
Në Kanionet e Osumit, mes një bukurie tronditëse
Disa turistë austriakë, njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë kohët e fundit kanionet e Osumit, i kanë përcaktuar ata më të bukurit dhe më të veçantët në Evropë. Disa të tjerë të huaj kanë guxuar t’i quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe papërsëritshme e natyrës”.
Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanionet e Osumit janë me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës.
Si shfaqet mrekullia!…
Skrapari, për çudi dhe fat, ka dy kanione që janë fare pranë qytetit, lehtësisht për t’u vizituar e për të përftuar prej tyre kënaqësi e mbresa të pashlyeshme, kanioni i Gradecit dhe ai i luginës së Osumit. Lumenjtë lozonjarë që rrjedhin poshtë tyre, si dega që vjen nga Ostrovica dhe Osumi, që vjen nga Kolonja, duket sikur mburren me krijesën e tyre plot forma të skalitura me finesë të strukturave gëlqerore antiklinale.
Kur udhëton në brendësi të këtyre kanioneve 70- 80 m të thellë, mahnitesh nga bukuria e tyre. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, ca si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej.
Por këto afeksione nuk janë e vetmja mrekulli e këtyre kanioneve, në disa sektorë të tyre shfaqen ujëvara të mëdha që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kështu na kanë thënë shumë vizitorë, që janë rikthyer disa herë për të vizituar këto monumente të mrekullueshme të natyrës.
Kanionet e Osumit kanë larmi formash dhe fenomenesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë, pika të bukura verore (plazhe në formë xhepi) të mbuluar nga hijet e rrapeve shumëvjeçarë, të cilët frekuentohen çdo vit nga banorët e Çorovodës dhe fshatrave përreth. Ndër këto vende pikante, është ai i burimit të Varishtit, fare pranë qytetit, një pikë e mrekullueshme dhe me perspektivë turistike, që gjallërohet gjatë gjithë verës nga plazhistët vendas.
Histori dhe legjenda
Por kanionet kanë edhe vende me histori, mite e legjenda të lashta, si Mulliri i Babait, nën fshatin Zabërzan, Vrima e Nuses, pranë Pigazit, uji i ftohtë dhe hija e freskët e rrapeve te Stolat, ku bashkohet Osumi me përroin e Malindit, Vahu i Grepckës etj. Por ai që tërheq më shumë, është vendi i shenjtë i Gjurmës së Kalit të Abas Aliut, nën fshatin Dhores, i lidhur me legjendën e lashtë të ardhjes së shenjtorit nga Qerbelaja në malin e Tomorrit. Këtu është ngritur edhe një objekt i vogël kulti ku falen, luten e therin kurbanë besimtarët bektashinj.
Vende-vende shpatet e thikta ngushtohen shumë. Banorët vendas qysh herët i kanë shfrytëzuar këto ngushtica, duke ndërtuar ura për të lidhur dy pjesët e krahinës. Urat fillojnë që në Çorovodë me një pasarelë të bukur, nga e cila mund të soditësh Varishtin piktoresk; ura e Sharovës, ndërtuar që në Mesjetë, ndoshta më herët, që në Iliri, tani e restauruar edhe për mjete të rënda; ura e Blesënckës, nga ku kontrollon me sy pjesën më të madhe të kanioneve, por edhe ujëvarat e Pigazit, Dhoresit dhe të Prishtës; ura këmbësore e Zabërzanit, te Mulliri i Babait, ndërtuar në një ngushticë prej 3 metrash, por me pamje mahnitëse të vijës së mullirit hapur në shkëmb, si një pasarelë mode, rrugës këmbësore me zik-zaket gjarpëruese që të ngjit në Zabërzan dhe një kishe bizantine eremite në krye të shkëmbit. Më tej, atje dhe ku fillojnë kanionet, ura tjetër e Lapanit, edhe kjo e bukur, por më shumë funksionale që lidh zonat e Çepanit, Malindit, Dangëllisë, Dëshnicës dhe Përmetit.
Atje poshtë, si në përralla
Soditja e bukurive të rralla bëhet në sofatet buzë shkëmbinjve, edhe ata të veçantë e të bukur, që shtrihen në të gjithë gjatësinë prej 13 km të kanioneve. Por pamja më tërheqëse përftohet atje poshtë, 70-80 m thellë, ku ka ngjire, ku ka shkëmbinj të veçuar nga faktorët atmosferikë, që u ngjajnë katedraleve gotike, ku ka një florë të veçantë me bimë e shkurre të stërzgjatura, që ngjiten lart për të kërkuar diell apo hardhi të egra që harlisin teposht shpenguar lastarët, ku ka fole pëllumbash, koshere bletësh në zgavrime, që në mot të mbarë pikojnë mjaltë.
Forma të çuditshme, disi të frikshme, poshtë në shtratin e lumit, ka krijuar rrjedhja e ujit në gjashtë ngushticat, të cilat nga njëri shpat në tjetrin nuk i kalojnë të 2-3 m gjerësi. Në këto ngushtica, por edhe në ato pak hapësira që janë poshtë, oshtima e lumit krijontinguj të çuditshëm sirenash antike. Por jo të gjithë e kanë fatin e përjetimit dhe perceptimit të këtyre mrekullive, pasi udhëtimi poshtë është shumë i vështirë.
Këtë kënaqësi e kanë provuar vetëm njerëz të guximshëm, aventurierë, apasionantë, si dhe këto 4-5 vjetët e fundit, turistë të huaj, italianë, francezë dhe të rinj shqiptarë, që e kanë kthyer në rit të përvitshëm vozitjen me kanoe dhe kajak, të vetmet mjete eksplorimi të të gjithë gjatësisë së lumit, madje që nga Dervishija e Miçanit.
Interes dhe vlerësim
Përveç vendasve, janë të pakët njerëzit që janë ndeshur me surprizat e këndshme që të ofrojnë pamjet madhështore të kësaj perle të natyrës. Kjo për shkak të publicitetit të pakët dhe të infrastrukturës. Megjithatë përditë e më shumë po shtohet interesi për ta kthyer këtë vend në zonë turistike të një turizmi të bardhë. Në ndihmë të këtyre përpjekjeve është botimi këto kohët e fundit i punimit “Monumente të Natyrës të Skraparit”, një libër me vlera njohëse, shkencore dhe turistike, por pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.

*
Gjithë gjatësia e kanioneve nga Çorovoda në Hambull, prej 13 km, përshkohet nga rruga automobilistike, e cila, edhe pse e pa asfaltuar, nuk është e keqe, dhe mund të bëhet me makina të vogla për një gjysmë ore, më këmbë 3 orë, me kanoe ose kajak 2 orë.
Gjatë rrugës nuk ke ku të hash e të pish, por ky nuk është ndonjë problem i madh, ai zgjidhet kur të kthehesh në Çorovodë, që s’është shumë larg, ku gjen hotele e lokale të pastër, të freskët, me një gatim tradicional të mishit të pjekur në hell, të shoqëruara me bulmetra erëmirë dhe, domosdo, rakia e famshme dhe e pa sharë.
Kush shkon në Skrapar tani, nuk e pyesin më “a pive raki”, se dihet…, por “a i pe kanionet”. Tjetër gjë, veç rakisë, që vendasit tani po ia njohin dhe zbulojnë më shumë vlerat.
————————-
Nga libri “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë historike dhe kulturore”, Zylyftar Hoxha, faqe 123, Tiranë 2000