Në Strenec, te Xhakollët

Në Strenec, te Xhakollët

 Dy ditë nëpër mrekullitë natyrore dhe turistike të Skraparit

Gëzim Voda

Pikërisht kështu i dëgjon të prezantohen ata pak banorë që sot kanë mbetur në këtë fshat rrëzë malit të Miçanit, rreth 40 kilometra larg nga Çorrovoda dhe po kaq nga Përmeti. Kur thonë që “jemi përmetarë e skraparas”, nuk është se janë ca nga Përmeti e ca nga Skrapari dhe rasti i ka bërë bashkë. Përkundrazi, janë të tërë autoktonë, strënecallinj “24 karat”.

 

Janë pjesë e atij vendi të lashtë ku dikur ka patur kisha e varre të vjetra të pa eksploruara, më pas xhami dhe ca më pas Mekam, që ekziston edhe sot. Strëneci, së toku me fshatrat Qeshibes, Kakos, Malind, Sevran, Bejkollarë e ndonjë tjetër, si pjesë e krahinës së Dangallisë me qëndër Frashërin që i takon administrativisht Përmetit, tradicionalisht janë quajtur përmetarë.

 

Më pas, për shkak të ndarjeve administrative ndër vite, janë bërë pjesë e Skraparit. Veçse, shpirtërisht “kërraba” për ta tërheq nga Përmeti. Ata që kam njohur e njoh unë si Xhemal Dauti, Sabri sevrani, Myfit e Vetëtimi Bejko, Myftar, Hajri e Fatmir Xhakolli, Qemal Kazaferi, Ylli Shahini, etj, pavarësisht ku banojnë, vendlindjen, apo dhe disa vite të shkollimit e deri të punësimit i kanë patur e i kanë në dokumentet personale; “Rethi Përmet”. “Kemi dhe ca tabiete jetësore- thotë dikush prej tyre-që nuk shqitemi dot nga qënia përmetarë…”.

Si një dëshnicar nga Përmeti, fqinj me shumë fshatra të Skraparrit, rasti më kish shpurë deri në Çorrovodë, kryeqëndra e kësaj treve, por jo më tej. U desh këmbëngulja e Niazi Xhakollit (pinjoll i Xhakollëve të Strënecit), që më 14 qershor të këtij viti tok me Xhemali Dumen dhe Kristaq Priftin, si katër miq të hershëm në Durrës, ku ndër të tjera na kish bashkuar edhe zanati si “hekuraxhij”, të mernim rrugën për në vendlindjen e tij. Ishte një ftesë e kahershme e Niaziut për t’na shpurë në vendlindje, nga që në atë datë bëhej pelegrinazh zonal në Mekamin e atij fshati.

 

Ishte nderim për Dervish Aliun, i cili përveç se klerik bektashi, kish qënë një patriot i thekur rilindas, mik me Naim Frashërin që kish qënë dikur në atë fshat dhe kish folur për arsimin shqip. Për këtë dervish ishte ringritur pak vite më parë ai kult bektashi nga fisi i Xhakollëve me në krye Hajri Xhakollin.

 

U nisëm me vapë nga Tirana e Durrësi, por në darkën e datës 13 qershor që e kaluam në Çorovodë, ndjehej freskia e lumit Osum dhe e maleve përrreth. Madje edhe e një vese shiu, çka lipsej një “spesor” shtesë në veshjen tonë. Por para se të mbrinim aty, Niaziu si ata pleqtë e qëmotshëm që njatjetonin me përshëndetje këdo që këmbeheshin në rrugëtim, do të takonte domosdo në Poliçan bashkëfshatarin e tij Qemal Kazaferin, ish specialist që nga fillimi në Kombinatin e mirënjohur të atij qyteti, me të cilin kafja dhe ai pak muhabet me të qenë të këndshëm.

 

Akoma më të  këndshëm ishin darka dhe mëngjezi tek lokali i bashkëfshatarit tjetër të Niaziut, Ylli Shahinit, në pjesën sipërore të Çorrovodës . Nuk ishte vetëm gatimi i dukshëm “bio”, por dhe shërbimi me zemër dhe i kulturuar i tij dhe i dy zonjave pjesë e familje së vet. Në dërën e lokalit shkruhej “Ylli Strëneci”, por nga sa mësuam, për shkak të frekuentimit prej të tjerëve, sidomos nga turistë të juaj, ai mbase meritonte të konsiderohej: “Lokali, Ylli i Strërnecit”. Se yje nuk dalin vetëm në art, kulturë, sport, muzikë etj, por dhe në kulinari. Por edhe angazhimi i Hajri Xhakollit, kushri i Niaziut, ishte i veçanë ndaj nesh.

