“Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: NISHICA

“Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: NISHICA

Mitat Musabelliu

Në jugperëndim të qytetit të Çorovodë, rreth 8-9 km, në një shpat të pjerrët, të veshur me shkurre dhe dushk shtrihet fshati Nishicë. Fillon nga lartësia 300 metra mbi niveli e detit dhe shkon deri në 1250m mbi nivelin detit në majat mbi fshat,Tënda e Qypit dhe Memelashi.

 

 

 

Pozicioni gjeografik

 

Një përrua i thellë përshkon pjesën gjatësore, duke grumbulluar ujrat e fshatit dhe në fund të fshatit bashkohet me përruan e Veleshnjes duke vazhduar rrugën drejt Osumit.

Nga pjesa lindore, përballë fshatit, shfaqet një terren i thyer, me përroin e madh dhe shkëmbenjtë që nder shekuj janë krijuar nga rrëshqitjet e tokës.

 

Sipas rrëfimeve të të moshuarëve, mëson se Nishica me fshatin Liqeth dhe Slatinjë në lindje kanë qenë të lidhur, por janë shkëputur më vonë nga erozioni i madh.

Veç Liqethi e Slatinjës Nishica kufizohet dhe me fshatrat Rovicë, Veleshje dhe Toshkëz e Kajcë të Përmetit në anën tjetër të malit.

 

Lashtësi

 

Historikisht, nga të dhënat gojore bres pas brezi, Nishica si fshat është banuar në kohë të herëshme. Ka hamendësime se emri Nishicë, vjen nga fjala nis, së cilës i shtohte prapashtesa –sicë. Por është një version jo shumë i besueshëm. Mundet të lidhet me ndonjë fjalë sllave dhe jo shqipe, pasi ka edhe shumë toponime të tilla në fshat si Martenica, Mokrica, Lirishta, Elbishta, Kokopishta, Katunishta etj.

Për lashtësinë e fshatit flasin gjetje të ndryshme arkeologjike fragmente enësh qeramike, tuba qeramikë, pitosa dhe qypa të mëdhenj me  1.2 m lartësi dhe 0.6 m.

 

Kubeja, Varri i Pashait

 

Një objekt i ndërtuar në vitet 1600 ka qenë Kubeja, një tip ndërtese që nuk gjendet në asnjë fshat të  tjetër të Skraparit.

Ka qenë një nga ndërtesat më të bukura dhe më të veçanta të fshatit, vendosur në lagjen e poshtme. Ndërtesa shumë e dukshme nga të gjitha anët dhe lagjet e fshatit, 6 metra e lartë, ishte gjashtëkëndëshe dhe kishte 6 dyer në çdo faqe me dimensione të njëjta.Ajo ngjante tamam si një kube që ndodhet sot në lagjen mMangalem të Beratit, por që ishte më e madhe se ajo.

Pas themeleve me pllaka guri, muri lart ishte ndërtuar me gurë çmërs. Kështu ajo dukej si një bllok i tërë guri gjigant.

Ndërsa mbyllej me kube, po me gurë çmërsi, më majë varej një send zbukurimi prej argjendi

Një, ndër shumë legjenda për varrin e Pashait ishte se nga fundi i shekullit të 16 –të një pasha ishte përzënë nga Turqia dhe vjen e vendoset në lagjen eposhtme të fshatit. Me enëse kishte para ai me tuba mori ujë nga lagjja e sipërme, por për këtë u vu në hasmëri me fshatin dhe, siç thoshin, janë vrarë 12 të vrarë nga të dyja palët.

Thonë se pashai e ngriti kubenë që në gjallje të tij për t’u varrosur aty. Dhe vërtet aty u gjetën disa varre, varri i tij me të shoqen, por edhe i pjesëtarëve të tjerë të familjes.

 

Kubeja do të ishte edhe sot më këmbë, po të mos e kishte prishur një mendje e mbrapsht në vitin 1953.

 

Lisi i Kubesë

 

Një monument tjetër i rrallë në Nishicë, veç kubesë ka qenë edhe një lis edhe një lis i madh, 70 metra larg kubesë. Aty ishin edhe varrezat e fshatit. Lisi ishte rreth 30-40 metra i lartë, me një perimetër 7 metra. Në verë kurora e bukur dhe e dendur e tij lëshonte një hije të freskët. Lisi dallohej që larg.

Tregonin se kur vinin fshatarët nga pazari i Korçës, e dallonin atë që nga Galinat e Qafës. Në këtë lis nuk vinte sopatë njeri, pasi ishte i shenjtë.  Edhe një herë, sipas pleqve, një fshatar me emrin Rushit, kur hodhi kërrabën dhe shkundi ca gjethe, u sëmur keq, pati ethe të forta gjithë beharin deri sa ranë gjethet e lisit, pastaj nëdimër u shërua.

Veç shenjtërisë, kty lis ishte edhe simbol i bashkimit të fshatit. Këtu Themistoki Gërmenji si nënprefekt i Skraparit, më 1913, në emër të Qeverisë së Vlorës mblodhi luftëtarë për t’u mbrojtur nga pushtuesit grekë në vijën Diavat – Sevran e deri në Tenden e Qypit.

