Në Dushk të Lushnjes, mes skraparllinjve

Në Dushk të Lushnjes, mes skraparllinjve

 

Jovan Jano 

 Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër shtohet malli, dashuria dhe respekti për të kaluarën. Nuk besoj se kjo ndodh vetëm tek unë. Jo, kjo gjendje shpirtërore është tek të gjithë moshatarët e mi, e sidomos tek të moshuarit, të cilët shkruajnë tërë mall për të kaluarën, për fshatin, për njerëzit, miqtë dhe për ngjarjet. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, që jam larguar nga Dushku dhe nga njerëzit e tij të mirë dhe punëtorë, unë i mbaj diku të strehuar në zëmrën time ata, më mirë se sa në celuloidin e ndonjë fotografie të vjetruar. Është me vend të kujtojmë një thënie, gati proverbiale, që i shkon këtij shkrimi: “Largimi i ngjan erës, që qirinjtë i shuan, por zjarret i ndez”.

 

Duke punuar disa vite në Shkollën e Mesme Dushk, nuk kam si të mos kujtoj gjithë ata breza fëmijësh që jemi përpjekur t’i arsimojmë e t’i edukojmë me ndjenjën e madhe të dashurisë për dije, punë dhe atdhe. Nuk kam si të mos kujtoj ata kolegë të mi arsimtarë që nga të ndjerët Ban Mita, Tefik Manahasa, Aneta Oktrova (Kozumi) deri tek Zenun Dedej, Ali Xhafa, Vangjel Sylari, Vangjel Llogoni, Themi Koçi, Harilla Kote, Kastriot Sako, Kastriot dhe Xhevrije Saliaj, Lefteri Dhuci, Rezana Bregasi, Greta Galanxhi, Afërdita Saliasi, Reiz Çela, Bashkim Dyrmishi  e shumë të tjerë.

 

Sektori Dushk, ku punova shumë vite, ishte dhe mbetet më së shumti një oaz skraparllinjësh, një “Skrapar” Myzeqeje. Jo rrallë bëja shaka me ta, kur iu thosha “arbëreshë”. Aty njoha shumë njerëz të mirë dhe mjaft të emancipuar. Të tillë janë skraparllinjtë. Për Skraparin dhe skraparllinjtë kam patur konsiderata të mira që nga fëminia ime.

 

Dushku, një gur brilant i mozaikut të Myzeqesë

 

Skraparllinjtë janë banorët e parë të sektorit Dushk; janë themeluesit e parë të asaj ferme të madhe të frutikulturës. Që nga përgjegjësi i parë i sektorit, Sheme Dyrmishi nga Koprencka e deri tek Muharrem Dalipi i Gradecit, apo Selfo Dyrmishi, kanë qenë tipa interesant: energjikë, të vendosur në punë, këmbëngulës, merrnin detyra dhe përgjegjësira përsipër dhe i realizonin ato. Përgjithësisht, komuniteti i këtyre njerëzve  ishte i sjellshëm në punë e në shoqëri.

 

Sektori kishte një vendosje të bukur. Kur hyje në sektor, kontakti i parë ishte pamja madhështore e një “tuneli” me hardhi, që ndodhej midis dy tendave hardhish, që i jepnin pamje madhështie këtij sektori dhe punës tepër energjike të këtyre njerëzve të palodhur. Pas tharjes së kënetës së Tërbufit më 1955, ngritja e atij sektori, qe më i rëndësishëm në ato vite, sepse i gjithë brezi kodrinor, nga ura e Shkumbinit e deri në fshatin Golem të Lushnjës që quhet Darsi, ishte vepër e atyre njerëzve për të cilët fola më sipër.

 

U mbollën mijëra rrënjë ullinj dhe mijëra rrënjë drurë frutorë, të cilët si kurora gjigante paqeje dhe prodhimi, mbështillnin dhe zbukuronin relievin kodrinor të dikurshëm me shkurre të egra dhe së bashku me tokat e blerta e të paanë të ish kënetës, përbënin dhe përbëjnë ekosistemin dhe mozaikun më të bukur të fushës së Myzeqesë.

