Në Staraveckë
Më vjen mirë që organizatorët kanë pasur mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë që libri i Xhelal Staraveckës të promovohet për herë të parë, pas botimit, pikërisht këtu, në vendlindjen e tij, në Staraveckë.
Dhe kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme.
Është, së pari, një gjest simbolik. Sepse vendi i parë dhe më i natyrshëm ku duhet të kthehet një bir, me gjithë historinë e tij, me dritat dhe hijet e saj, është vendlindja. Është vendi që duhet ta njohë, ta gjykojë dhe, mbi të gjitha, ta pranojë si pjesë të vetvetes. Të mirë apo të lig, të lavdishëm apo të diskutueshëm, ai është biri i saj. Dhe, siç thotë populli, bështyma, sado lart e larg ta hedhësh, prapë të bie te këmbët.
Së dyti, sepse ka kaluar kohë.
Dhe koha, kur kalon mbi historinë, ka një të mirë të madhe: largon emocionet e çastit, qetëson gjakrat dhe, pak nga pak, heq perdet ideologjike që dikur nuk na lejonin të shihnim njeriun, përtej etiketës.
Sot kemi mundësi t’i shohim këto figura me një sy tjetër. Më të qetë. Më të kthjellët. Më njerëzor.
Dhe së treti, sepse autori i dytë i këtij libri, Naim Zoto, ai që e ka mbledhur, përpunuar, sistemuar dhe sjellë këtë histori te lexuesi, nuk është një i huaj për këtë vend.
Në mos është nga fshati, është nip i tij. Dhe, ndoshta, më shumë se kushdo tjetër që mund ta merrte përsipër këtë punë, ai njeh balancat, marrëdhëniet, kujtesën dhe psikologjinë e kësaj treve. Njeh jo vetëm dokumentin, por edhe njeriun që qëndron pas dokumentit.
Dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Sepse nuk po flasim thjesht për një libër. Po flasim për kujtesën e një vendi.
Nuk e di sa i kanë prishur punë Staraveckës, Xhelal Staraveckës apo sivëllait të tij, Demir Staraveckës, historitë e tyre të jashtëzakonshme; aq interesante, sa edhe kontroverse; aq të mëdha, sa edhe të dhimbshme.
Por një gjë është e sigurt: në fund të fundit, mbi gjithë këtë histori qëndron një kapak atdhetar. Dhe në mos i artë, ai është të paktën i pandryshkshëm.
Unë kam mendimin se Staravecka nuk duhet ta vuajë më peshën negative të emrit të tyre.
Sepse, në fund të fundit, ata i kanë mbajtur vetë në kurriz bëmat e tyre. I kanë paguar vetë çmimet e zgjedhjeve të tyre. Madje, në një moment, edhe me jetën e tyre.
Por ata ishin bijtë e këtij vendi.
Dhe sot, kur kanë kaluar kaq shumë vite, mendoj se ka ardhur koha të ndajmë njeriun nga etiketa, historinë nga propaganda dhe faktin nga thashethemi.
Sepse, duke lexuar librin e Naimit, ne nuk përballemi me llafe.
Përballemi me dokumente.
Dhe duhet të ma besoni këtë: kur ta lexoni librin, do të më jepni të drejtë.
Staravecka duhet të krenohet me Xhelal Staraveckën.
Po, duhet të krenohet!
Sepse Xhelal Staravecka, në shkallën hierarkike dhe historike të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, renditet ndër figurat kryesore të saj.
Emri i tij, pavarësisht kontekstit apo konotacionit me të cilin është përdorur në dokumentet dhe në shtypin botëror të kohës, madje edhe në dokumentet e kundërshtarëve të tij, del me një peshë që në shumë raste ia kalon edhe emrave që sot na duken të padiskutueshëm.
Këtë mund ta marrësh si mburrje ose si akuzë.
Por një gjë nuk mund ta mohosh:
Xhelal Staravecka ishte një figurë me peshë.
Dhe, në histori, pika mbi gur bën gropë.
Pikërisht këtë gropë, këtë hapësirë të errët dhe kontradiktore të kujtesës sonë, libri i Naimit përpiqet ta ndriçojë.
Dhe e ndriçon me dokumente.
Në mos gaboj, Xhelal Staravecka, që nga viti 1939, bëri mbi pesë vjet luftë në Shqipëri, në pozicione të larta drejtimi dhe komandimi.
Katër vjet i kaloi me Nacionalçlirimtaren në zonat e Skraparit, Beratit, Korçës, Kolonjës, Përmetit e Mallakastrës.
Ishte një nga figurat kryesore ushtarake të këtyre krahinave, me autoritet dhe personalitet të padiskutueshëm. Komandant i zoti, i rreptë, profesional dhe i aftë në fushën e betejës, me humbje minimale njerëzore në krahun e tij.
