Në Gjerbës, nën kumbimin e zërit të Demir Zykos

Në Gjerbës, nën kumbimin e zërit të Demir Zykos

Petrit F. Zeneli

Në shtëpinë e Artistit të Popullit Demir Zyko, edhe pas gjysëm shekulli, m’u bë se dëgjova këngën e çekanit dhe mistrisë së mjeshtrit  të gurit Skënder Hamit Hado! Çfarë surprize…, çfarë koincidencë..?! Kënga kish vajtur te kënga, mjeshtri tek Nderi i Kombit!  Përplasej jehona e tyre si dikur shkrepëtima e patkonjëve të kuajve të Ali Pashë Tepelenës,  mbi atë shkëmb mjekërr bardhë kryeneç, ringjit me vargjet legjendë “Mbeçë more shokë mbeçë..!

E merr grykën përpjetë oshëtima, në Ujanikun e Mestan Ujanikut shqiponjë, vërtik mbi Tomorrin Perëndi, deri tek retë!

 

Sa prezantohesh prej djemve delinj të asaj toke, Rustem Zyko, Adem e Kastriot Flamuraj, që je nga Panariti i Korçës, atje të ngrihen më këmbë dhe të vënë në qoshet! Oh, qënke nga fshati i Skender Hados?! Ai i ka kurdisur shtëpitë e bilbilit të këngës, Xha Demirit të shtrenjtë! Edhe shtëpitë e kolegut tënd, Dashit, ai i ka bërë, ja, pyete vet…!

Dhe kujtimet për Hadot e famshëm, Hamitin, Kajmakun, Skënderin, brez pas brezi, që artin dhe talentin i kishin gdhendur përjetësisht  në shenjtërinë historike Kulmak, në Teqetë, por që mbi të gjitha ishin vlera të larta njerëzore, s’kishin të sosur, se edhe punën edhe, fjalën edhe këngën, ata e kishin dhe e kanë matematikë!

 

Emocione dashurie e krenarie pushtuan shpirtin në atë shesh mozaik guri shumëngjyrësh, dhe fjalë s’gjeja dot, mirënjohjen t’u shpreh! Mbërthyer sytë tek myshku jeshil, dëshmi e lashtësisë, salduar pllakave të gurit sëritur Skënderi thatim, si piceta dore në sepetet e nuseve mbi çatitë figura gjeometrike, fola me ta, u çmalla..!

Po po, u çmalla me pastërtinë hyjnore të shpirtit, zërin metalik dhe duart coptuar nga ciflat e gurit, që pa bujë kishin shkruar   pavdekësinë! Madhështorja, fisnikja Tomorricë, që fillim e fund i kishe pa anë e fund, që nga Ujaniku e deri në Përrenjas, përballë Portës gjigante të Dëvrisë!

Përunjie të parëve të tu, që të lanë një barrë me famë, por dhe atyre të paktë banorë aktualë, që s’të lenë të vdesësh, me sakrifica ringrenë e ngrenë shtëpi të reja, kurse mjeshtrat panaritas e të tjerë i ruajnë thellë në shpirt, lapidarë!

 

Oh sa e madhe është Shqipëria, sa pak e njohim atë, sa shumë e kemi braktisur, sa fallc qarja që na kanë grabitur të huajt, dhe sa shumë i detyrohemi kësaj që kemi! Mëkat, e pafalshme që rrugën 30 km Ujanik-Gjerbës-Çorovodë ta lësh pa asfalt, ndërkohë që mijra e mijra qytetarë në peligrinazhin e fundit në Tomorr, kthyer këtej nga trafiku i çmendur, s’kishin lënë sadokartë pa çarë!

Dhe prapë ata njerëz nuk dorëzohen, me dhëmbë e mbajnë atë truall, dhe prapë bukuria e Tomorricës është si e larë në ar, që ne e shijuam aq shumë, nën shoqërinë e drejtuesit të talentuar të automjetit, Sabah Halilaj! Faleminderit për xhevahiret që mban brenda, Skrapar!