 

Nga Tomorri, si Tomorri

 

 

Ne, në Myzeqe, ngriheshim e gdhiheshim me Tomorrin në sy. Tomorri dhe Skrapari gati janë sinonime, janë binjakë, mbajnë njëri – tjetrin. Aty mblidhen për çdo vit (në gusht) të gjithë bektashinjtë e krahinës dhe kujtojnë baz Aliun duke bërë kurbane. Por, dhe ne në Myzeqe, po në muajin gusht grumbullohemi në manastirin e Kolkondasit dhe në manastirin e Ardenicës për të kujtuar Shën Mërinë e Krishtit. Dhe nga kjo majë e lartë e Myzeqesë ia bëjmë me sy Tomorrit flokëbardhë dhe Skraparit bujar.

 

Vatra të ngrohta

 

Por skraparllinjtë do t’i njihja më mirë në ato vite kur unë, më i burrëruar, erdha nga një shërbim i gjatë në rrethin e Pukës dhe fillova punën në shkollën e mesme Dushk të Lushnjës, aty nga fundi i vitit 1975.

 

Në fshatin Dushk, rreth vitit 1956 u konturua një sektor frutikulture, që i përkiste fermës së madhe bujqësore “29 Nëntori” Lushnje. Banorët e parë të këtij ishin skraparllinjë. Kujtoj me respekt të veçantë familjet skraparase të Sheme, Riza dhe Hamza Dyrmishit; Selfo Dyrmishit, Xhevair Dyrmishit, Neim Dyrmishit, Azis Dyrmishit, Flamur Dyrmishit nga Koprencka; familjet Bakiasi, të xha Samitit, Flamurit, Mehmeti, Aliu, Serveti, Bakiu, Nazmiu e Nasibiu, Hasani; kujtoj familjen Hysi nga Vërzhezha: Bakiun, Halimin, Adrianin, Agronin, Tekiun, Granitin. familja Molla nga Vërzhezha: Zalon, Selim Mollën dhe fëmijë e vëllezërit e tyre të mrekullueshëm si Myrdarin, Lulëzimin, Bandillin, Shkëlqimin, Arturin;  familjet Dalipi: xha Azisin, Kadriun, Fanen, Xhevon, Sadedinin, Yzedinin, Meleqin, Albanin, Zenelin, Saniun, Muharremin; Tefik Qamon, Ali Çelën, të birin, Reizin; kujtoj me respekt familjen e Tosun, Nebi e Jonuz Fushës; Elmaz e Kastriot Saliasin, Nazmi Habibasin dhe familjet e Serjanëve. Po ashtu kujtoj me respekt Xhelal Godunin, Sefedinin, Agimin, Astritin,  Zalo dhe  Zaçe Koritën; kujtoj familjet e vëllezërve Kapllan, Sami, Xhaferr Meço; familjen e Neim e Zenel Kamxhiut, Liken, Avniun, Ladin, Afrimin; familjen e Tefik Mustafait, Perlatin, Pelivanin, Alien, Mirandën, Mozën, pa harruar Gjenç Mançen dhe djemtë e tij: Gramozin, Flamurin, Dajtin, Luljetën etj.; familjen e Hyqmet dhe Astrit Kapllanit dhe të vëllait të tyre; familjen e Qamil Shahos, Xhelalit, Gëzimit etj.; familjen e Ferit Nakos, të Bardhit; familjen e Mehmet Hoxhës, Mondin; familjen e Xhevo dhe Neki Hasanit dhe fëmijët e tyre, nga Gjerbësi; familjen e Elmaz Mezinit, Mitatit, Pertefit etj. Vajzën e xha Mitatit e kam patur shoqe banke në shkollën e mesme pedagogjike. Ishte vajzë shumë e mirë dhe këndonte bukur. Vite më vonë ajo u martua me mikun tim, Zylyftar Dyrmishin. Kjo ishte një arsye më shumë që xha Elmazin e respektoja edhe më shumë.

Komuniteti skraparlli, që jetonte e punonte në Dushk ishte një komunitet i tillë që karakterizohej nga solidariteti dhe ndihma reciproke. Kjo vinte nga fakti jo vetëm se ata ishin nga një krahinë, por edhe nga fakti se ata duke u njohur në punën e përditshme me njeri tjetrin kishin krijuar edhe marrëdhënie krushqish. Kjo, jo vetëm ndërmjet skraparllinjëve, por edhe me banorë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Kam nostalgji, kur i kujtoj pas shumë vitesh këta banorë arsimdashës, bujarë e të sjellshëm dhe sidomos fëmijët e tyre të mrekullueshëm, të zgjuar e të shumtë, pa të cilët nuk do të mund të isha mësues i asaj shkolle.