Shumëkush që ka shkuar deri në Çorrovodë, duke parë atë qytet disi “të strukur” mes malesh dhe lartësi të afërta me njëra-tjetrën, mund të mëndojë se ashtu është tërë Skrapari. Madje, i jep të drejtë vetës për këtë perceptim edhe nga ato çfar sheh në televizor për kanionete atij vendi që realisht “fshihen” në gryka shkëmbore të mahnitëshme. Mirëpo, nuk mund të thuhet se është fiks ashtu.

 

Sa kalon Çorrovodën dhe drejtohesh për në zonën e Çepanit, Potomit dhe të Dangëllisë ku do të mbrinm ne, hapësira zgjerohet, vështrimi shkon më larg, kanionet here rrinë ngushtë dhe herë hazdisen. Gjithësesi, rruga shkon bri tyre, ashtu të thella, kurreshtare e të frikshme, të cilat herë skuqin e zbardhin sipas ngjyrave të shkëmbijve që marrin nga dielli, herë i mbulon gjelbërimi dhe herë humbasin mbas “lirisë” çfarë ka realizuar natyra me to.

 

Domosdo, do të ndalonim tek dy vendet e shenjta: “Gjurma Abas Aliu” dhe “Vrima e Nuses”, që të dyja buzë greminave shkëmbore të Osumit. Por ajo që përbënte një befasi me vete për ne “të pa parët”, ishte vendi që quhej “Mulliri i Babait” dhe “Ura e Dervish Muhmetit Hasanaj”, si zgjatim i njëra tjetrës. Nuk gaboj të them se, nëse ka mbrekulli natyrore në Botë apo në Shqipëri, ajo çfarë shfaqet aty, eshtë një mbrekulli njerëzore.

 

Janë më shumë se 70-80 metra kanal mbi 4 metra i thellë që shkon deri nën nivelin e lumit Osum i gdhëndur e i hapur tërësisht në një shkëmb mbi 30 metra i lartë, i realizuar vetëm me krah nga njeriu, pa thënë askush kur është hapur dhe nga kush. Çfarë shihet, flet për realizimin e një vepre monumentale mjaft shekuj më parë. Buze atij kanali, jo më shumë se 1,5 metra e gjerë është rrugë kalimi për njerëzit dhe kafshët me gurë e pllaka të lëmuara prej këmbëve të kalimtarëve. Në fund, përmes një ure më pak se 10 metra e gjatë del tek shkëmbi ku është pllaka për Dervish Muhametin, për të shkuar në Blezënckë, Zabërzan e më tej.

 

Një rrugë që me pak pavëmëndje, rrezikon të bjesh ose në Osum, ose në kanal dhe më pas nuk I dihet jetës. Veçse, e frekuentuar nga turistët e huaj, të cilët nuk munguan as në ato pak minuta tonat aty, ku në një rast dy nga ne bëmë një foto me një çift gjerman. “Vënde të mahnitshme, me njerëz shumë mikpritës-thanë ata- por me diferenca të ndjeshme mes shumë të varfërve dhe shumë të pasurve…”! Pak ditë rri në Shqipëri i huaji, dhe e konstaton këtë fakt!

 

Pastaj, lamë djathtas rrugën e asfaltuar tek tabela “Çepan” dhe morëm trasenë tradicinale të kohës “koopërativiste” mes gjelbërimit të pafund me shkurre,  drurë lisi, shkoze, frashëri, etj, e dolëm në Malind, fshati i poetit të madh Xhevahir Spahiu, ku miku ynë Niaziu ishte nip.

 

“Mirëseardhjen” na e dha shkolla e fshatit me emrin e dëshmorit “Hajdar Nonaj”, por embetur rehen. Rrugës për në Strënec pa shkuar në Muzhënckë, “u këmbyem” me një tufë lopësh që kullosnin dhe “strehoeshin” në qejfin e tyre nën kujdestarinë e një miku të Niaziut.

 

Në Strënec mbritëm në mesditë. Udhëtimi qe pa siklet sepse rruga mirëmbahej. Në kohrat kur si kudo dhe në këto anë fshatrat janë braktisur dhe banohen nga pak njerëz, tingujt e orkestës dhe një valle nga disa të rinj të Strënecit tek sheshi i Mekamit të Dervish Aliut ku gjendeshin dhe banorë të tjerë, sikur shtonte optimizmin se mund të jetohej mirë dhe aty. Ta shtonte këtë ndjesi edhe shtëpia dy katshe ku banonte Fatmir Xhakolli, mësuesi i fshatit. Jo vetëm porta me hark me gurë të gdhëndur për merak dhe pamja e jashtme e asaj shtëpie, por sidomos brëndësia e saj me orenditë e kohës, dhe takëmet e tjera, nuk linte asnjë ndryshim nga një shtëpi e zakomshme në Tiranë apo gjetiu.