Por edhe ai vit që bëri në krahun e kundërt, nuk e zhveshi nga këto cilësi.
Përkundrazi.
Edhe aty shfaqet po ai Xhelal: i drejtë, i rreptë, profesional dhe mbi të gjitha, një atdhetar idealist.
Vitet e tij në Tiranë, si pjesë e xhandarmërisë dhe e administratës së kohës, janë një kapitull më vete. Një kapitull tepër interesant, që tregon një njeri me aftësi të jashtëzakonshme drejtuese, i cili përpiqej të mos lejonte që posti i tij të kthehej në shërbim të verbër të regjimit dhe politikës.
Kultura demokratike perëndimore që kishte marrë, normat njerëzore dhe zakonore shqiptare, si dhe autoriteti që kishte krijuar si ushtarak, e bënin një figurë jo të zakonshme për kohën.
Thuhet se, pavarësisht se në krye të qeverisë ishin gjermanët, në zyrën e Xhelal Staraveckës ata mendoheshin dhjetë herë para se të trokisnin.
Kaq autoritet i kishte dhënë arma, posti dhe personaliteti i tij.
Por, ndoshta, edhe më shumë frikë kishte te krerët e Ballit Kombëtar, të cilët, sipas dëshmive të kohës, fshiheshin kur e shikonin.
Mund ta kritikosh Xhelal Staraveckën.
Mund ta kundërshtosh.
Mund ta gjykosh historikisht.
Por ka një kufi që nuk duhet ta kapërcejmë:
Trimëria nuk shahet. Burrëria nuk mohohet.
Dhe tani të marrim Demirin.
Tre vjet në Kolonjë.
Tre vjet luftë.
Tre vjet përballje.
Dhe, për një kohë të gjatë, në atë zonë, nuk pipëtinte as miza.
Italia pushtoi Shqipërinë. Ju e dini më mirë se unë se çfarë kanë hequr banorët e zonës së Korçës, Kolonjës e Përmetit.
Por po aq mirë duhet të dimë edhe se çfarë ndodhi atje.
Ishte puna, qëndresa dhe lufta më shumë se trevjeçare e Demir Staraveckës dhe e batalionit të tij që ndihmuan që kjo zonë të mbetej e lirë
Dhe kjo nuk është një hollësi e vogël e historisë.
Kjo zonë u bë, për gjashtë muaj me radhë, rezidencë e Shtabit të Përgjithshëm dhe e misioneve të huaja.
Këtu, në Helmës, vetëm njëzet minuta larg nesh, u zhvillua Kongresi i BRASH-it dhe u përgatitën materiale të rëndësishme që lidhen me Kongresin e Përmetit.
Pra, historia e këtyre njerëzve nuk është vetëm historia e tyre.
Është edhe historia e këtij vendi.
Është historia e Staraveckës.
Është historia e Skraparit.
Është një copëz e historisë së Shqipërisë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sot mund të them gjëra që ndoshta nuk do t’i kisha thënë disa vite më parë.
Kur doli libri i parë i Xhelal Staraveckës, ndoshta do t’i thosha me gjysmë zëri.
Sot mund t’i them me zë të plotë.
Sepse libri i ri, i përgatitur nga Naim Zoto, sjell dokumentin.
Sjell datën.
Sjell ngjarjen.
Sjell dëshminë.
Dhe kur dokumenti flet, llafi hesht.
Prandaj, më shumë se kushdo tjetër, ju, bashkëfshatarët e këtyre dy figurave, duhet ta lexoni këtë libër.
Duhet ta njihni historinë e tyre.
Jo për t’i ngritur në qiell.
Jo për t’i shfajësuar.
Jo për t’i dënuar.
Por për t’i kuptuar.
Sepse një popull që nuk njeh historinë e bijve të vet, rrezikon të mos njohë as veten.
Dhe sot, këtu në Staraveckë, nuk kemi ardhur thjesht të promovojmë një libër.
Kemi ardhur t’i kthejmë vendlindjes një pjesë të kujtesës së saj.
Kemi ardhur t’u themi brezave të rinj se historia nuk është gjithmonë bardh e zi.
Ka dritë.
Ka hije.
Ka lavdi.
Ka gabime.
Ka dhimbje.
Por mbi të gjitha, ka njerëz.
Dhe Xhelal e Demir Staravecka ishin njerëz të historisë së tyre, të kohës së tyre dhe të vendit të tyre.
Sot, pas kaq vitesh, është koha t’i shohim me sytë e historisë, jo me sytë e urrejtjes.
Sepse koha mund t’i varrosë njerëzit, por nuk duhet të varrosë të vërtetën.
Dhe e vërteta, sado gjatë të vonojë, një ditë kërkon të dalë në dritë.