 

Çdo njeri ka mënyrën e vet apo “kodin” e vet të sjelljes apo të komunikimit me njërëzit. Personalisht e dua dhe e respektoj tjetrin. Kam patur dhe kam ende një mënyrë sjellje që ta afroj tjetrin tek vetja pa iu imponuar por me kod komunikimi korrekt. Këtë mënyrë sjelljeje e solla nga një zonë e largët siç ishte Puka për mua. Në një farë mase mund të them se e pashë vuajtjen, pa u bëra njeri. Në këtë sens i doja nxënësit dhe ata më respektonin. Raportet me kolegët e punës dhe me prindërit i ndërtova shumë të mira.

 

Mund të them se kënaqësia ime më e madhe në jetën time si nëpunës ishte Dushku si sektor prodhimi dhe si një qendër administrative shumë e bukur.

 

Skraparllinjtë e Dushkut ishin specialistët më të mirë për krasitjen e vreshtave të shumtë e të pemëve frutore të shumëllojta të sektorit. Ata ishin ustallarë të mrekullueshëm të zjerjes së rakisë, verës dhe rehanisë. Kam qenë disa herë në shtëpitë e Sheme Dyrmishit, Xhelal Godunit, Sadik Begës, Kapllan e Sami Meços apo Mehmet Bakiasit, kur zjehej rakia. Ndjehesha si në shtëpinë time.

 

Ai sektor i bukur me vreshta pa fund dhe ullishte pa anë, është produkt i të gjithë këtyre njerëzve, pa harruar dhe batalionin e punës, me Llambi Shoren e Vithkuqit në krye, pa harruar përgjegjësit, kryetarët e pushtetit të zgjedhur, agronomët dhe ekonomistët e talentuar të frutikulturës: Kristo Bani, Petraq Sotiri, Agim Gjermëni, Nazmi Habibasi, Sevo Doko, Jorgo Dhuci, të ndjerën shoqen tonë, Ike Xhafa, Sotir Kola etj.

 

Skrapari dhe Tomorrica në historinë myzeqare

 

Për Krahinën e Skraparit kisha dëgjuar të flitej, kur në odat e miqve, babai im i ndjerë, fliste për fshatrat dhe njerëzit e Skraparit me admirim. Ai më tregonte për Arshin Koprënckën, babain e Sadik dhe Et’em Koprenckës; djemtë dhe nipërit e Adil Vlushës, për Zija, Qerim, Hasan, dhe Myrteza Sanxhakun, për Baki dhe Afërdita Qafën, për familjen e Sherif dhe Myrteza Prishtës, për familjen Zaimi, për familjen e dëshmorit Nefail Hoxha etj, që kishin ardhur në fshatin tonë qysh në vitet e para të shekullit të XX-të apo gjatë luftës italo-greke dhe ishin bërë një, me myzeqarët. Më tregonte se si ata bënin vizita të ndërsjellta tek njeri-tjetri në raste festash fetare dhe gëzimesh familjare.

 

Nga goja e tij kam dëgjuar të flitej për herë të parë për Qafën e Martës, për këtë vargmal impresionues, që qëndron si samar kolosal në ato pllaja malesh, atje, ku ndan kufiri i Skraparit me Oparin e Korçës. Për herë të parë në rrëfimet e odave të miqve kam dëgjuar për Faqekuqin, për Galinat e Qafës, për Postenën, për Qafën, për Dusharin dhe Qafën e Gjarpërit, për Trubohovën, për Gradecin, Koprenckën dhe për luftën e partizanëve myzeqarë kundër gjermanëve dhe kolaboracionistëve; kisha dëgjuar se skraparlliu Riza Cerova ishte një sozi revolucionare si Naun Grigor Prifti (Doko) i Myzeqesë time. Kisha dëgjuar të flitej për burra të tillë të nderuar si: Gjin Marku,  Zylyftar Veleshnja, Riza Kodheli, Mestan Ujaniku, Pasho e Neshat Hysi, Kahreman Ylli, Ramiz Aranitasi, Laze e Mendu Backa, Njazi Çepani e të tjerë. Edhe pse fëmijë, këto fshatra, njerëz dhe sakrifica, kanë mbetur në celuloidin e kujtesës time, si nektar dashurie, respekti dhe mirënjohjeje për skraparllinjtë dhe Skraparin.

