
Në Mokër, në përmendoren e lashtësisë ilire
Mbi këtë vend të bekuar dora e Zotit ka shkundur hire natyrore pa kursim. Parë nga lart ngjason si qenie e gjallë e stërmadhe, shpërfaqur si një çudi në këtë cep të dheut, me kokë mbështetur përmbi Kozicë dhe trupin e hijshëm shtrirë gjer tutje fushës së Përrenjasit. Shkumbini, gjaku i saj i pastër e përshkon të gjithën si enë e spërdredhur pambaruar kurrë.
Mokra në Antikitet
Nuk ka asnjë grimë të historisë së kombit tonë ku Mokra të mos ketë qenë, në mos protagoniste, aktore me role të ndryshme sipas rastit. Nëpër rrjedhat e kohës, Mokra dhe mokrarët, krenarë e të përfillur, punëtorë e të besës, të mençur e shakaxhinj, të gjendur në të mira e të këqija si rrallë të tjerë. Kush vajti e nuk mbeti mahnitur nga përthyerjet dhe bukuritë e pashoqe të vendit e natyrës, nga pritja e ngrohtë që zë fill te shpirti i njeriut, nga ajo dollia e hollë plot nur, e vjetër sa dheu mokrar?!
Që kur, rrotull njëmijë vjet më parë, një perandor i huaj, habitur nga mullinjtë e shumtë (mokrat ) përgjatë lumit, shqiptoi për herë të parë fjalën Mokër, vendi mban këtë emër të rëndë me shumë kuptim.
Ka qenë një kohë kur trojet tona mbanin me bukë një zonë shumë të gjerë. Drithi mbillej e korrej në fushë, po bluhej në male se aty ishin mullinjtë, radhë-radhë e gjithfarësh, falë Shkumbinit ujëshumë dimër e verë. Dalëngadalë emri i krahinës u lidh ngushtë me bukën. Dhjetëra mullinj në Dunicë, Kalivaç, Trebinjë, Zëmçë, Slabinjë, Losnik e sa e sa fshatra të tjerë, bluanin pa pushim grurë e misër, që vinte nga anë e anës.
Gurët e mullinjve vërtiteshin hareshëm, zhurmonin dhe jepnin, pa u lodhur asnjëherë, bukën që mbante gjallë jetën e mijëra njerëzve të cilët udhëtonin ditë të tëra për të ardhur gjer këtu. Mullixhinjtë, mjeshtër të blojës, kishin zënë miqësi të shumta, se banorët e hershëm të fushës së Korçës, ata përreth liqenit të Ohrit e shumë më tepër se kaq, u jepnin me dëshirë nuse djemve mokrarë.
A mos është e rastit që përplasja e madhe e Skënderbeut me pushtuesit turq në përnisjen e saj u bë fushës së Përrenjasit dhe të parët luftëtarë ishin mokrarët? A mund të gjejë njeriu, sado të përpiqet, ndonjë qoshe të historisë së trazuar të atdheut tonë ku mokrarët të mos kenë qenë rreshtuar në anën e zhvillimit të kombit, sado vetëmohim e mund të jetë dashur?
Sigurisht nuk mund të gjejë se kjo copëz e sertë e dheu të arbrit, nuk ndenji kurrë mënjanë përballë dallgëve të betejave në të gjitha kohët e shkuara.
Varret e Selcës
Varret e Selcës gjenden 40 km larg Pogradecit, në zonën malore të Mokrës, në Selcën e Poshtme. Evidentohen për herë të parë në vitin 1948, nga arkeologu Hasan Ceka. Në vitin 1967 muzeu i Pogradecit bëri gërmimet e para tek varrezat e Selcës tek vendi si teatër.
Në vitin 1968 filluan gërmimet e gjëra në drejtimin e një ekipi dhe deri në vitin 1972 u zbuluan mbi 70 objekte, bronzi, bakri, qelqi, argjendi, të cilat u dërguan në Muzeun Kombëtar, ku janë të ekspozuara. U zbuluan pesë varret e Selcës së Poshtme. Katër nga këta varre janë gdhendur si tunele në shkëmb dhe njëri është i rrethuar me blloqe katërkëndore guri.
Brendësia e varreve përbëhet prej një paradhomë dhe dhoma e varrimit, me një shtrat prej guri për trupin dhe rafte për pajiset e varrimit. Mbi varret është një shesh orkestre për ceremonitë e varrimit.
Selca u themelua në shekullin e VI p.e.r, u fuqizua në shekullin IV-III, kur u ndërtuan muret, që rrethonin një sipërfaqe prej tre hektarësh. Në këtë rajon u formua një shtet i fuqishëm Ilir, me vendbanime dhe kështjella rrotull Liqenit të Ohrit si: Enkelana, Lyhnidos, Pelion, Sation, Baos etj.
Këto qendra kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftërat IliroMaqedonase dhe Iliro-Romake. Lulëzimi i kësaj zone u rrit mjaft ndjeshëm me ndërtimin e rrugës Egnatia.
Të pesë varret monumentale janë mbresëlënës dhe unikalë në Evropë për nga aplikimi i tyre.
Varri Nr. 1, me 8 shkallë poshtë, është varri i mbretit Monaur. Varri lart ka pasur edhe varrin e mbretëreshës së tij. Kjo starton në vitin 350 para Krishtit.
Varri Nr. 2, më madhështori, i vitit 280 para Krishtit.
