sipërm, Faqekuqit, Leshjes e mjaft fshatra të tjerë i sistemoi në konvikt.

 

 

Këtë të bëjë edhe sot.

 

 

Për shembull, për fëmijet e Çerricës dhe gjithëTomorricës, në Gjerbës (mes vendi për mbi 32 fshatra të Tomorricës) ka ambiente të bollshme për shkollë, për konvikt, ka fuqi arsimore.

 

 

Ka ardhur koha që ne, jo vetëm të qahemi, siç po bëj unë me këtë rast me këtë ngritje zëri, por të ngihemi të gjithë, t’i shkundim pushtetarët, deputetë, zyrtarët, partitë ta marrin seriozisht këtë problem madhor dhe me pasoja të rënda për popullin dhe shoqërinë.