 

Unë Skraparin, me kalimin e viteve do ta njoh më mirë kur fillova të njihem me shokë e shoqe skraparllinjë, atje, në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara”, në Berat, ku nëpërmjet një marshimi apo ekskursioni në Kulmak të Tomorrit shihja si në pëllëmbë të dorës të gjithë atë krahinë, që në kohën e LANÇ-it kishte mbajtur me bukë partizanët e Myzeqesë, që përbënin Grupin e I  Partizan të Qarkut të Beratit. Nga Kulmaku kam parë shtigjet dhe fshatrat ku ecën, luftuan e u vranë djemtë e Myzeqesë martire. Çdo fshat, çdo pyll, çdo shtëpi është dëshmitare për heroizmat e tyre.

 

Ja, Qafa e Martës, si një digë madhështore dhe dëshmi morale, qëndron kryelartë! Aty kaloi në ditët e acarta të janarit të vitit 1944 xhaxhai im, Mihal Jano, vetë i shtatë, për të kaluar në zonën e Korçës, për t’u kërkuar ndihmë partizanëve të Brigadës IV-të Sulmuese Partizane. Por, i tradhtuar, vritet me shokët e tij nga gjermanët në fshatin Çemerricë më 10 janar 1944 dhe pesë ditë më vonë, në Faqekuq vritet edhe skuadra tjetër me 12 partizanë myzeqarë, e drejtuar nga dëshmori Gjergji Kondakçiu.

 

Në këto fshatra, për nder të rënies së tyre janë ngritur lapidare, që qëndrojnë si institucione trimërie dhe si gishtrinjë gjigandë akuzojnë dhe nga ana tjetër bëjnë thirrje për qëndresë dhe drejtësi shoqërore.! (Ah, sikur ta dinte  im xhaxha se pas kaq e kaq vitesh nipi i tij do të vuante padrejtësinë shoqërore dhe sindromën e papunësisë të këtyre viteve të një tranzicioni absurd dhe të një sundimi plutokratik …!).

Në ato pyje e korie, në ato shtigje e rrëpira luftoi babai im me shokët e vet myzeqarë për lirinë Shqipërisë dhe për mirëqenien e popullit dhe të familjes. Ndjehem krenar që jam nipi i një dëshmori  dhe biri i një veterani, që përveçse i dhanë Shqipërisë, asgjë për vete nuk përfituan. Asnjëherë nuk jam ndjerë i hidhëruar që i kemi humbur njerëzit tanë më të dashur, por jemi ndjerë e ndjehemi krenarë, që i kemi patur ata. Brezi i luftëtarëve antifashistë ishte si ajo pema e madhe që lëshon hije për të tjerët, por për vete përvëlohet nga rrezet e diellit.

 

Kujtoj me dashuri shokët e shoqet e mi skraparllinj, të shkollës pedagogjike si: Sefedin Çela, Zylyftar Hoxha, Zenel Idërshai, Kujtim Çela, Astrit Shiroka, Tefta Abazi, Hasan Shkëmbi, Kujtim Kapllani, Astrit Mahmutaj, Luan Koleci e shumë të tjerë. Ndërsa sot respektoj dhe ndaj hallet dhe shqetësimet e mia me miq të tillë të nderuar skraparllinj si me gazetarin Bashkim Koçin e Prishtës, me akademikun, shkrimtarin e talentuar skraparlli, Xhevair Spahiun, me njeriun fisnik dhe kuadrin e dikurshëm të talentuar, Xhemal Dauti nga Kakosi, me inxhinierin Selim Molla nga Therepeli, me ushtarakët Ilmi Qazimi dhe Mehmet Dume nga Çepani, me Isuf Bajraktarin nga Poliçani etj.

 

Kujtime të bukura

 

Zenel Dalipi ishte një qerrexhi i talentuar. Sa herë që kaloja nëpër sektor për të ndjekur kohën e lirë të fëmijëve, më shihte dhe më ftonte në shtëpi. Djemtë e tij të rritur bënin shoqëri me mua. E kuptoja që në atë familje emir im lakohej për mirë. Ai dinte t’ua bënte yzmetin qeve se në saj të tyre kish rritur e ushqyer një familje goxha të madhe: në mos gaboj rreth shtatë fëmijë. Djemtë e tij, Ilmiu, Veipi, Sefedini, ishin shumë të sjellshëm në sektor dhe më respektonin shumë. Me ta bëja dhe zborin. Xha Zeneli, djalin e vogël, Beharin e donte tej mase. Bakja, siç e thërrisnin në shtëpi, ishte djalë i hedhur dhe çapkën.