Varri Nr. 3 dy lartësi ngjitje me shkallë.
Varri Nr. 4, i ndërtuar në vitin 200 para Krishtit, këtu mbyllet cikli i varreve të Pelionit. Pas kësaj nuk flitet. Kanë shkuar drejt bregdetit. Këtu mbyllet cikli i Bardhylit të ri.
Varri i 5-të është poshtë varrit të mbretit të mesëm. I ngjan varrit të Filipit II-të maqedonas. Është i një shtrese të pasur, jo i mbretit.
Në Mesjetë
Nga burimet e shkruara arkivore Mokra përmendet për herë të parë në Mesjetën e hershme në shekullin e XI në një letër ku perandori Justinian i dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Johanit, në të cilën përmend një krahinë të populluar me shumë mullinj (mokra). Ky vend ishte i pasur dhe i njohur pasi rrihej prej karvanesh të shumta që udhëtonin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas.
Në Mokër kalonte një degëzim i rrugës Egnatia. Në shekullin e XV Barleti e përmend Mokrën, Mokreu siç i thotë ai, si një krahinë të madhe që shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës, Përrenjasin e sotëm, deri në vendin që quhet Sofra e Skënderbeut.
Kronisti i famshëm thotë se mokrarët ishin burra të besës, shumë trima, të shpejtë si vetëtima dhe nishanxhinj të mëdhenj. Ndoshta nuk është fare e rastit që beteja e parë e Skënderbeut me turqit u bë pikërisht në fushën e Domosdovës dhe të parët që u gjakosën me pushtuesit otomanë ishin mokrarët. Krahina ishte nën zotërimin e Gjergj Arianitit, apo Gjorg Golemit siç e quanin mokrarët.
Me një thirrje të zotit të tyre ata mblidheshin tufa-tufa, të armatosur më së miri dhe me këngë në gojë shkonin në luftë ku dalloheshin mbi të tjerët. Barleti thotë se në gjallje të Gjergj Arianitit, turqit nuk hynë asnjëherë në Mokër se ishte vend me shumë male e shkëmbinj, e në çdo shteg kishte një burrë që ruante natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore.
Gjer vonë në fshatrat e Mokrës këndohej kënga që përjetëson motet e lavdishme: “Gjorg Golemi na çoi fjalë,/ Angjelini të më dalë/ Me ata trima mokrarë/ Kush më këmbë e kush me kalë/ Të marrë rrugën përpjetë/ Të dalë te gurët e gjetë”.
Gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare, Mokra u bë nga vatrat më të spikatura të përhapjes se shkrimit dhe këndimit shqip në tërë qarkun e Korçës e mëUdhëtime nëpër Shqipëri 61 gjerë.
Në fillim të shekullit të XIX mërgimtarët e fshatit ndërtuan në Podgozhan një shkollë greke e cila daton që në vitin 1811. Në vitin 1891, vetëm 4 vjet pas hapjes së të parës shkollë shqipe në Korçë, në shkollën e Podgozhanit At Jovan Vako u mësonte fshehurazi fëmijëve gjuhën shqipe me gërmat e alfabetit të Sami Frashërit.
Mokra sot
Pas ndryshimeve të regjimeve të viteve 1990, fatkeqësisht Mokra filloi të braktisej. E shpërfillur si kurrë më parë, lënë mënjanë pas dore e mbuloi pluhuri i harresës. Syri të zinte fshatra gjysmë të braktisur, lagje të tëra kthyer në murishte me ndonjë shtëpi të rrallë, ku më së shumti të zinte syri pleq që ecin gërmuqur rrugëve pa gjallëri dhe fëmijë, pasi të rinjtë dhe burrat në moshë rrihnin dherat e huaj, veçan ato të Greqisë. Por tani së fundmi kanë ndyshuar disi gjërat. Njerëzit kanë filluar të rikthehen e të gjallërojnë jetën në fshat.
Në Komunën Trebinjë, në Mokrën e Sipërme, një nga më të mëdhatë në Qarkun e Korçës, numërohen rreth katër mijë banorë. Janë 15 fshatra, në një terren malor, ku gjendet 70 për qind e fondit të pyjeve e kullotave që ka rrethi i Pogradecit, ku të rinjtë, më shumë se prindërit e tyre të kaluar në moshë, e shohin këtë pasuri si garanci për zhvillimin e tyre ekonomik tani e në të ardhmen.
Mjaft prej banorëve, që dikur ishin larguar në Pogradec, po rikthehen në shtëpitë e braktisura dhe i restaurojnë ato sipas kohës, po mbjellin drufrutorë dhe sytë i kanë edhe tek prodhimet e dyta të pyllit, veçanërisht për bimët medicinale, me të cilat kjo zonë, deri në majën më të lartë të saj në malin e Kozicit, është ndër më të pasurat.
Punës në fshat sot i janë kthyer të gjithë, se përpos plotësimit të nevojave të veta, asnjë nga prodhimet nuk u shkon më kot. Edhe grupimet e mëdha të fermerëve kanë mugulluar si ato sythat e pemëve në pranverë.
Por ajo që po i sjell njerëzit përsëri këtu, është rruga Qukës – Qafë Plloçë, një “rrugë legjendare” që ka “ngrënë”miliona lekë, e cila do ta gjallërojë Mokrën.
——————
Zylyftar Hoxha: “Udhëtime nëpër Shqipëri”, guidë kulturore dhe historike”, faqe 57 – 61