 

Mbasi kishim kryer adetet brënda Mekamit të orientuar nga motra e Myftarit dhe Fatmirit nga Xhakollët, Asija, e vajtur nga Tirana, aty e kaluam drekën në nderim të asaj dite të shënuar për atë fshat. Ishim 13 vetë kryesisht Xhakollarë e miq të tyre. Sipas zakonit vendas ai që e drejtonte muhabetin ishte Myftar Xhakolli, një burrë i qetë, i matur dhe jo pa humor që dëgjohej në fis dhe meritonte respektet nga të gjithë ne, i cili tani rrinte kryesisht në Tiranë.

 

Kish qënë mjaft vite kryetar i Kooperativës së Malindit ku përfshiheshin disa fshatra mes tyre edhe Strëneci. Atij i kish takuar ta mbyllte ekzistencen e saj si e tillë. Por kish një histori të sikletshme më Mehmet Shehun kur ai ishte Kryeministër i vendit. Në maj të vitit 1981, ai kish qënë në ato anë dhe i kish vënë detyrë me afat 6 muaj për të bërë një urë në përroin e rrëmbyer kur ngjitesh në Malind, në të kundërtën, e kish kërcënuar se “do ta varte” në ndonjë rrap të asaj ane. Por ai e pësoi vetë pa u mbyllur viti 1981.

 

Në atë drekë ishin edhe tri motra e një vëlla i tyre nga Mërtinji i Dësnicës nga isha unë, që kishin miqësi me Xhakollët (Alma, Shqiponja, Anita dhe Bujari) si dhe Valbona bijë nga Leskoveci po i Dëshnicës, bashkëshortja e Bujarit që rrinin në Ksamil. Interesant ishte se mes muhabetit erdhi e përshëndeti i moshuari Shefqet Naço, i biri I hoxhës së dikurshëm të atij fshati, Avdurrahman Naços (Dukes), ose njërit prej mësuesvë më të hershëm të shkollë së fshatit, e hapur në filim të viteve 1930.

Fjala nxori fjalën dhe fshati Strënec dhe fisi i Xhakollëve kish historinë e vet atdhetare e patriotike në luftrat që kishin rënë për mbrojtjen e vatanit. Tregohej për qëndrestarinë fshatshe ndaj andartëve grekë në vitet 1913-1914 dhe vuajtjet e asaj kohe; qëndresën me armë në dorë të Xhevaires së Xhakollëve ndaj austriakëve në vitin 1916 deri sa u ajo vra prej tyre;  për 13 luftëtarë strënecas që morën pjesë në Luftën e Vlorës më 1920, mes të cilëve Xhemal Xhakolli (babai i Niaziut), i dekoruar “Për Veprimtari Patriotike”; për pjesëmarrjen e 33 strënecallijve (4 nga Xhakollët), në radhët partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, 10 nga të cilët në Brigadën e 6-të, ku bënte pjesë edhe vëllai madh i Niaziut, Nexhipi Xhakolli, cili tre vjet në fillim të viteve ’60-të ishte kryetar Kooperative në ata fshat.

 

Prej këtij fshati kanë dalë edhe personalitete në fusha të ndryshme si “Heroi i Punës Socialiste” Kujtim Nanushi (traktorist); Deputeti i sotëm i Kuvendit të Shqipërisë Nasip Naço; Profesori i Ekonomisë Perlat Lame; Piloti Ylli Sinani; ish futbollisti i kombëtares Ilir Lame; Inxhinieri i njohur mekanik Muke Xhakolli; oficerët me detyra të rëndësishme Sali Xhakolli e Sefedin Sinani, etj. Prej aty i ka rrënjët edhe Profesore e Asociuar e Universitetit “Aleksandër Mojsiu në Durrës Blerina Xhakolli, vajza e Niaziut, e cila nuk ka ndëjtur pa e shkuar në Strënecin e të parëve të saj.

 

U larguam që andej me mbresa që nuk harrohen kollaj. Nuk ishte vetëm vendi mes selishtave të gjelbëruara me arrë, qershi, bajame e pjergulla, etj por dhe pamjet piktoreske përballë deri në Backë e qafën e Martës.

 

Njëherazi, qënia rrëzë malit të Miçanit, aq i veçantë si konfigurim por edhe për kullotat e bagëtive. Mbi të gjitha bujaria dhe mikpritja me buzë të qeshur e atyre njerëzve të mirë, ndonse larg qytetit në të jetuar, por të qytetëruar në shpirt. Sigurisht edhe përkushtimi maksimal i Niaziut për të nderuar jo vetëm ne si vajtës, por edhe për respektin shëmbullor ndaj fisit të tij.

 

Tiranë, 17 qershor 2022