
Në bujtinën “Goleci”, Rabdisht, Dibër
Zylyftar Hoxha
Gëzimet dhe festat familjare, sado të thjeshta dhe të vogla të jenë, “organizatorët”, që, natyrisht, janë pjesa më e ndjeshme dhe më e prekshme e familjes, mundohen t’i bëjnë sa më të gëzueshme dhe sa më surprizuese.
Kështu ndodhi edhe me ditëlindjen time të 78 – të.
Meqenëse është bërë Rruga e re e Arbrit, shkuam në pjesën më pak të njohur të Shqipërisë, në Dibër, që është bërë vërtet “një vrap pele” (pa atë bishtin mbrapa).
Destinacioni ishte Rabdishti, një fshat jo larg Peshkopisë, atje ku mbaron lugina e llixhave të famshme.
Kisha dëgjuar në biseda, si dhe kisha parë në rrjetet sociale të disa miqve të mi të lakuar shpesh emrin e bujtinës “Goleci”.
Rabdishti
Ishte bujtina e Fitim Golecit, vëllait të Miranda Golecit, një mikeshës time të mrekullueshme, që, bashkë me të shoqin, botuesin dhe tipografin, e vjetër tashmë, Bujar Karoshin, drejtojnë dhe menaxhojnë një nga shtëpitë botuese më të njohura dhe më cilësore të Tiranës, të emërtuar “M & B”.
Me Naimin dhe Mirandën në një panair libri
Jo vetëm pse unë aty kam realizuar disa nga botimet e mia dhe të miqve të mi, por më tepër nga miku im me komunikim të përditshëm, gazetari dhe botuesi i njohur, Naim Zoto, i shtëpisë Botuese “Naimi”, me të cilin ata kanë miqësi të ngushtë, deri edhe familjare, kam zënë edhe unë një vend të caktuar nderi në këtë miqësi të tyre.
Me Bujarin në studion e tij
Dhe jo një vend dosido, por një vend me një status të veçantë, si “miku i mikut” dhe që e ka edhe emrin tij edhe punën njëlloj me emrin e poetit të madh “Naim”.
Shkova në Rabdisht të Dibrës te bujtina e Fitim dhe Ela Golecit pa u thënë gjë as miqve të Tiranës dhe as atyre të Dibrës se kush isha dhe se çfarë status gëzojave si mik i tyre, por edhe si “miku i mikut” të Naimit.
Aty nga darka, mes një tavoline ku nuk numëroheshin pjatat dhe kalamajtë nuk dinin ku të fusnin dorën më parë dhe unë, pa e vënë re, e kisha tharë dopion e rakisë së kumbullës, që dibranët e qajnë, dhe që mua, në këtë rast më “zbërtheu” gojën, i tregova Fitimit se kush isha!
Ai për një moment ngeli gojëhapur, por shpejt e mblodhi, “po unë të njoh, – më tha, e kam dëgjuar emrin tënd në bisedat e tyre, por edhe nga Facebook-u”.
Dëgjo, – i thashë, – unë nuk u kam thënë gjë atyre që kam ardhur këtu, ndaj, të lutem mos u thuaj gjë, se di unë si ua them!…
-Jo, jo, – më tha, mos ki merak!
Të nesërmen, ndërsa hanim mëngjesin, dikush më kapi nga mbrapa nga supet dhe më tha: “Edhe 100”!
Kthej kokën. Ishte Miranda dhe pak më tej, Bujari, që, si gjithmonë, buzëqeshte me atë buzëqeshjen dhe humorin e tij karakteristik që mezi pret radhën për të hapur gojën.
Dolëm në oborrin e bujtinës, kur ç’të shoh, në mes të një tavoline të shtruar bukur, na priste një torte, mokër guri, stolisur me xixa të ndritshme ngjyrë ari.
E kishin sjellë Bujari me Mirandën që nga Tirana, Fitimi “nuk” ma kishte mbajtur fjalën, u kishte thënë që unë isha aty.
Domosdo, u preka pa masë, të ngrihet tjetri qën ga Tirana në Dibër për një surprizë të tillë!
Ta paça borxh, o Safa Ymeri alias Bujar Karoshi!
***
Duke patur një platformë mediatike modeste, siç është gazeta online “Orakujt e Tomorrit”, më shumë se për reklamë, më lind e drejta të them edhe dy fjalë për bujtinën “Goleci”.
Është një shtëpi dykatëshe karakteristike e zonës, me mur guri, me katër dhoma fjetje, vendosur në mes të fshatit. Në oborrin fantastik me gjelbërim të përhershëm, mbjellë me qershi dhe lule shumëngjyrshe, mëngjesi dhe darka nuk kanë të paguar nën flladin e malit dhe cicërimin e zogjve.
Brenda kësaj godine është një botë e tërë ëndrrash, mes një bardhësie të butë të pambuktë, ndërsa kuzhina e papërshkrueshme, me shijet dhe aromat më të mira dhe karakteristike të produkteve të zonës së Dibrës.
Është një bujtinë që menaxhohet nga çifti Goleci, Fitimi dhe Ela, të cilët derdhin aty tërë talentin, dashurinë dhe mikpritjen e tyre prej disa vitesh, duke gëzuar frute të kënaqshme në biznesin e tyre të vogël familjar.
Çifti Fitim dhe Ela Goleci me ish – ambasadoren amerikane në bujtinën e tyre
Edhe pse në bujtinën Goleci ka bujtur ish-ambasadorja amerikane Juri Kim, dhe në një farë mënyre i ka dhënë asaj një “status historik”, Fitimi nuk ma tha këtë gjë. E mora vesh nga të tjerët, ndërkohë që kam parë në Italinë e veriut bujtina të tilla, ku në hyrje ose në derë të dhomave ishin vendosur foto të personaliteteve që kishin bujtur aty në kohë të ndryshme dhe që pronarët e tyre mburreshin me to.
Fitimi nuk do reklamë, e ka vënë emrin e tij, ai do njerëz të mirë, familjarë të mirë, miq të mirë. Dhe këta i ka gjetur!
Urime bujtina “Goleci”, të dëgjofshim zënë e mirë kurdoherë!