Në Zaloshnje, në prehëtoren e bukur dhe të shenjtë të Baba Riza Qatos

Në Zaloshnje, në prehëtoren e bukur dhe të shenjtë të Baba Riza Qatos

 

Asketizmin pas zhveshjes së petkut fetar dhe rruajtjes së mjekrës, e kaloi i heshtur, mes bashkëfshatarëve, në punë, në gëzime dhe hidhërime me ta.  I mbyllur në atë pjesë që i takonte të Vllazërisë Qato, ngryste dhe gdhinte ditët, jo si gjithë të tjerët, por si një njëri  Zoti, me një botë mistike dhe ëndrrash fetare që nisnin që nga Qerbelaja e shkretëtirës arabe, deri te kazma dhe “mjekra e rruajtur”  komuniste.

 

 

Duhet ta njihje atë botë me vuajtje dhe stërmundime njerëzore, pastaj ta kaloje nëpër mend. Vetëm një i përkushtuar, “i harruar dhe i syrgjunosur” në vetveten e e tij mund ta bënte këtë gjë.

 

Dhe ky ishte Baba Riza Qato Zaloshnja.

 

 

Për shërbestarët e Zotit, njerëzit e angazhuar brenda çdo religjioni fetar, nuk duhet të përmendësh vlerat njerëzore, nuk mund t’u vësh epitete dhe të vësh në dukje rrezatimin e mirësive të tyre, sepse ata shenjëtrinë e kanë marrë që në ditën e parë që i janë kushtuar këtij besimi.

 

I tillë, ishte Baba Riza Qato.

 

Shërbestarët e tyrbes së Baba Rizait, Bardhi Qato me bashkëshorten

 

 

Baba Riza Qato lindi në fshatin Zaloshnje të Skraparit në vitin 1915. Në moshën 12 – vjeçare braktisi familjen, për të shërbyer në teqenë e Brerimës.

 

 

U transferua në Teqenë e Çërricës, ku pas tre vjetësh shërbimi, vishet dervish nga Baba Paja.

 

 

Pas veshjes dervish, transferohet në teqenë e Kulmakut dhe më pas në atë të Krujës.

 

 

Nga Kruja vjen përsëri në Skrapar dhe vendoset në teqenë e Prishtës.

 

 

Në vitin 1954, me miratimin e Kryegjyshatës Bektashiane, emërohet  Baba në teqenë e Kuçit të Tomorricës. Aty shërbeu deri sa në vitin 1967 regjimi komunist mori reformën drastike të shembjes së institucioneve fetare.

 

 

Për 20 vjet, nga viti 1967 deri në vitin 1987, kur gjeshtisi, ndënji  pothuajse i ngujuar në truallin e tij të lindjes me dinjitet, urtësi dhe i respektuar nga të gjithë. Aty në atë qoshezën e tij vinin dhe luteshin fshehurazi besimtarë të shumtë, edhe pse ishte e ndaluar.

 

 

Sot  në kë të qoshez ngrihet një faltore e bukur dhe e shenjtë, ku vijnë e falen besimtarë të shumtë të sektit bektashi  dhe jo vetëm.

 

 

Janë nipërit dhe stëripërit e tij, ndërmjet tyre, më i vëmendëshmi dhe më i kujdesshmi, Bardhi Qato me bashkëshorten, që kanë krijuar këtë mjedis të këndshëm religjioz, ku besimtarët shpalosin dhe hapin zemrën  e tyre, shkarkojnë me lutje dhe falje hallet dhe mundimet e tyre shpirtërore, por edhe ngarkohen me energji dhe ndjenja pozitive për jetën.

 

 

Le të shërbejë rasti i këtij shkrimi të shkurtër përkujtimor në “Orakujt e Tomorr”, si një lutje:

 

I shenjtë dhe i përjetshëm kujtim Yt, Baba Riza!…

 

 

Ferk, për të gjithë ata që luten dhe falen për Ty dhe te Ty!