Neim Mustafaraj, një nga studiuesit dhe krijuesit më të mirë dhe më në zë të Skraparit në fushën e trashgimisë kulturore popullore

Neim Mustafaraj, një nga studiuesit dhe krijuesit më të mirë dhe më në zë të Skraparit në fushën e trashgimisë kulturore popullore

  

 

Neim Mustafaraj lindi në Radësh të Skraparit më 17 mars të vitit 1920.

 

Shkollën fillore Neim Mustafaraj e mbaroi në qytet, në Çorovodë, duke udhëtuar çdo ditë një orë e gjysmë rrugë. Uniken e filloi në Berat, por bëri vetëm një klasë, klasën e pestë, pasi për shkaqe ekonomike e ndërpreu.

 

 

Ishte 18 vjeç, në vend të shkollës filloi punën, natyrisht punë krahu, madje edhe të rëndomta në fronte që kishte hapur Italia në disa qytete të Shqipërisë. Aty vjedhurazi mësoi edhe shkrim e këndim. E pati me aq pasion shkollimin, sa në mënyrë autodidakte arriti në nivelin e një mësuesi të kompletuar.

 

 

Kishte kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, mësues Neimi, krahas shkollës, u bë edhe pjesë e Çetës të luftëtarëve të Radëshit në Komanda e Vendit.

 

 

Çlirimi i vendit zgjoi ëndrrën e kaherëshme për ta nisur atje ku e la. Përfundoi arsimin 7-vjeçar, filloi të studionte për mësuesi në shkollën pedagogjike të Beratit.

 

 

Në moshën 44 vjeç të përfundon studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë-Letërsi.

 

 

Fillon punë si mësues në shumë fshatra të Skraparin, ku e zinte një  vit, nuk e zinte viti tjetër. Veç si mësues dhe educator, ai kishte një pasion tjetër, një dashuri tjetër edhe më të fortë, edhe më rrëmbyese, që ishte mbledhja e folklorit popullor, i të gjitha formave, këngëve, valleve, tregimeve, përrallve, anekdotave, lojërave popullore, veshjeve, gatimeve tradicionale etj. etj.

 

 

I heshtur, si një bletë punëtore, ai “vilte” gjithçka dhe vintre shkarkohej në kosherën e madhe të Tiranës, Institutin e Folklorit dhe të Trashëgimisë Popullore. Aty ai ka pasurinë, thesarin e jetës së tij. Një kontribut i çmuar që e veçon nga ish – kolegët e tij në të gjithë Shqipërinë.

 

 

Miqtë e tij më të mirë ishin, vetë i drejtori i Institutit të Folklorit, Zihni Sako, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Mojsi Zaloshnja, Dhimitër Shuteriqi, Afërdita Onuzi, Dritero Agolli, etj.

 

 

Sa herë që Dritero Agolli do të vinte në Skrapar, do të bujtëte te Neimi. I kishte dhuruar Neimit një makinë shkrimi “Olivetti”, gjë e rrallë për kohën, të cilën ai “e lodhi” me punë deri sa u nda nga jeta.

 

 

Me gjithë atë thesar me vlera të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare që ka lënë, Neimi, i afrohet shumë Thimi Mitkos, folkoristit tonë të parë Rilindas. Shpesh ata që e njihnin dhe ia dinin punën dhe pasionin e tij, e thërrisnin “Thimi Mitkoja i Skraparit”.

 

 

Neim Mustafaraj, veç dosjeve voluminoze me dorëshkrimev në Institutin e Folklorit,veç dorëshkrimeve që ka në familje, që i kalojnë të 10 mijë faqet, ka dhe një vepër të madhe të shkruar në dhe të botuar në disa libra.

 

 

Më i madhi, më i miri dhe më i veçanti libër, është vëllimi “Kënga popullore e Skraparit”, i redaktuar nga Akademikët Xhevahir Spahiu dhe Shaban Sinani. Vëllimi përmbledh balada, këngë nizamësh, këngë kurbeti e këngë të tjera elegjike, këngë historike, dëshmorësh, këngë dashurie, dasme, këngë djepi dhe lirika të tjera.

 

 

Botime të tjera ai ka: “Toponimia për 81 fshatra të Skraparit”, “Fjalët e rralla”, “Shprehje frazeologjike”,”Përralla dhe gjë a gjëza” etj., pa llogaritur artikujt dhe pasurinë folklorike në shtypin e shkruar të viteve 1960 – 1990.

 

Studiuesi Neim Mustafaraj mbetet ikonë e një njeriut punëtor, skrupuloz, intelektual klasi  që ka lënë pas një pasuri të paçmueshme.

 

 

Emri i Neim Mustafaraj radhitet me plot dinjitet në fondin e artë të studiuesve dhe krijuesve më të mirë dhe më në zë të Skraparit të të gjitha kohërave.