 

Njëherë një mësues, i jep një pëllëmbë Bakes në orën e mësimit dhe duke mos e kontrolluar për një moment veten, e nxjerr jashtë. Behari shkon në shtëpi dhe njofton të atin. Ishim në pushimin e gjatë të orës së dytë, ulur në stolat prej druri të bërë enkas për t’u ulur. Para portës së shkollës, dhjetë metra nga pishat e mëdha, që i mbollën në vitin 1975, xha Zeneli, pasi vë hostenin para qeve, drejtohet për tek ne mësuesit. Kolegu, që kishte goditur me pëllëmbë Baken, e kuptoi situatën dhe diçka më tha në vesh. Menjëherë e kuptova shqetësimin e tij dhe u ngrita për ta takuar Xha Zenelin. -Hë, xha Zenel, ç’e mirë të solli këtu në shkollë? -Më kanë rrahur Baken, o mësues, dhe e di kush ma ka rrahur… ! Shikimi i tij u tret mbi fytyrën e nxirë nga turpi, i kolegut tim. -Po mirë, po sikur ta kem rrahur unë? – e pyes. -Dora jote është ilaç. Po ti nuk vë dorë mbi kalamajtë tanë dhe duke më përqafuar, u nda nga unë dhe djalin e porositi që të sillej mirë dhe të vinte në shkollë. Pasi u ndava me xha Zenelin, shoku më falënderoi. Sot Behari, më kanë thënë se ka krijuar familje dhe është bërë një burrë shumë familjar.

 

Edhe të tjerët si skraparllinjtë, të gjithë të mirë

 

Sektori Dushk përbëhej nga një popullsi mjaft heterogjene. Aty jetonin prej vitesh familjet e Rrahman Hasa dhe Selim Avda nga Dibra. Fëmijët, që kishim në shkollë nga këto familje ishin të mbarë në mësime dhe inteligjentë. Po ashtu kishte familje edhe nga rrethi Gramshit si: familja e Ahmatëve, Beshirëve, Ahmetllarëve, Jaçe dhe Adile Ibros etj.

 

Kam ndjerë dhimbje kur mora vesh largimin e parakohshëm nga jeta të djalit të tyre, të vetëm, Arjanit, i cili ndërroi jetë atje, larg, në Çikago, ku kish shkuar para ca vitesh, në emër të një jete më të mirë. I veçoj për të mirë veçanërisht vëllezërit e mrekullueshëm Beshiri, sidomos Ramadanin, i cili ishte një mjeshtër i vërtetë në gdhëndjen e dhe përpunimin e drurit. Po ashtu i ndjeri Hasan dhe vëllanë e madh, Maliqin. Veçoj Aristotel Ahmatin, xhaxhallarët e tij, të atin, Izetin (infermier i vjetër në Dushk), të vëllain Agronin dhe kushërinjtë e tij për taktin e mirë në shoqëri, apo Fetah dhe Bekim Ahmetllarin, Benin çapkën dhe gjithë fëmijët e tyre, që komunikonin pa ndrojtje e me sinqeritet.

Edhe nga Zagradeci i Devollit kishim një familje, që përbëhej nga njerëz të mirë. Më kujtohet xha Adili (Adil Ganolli) apo i biri i tij, Ylli, një mik i im i sinqertë. Sa herë që Astriti (djali i vogël i xha Adilit) mungonte në shkollë, Ylli ma dërgonte me duar të “lidhura”dhe me një copë bukë në duar të lyer me marmalatë dhe djathë. Kur unë i thosha se ç’ke bërë kështu, ai më thoshte se e meriton këtë ndëshkim pasi bëhet dembel, kur të rritet. Por koha tregoi se Astriti është bërë sot një familjar i rregullt dhe djalë punëtor.

 

Në sektorin Dushk ka jetuar edhe një intelektual i vjetër, me një kulturë poliedrike: përkthyes i pesë gjuhëve, studiues, gazetar dhe politikan. Quhej Mitat Aranitasi, i cili kishte për bashkëshorte (në mos gabohem) motrën e Arshi Pipës. Vajzën e xha Mitatit, Odetën, e kisha nxënëse dhe ishte ndër më të mirat e shkollës dhe mjaft e edukuar. Kishte besim tek unë dhe interesohej shumë për të bijën. Jam trishtuar shumë kur iu dogj aksidentalisht banesa, por sidomos librat e shumtë dhe bagazhi krijues.

 

E respektoja këtë njëri dhe ai e ndjente, pavarësisht se e mbulonte hija e “luftës së klasës”. Përshtypje dhe mbresa të mira ruaj edhe për familjen e Hektor Bregasit. Pata rastin që të punoj shume vite me Rezanën, bashkëshorten e tij. Ata pas disa viteve pune si arsimtarë në Skrapar, u transferuan në Dushk. Rezana ishte një mësuese jo vetëm e arsimuar mirë por edhe një njeri me vlera të veçanta. Tek ajo dhe tek koleget e tjera si Greta Galanxhi dhe Lefteri Dhuci, çdo veprim, ishte i bukur.

 

Më pëlqente sjellja e tyre se binin në sy se ishin qytetare 24 karatshe. Nxënëset tona i imitonin këto mësuese edhe në mënyrën e të ecurit, edhe në mënyrën si komunikonin. Rezana ishte e bija e Ali Ypit, një nga kuadrot më mbresëlënës në ngritjen e NB-së 29 Nëntori në Lushnje. Por dardha nën dardhë bie. Edhe i biri i tyre, por edhe nxënësi ynë, Blendi Fevziu, sot rrezaton nivele të larta në fushën e media-s dhe publicistikës shqiptare.

 

Kolonja, ose më mirë fshati Luaras përfaqësohej në Dushk nga Zguro Stefani. Zguroja si dhe të gjithë të tjerët kishte një familje të madhe dhe shumë të edukuar. Fëmijët e tij ishin njeri më i mirë se tjetri. Ishte liruar nga ushtria në fillim të viteve 60-të dhe punonte si brigadier vreshti. Zguroja, sikundër dhe Sheme Dyrmishi, Balil Duro nga Picari, Naun Çollaku nga Berati, Abedin Dushku e Asllan File nga Mallakastra, i kujtoj si kuadro modestë por mjaft korrekt në punët, që u ishin ngarkuar.

 

Dhe unë kam ditur ta shpreh respektin ndaj tyre. Këta banorë kishin tradita të njëjta me skrapallinjtë. Në Dushk e kam ndjerë veten si në fshatin tim të lindjes, Libofshë. E kam ndjerë respektin e atij komuniteti të mrekullueshëm. Skraparllinjtë e sektorit të fermës kishin ndërtuar marrëdhënie të mira me vendasit e fshatit Dushk e Konjat. Nuk mbaj mënd të ketë patur penalitete për motive të dobëta. Ndihej fryma e ndihmës reciproke, dashuria dhe siguria. Përveç shkollës, kishte farmaci, klinikë dentare, mami e infermierë, kopsht e çerdhe për vocërrakët dhe terrene sportive.

Më kujtohen infermierët Izet Amati dhe Drita Dyrmishi. Sa të papërtuar ishin! Edhe depoja e armatimit në sektor, ruhej nga gra shtatzëna apo nga burra me aftësi të kufizuara në punë.

 

Si një mesazh dashurie

Këta janë skraparllinjtë e Dushkut dhe shumë si ata, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, për të cilët përgjërohem dhe rri drejt në shenjë respekti sa herë ndonjëri zë emrin e tyre në gojë; ashtu si dhe ata për mua, megjithëse larg dhe vitet kanë bërë punën e tyre, më kujtojnë, më dërgojnë urime e të fala. U jam mirënjohës!

 

Shfrytëzoj rastin, që, nëpërmjet gazetës on-line “Orakujt e Tomorrit”, t’i përshëndes kudo që janë të gjithë ata që përmenda, por edhe ata që mund t’i kem harruar nga koha e gjatë që ka kaluar, të përshëndes gjithashtu edhe më të rinjtë e këtyre familjeve, që nuk i njoh dhe nuk më njohin, por që jam i bindur se ecin në gjurmët e prindërve të tyre, duke iu uruar jetë të lumtur e mbarësi në jetë.

 

Le të jenë rreshtat e këtij shkrimi, një mesazh dashurie dhe respekti për të gjithë ata me të cilët kam ndarë gëzimet, hallet dhe mirësitë. Po ashtu dhe një homazh për të gjithë ata miq e dashamirës të mi, që nuk jetojnë më.