 

Këtu, tek ky lis, në dhjeor të vitit 1942, me pjesëmarrjen e fshatrave Munushtir, Slatinjë, Cerovë, Liqedh, Grepckë, Rovicë, Nishicë, Veleshnje u zgjodh Këshilli Nacionalçlirimtar i krahinës, ku kryetar u zgjodh Heroi i Popullit Xylyftar Veleshnja.

 

Po ç’u bë me lisin? Ai pësoi të njëjtin fat me kubenë dhe u pre në të njëjtën që ajo u prish. Me drutë e tij u dogj një furrë gëlqere që u përdor për ndërtimin e shkollës.

 

Fiset dhe llagapet

 

Sipas të thënave, fillimisht fshati ka qënë i banuar nga fiset Hamo, Çaçi, Telhaj, Poçe dhe Kalemi. Kanë patur banesat midis lagjeve Musabelliu në fund të fshatit dhe lagjes Spahiu. Nuk dihen as paraardhësit e   dhe as pasardhësit e tyre. Qënien e tyre e trashëgojnë në breza emra vëndesh si Ara e Telhajt ,Bregu i Poçes, Gropa e Hamos, Ara e Sabriut etj.

Fisi Çaçi thuhet që kanë qënë deri në vitet 1930 në fshat. Pastaj ata kanë ndërruar mbiemrin nga Çaçi në Hoxha. Vazhdimi i tyre ka qënë në Berat me banim dhe nuk dihet më për ta.

 

Fiset për të cilët dihet më shumë për evoluimin e tyre janë: Musabelliu, Spahiu, Bregu, Muka (Muka, Pëllumbi, Mali), Mali, Xanellarë.

 

Fisi Musabelliu: Janë vendosur në fund fshatit.  Ka disa versione për origjinën e tyre. Duket se ka të bëjë me një paraardhës me titull, ndonjë figurë historike, ndoshta edhe me Pashain e Kubesë, çka e tegon prapashtesa Belliu.  Ky fis ndër vite u shtua në numër dhe viti 1944 e gjeti të shpërndarë brënda fshatit në tri lagje në 10-15 familje.

Fisi  Spahiu: Mendohet  se kanë ardhur në vitet 1700. Ashtu si dhe Musabellinjtë, edhe Spahinjtë vijnë nga personalitete me titull. Spahintë ishin ushtarakë në rezervë dhe privilegjoheshin nga shteti me prona dhe ofiqe.

Fisi Bregu: Janë vendosur në një bregore, pranë Kubesë, ndoshta dhe prej kësaj kanë mbarrë mbiemrin Bregu. Sipas historikut të vetë fisit Bregu, nuk ka të dhëna nga e kanë prejardhjen e tyr. Nga ky fis kanë dalë njerëz punëtor të palodhur të cilet me dinjitet janë përballur me vështirësitë e jetës.

 

Fisi Muka: Mendohet se fisi Muka ka ardhur nga Korça për arsye hasmërie rreth viteve 1750-1800. Fillimisht janë vendosur pranë fisit Bregu, me të cilët kanë pasur një bashkëjetesë të  mirë. Më vonë me punë të ndershme përmirësuan gjendjen ekonomike, blenë prona në krye të fshatit dhe aty zgjeruan aktivitetin e tyre familjar, duke u shtuar edhe si numër familjesh.Tani mbajnë tre mbiemra, Muka, Mali dhe Pëllumbi.

 

Fëmijët e Qemal Pëllumbit

 

 Fisi Xanellarë: Kanë ardhur nga Tepelena, Përmeti 4 familje, të larguar prej andej për hasmëri kushte ekonomike. U vendosën në krye të fshatit .

 

Para viteve 1900 në fshat kanë ardhur për banim dy familje nga fshati Veleshnja. Shkak i ardhjes së tyre është bërë se ata kanë pasur prona në fshat.

 

Këto lagje së bashku para vitit 1900 bëheshin 30 shtëpi. Deri në fund të viteve 1980 fshati arriti deri në 90 familje.

 

Karakteristikë ështe se si fshat ka patur solidaritet në qëndrimet atdhetare dhe patriotike.

 

 

Në anën e duhur të historisë

 

Nishicallinjtë kanë marrë pjesë në të gjitha zhvillimet historike që ka patur vendi që nga periudha e Rilindjes sonë Kombëtare, Lufta e Parë  Botërore, Revolucioni i Nolit, Kryengritja e Fierit e vitit 1935, me Riza Cerovën në krye, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare etj. Ata kanë qëndruar në anën e duhur të historisë.

Morën pjesë me armë në dorë këta bashkëfshatarë: Në Brigadën e Dytë Sulmuese: Hajrullah Spahiu, Novrus Spahiu dhe Selman Musabelliu; në Brigadën e Shtatë Sulmuese: Qemal Pëllumbi, Enver Pëllumbi, Fari Spahiu, Naxhi Spahiu; në Brigadën e Dhjetë Sulmuese: Myftar Riza Mali, Estref Musabelliu, Hasan Mali, Njazi Nano; në Brigadën e 16[ të Sulmuese: Gani Muka dhe Muke Riza Mali; në Grupin e Tretë të Skraparit kanë marë pjesë në periudha të ndryshme, Nasibi Musabelliu, Selman dhe Faik Musabelliu, Mazllëm Bregu, Isuf dhe Ferit Mali etj.

 

Në luftën për çlirimin e vendit nga fshati Nishicë dhanë jetënsi Dëshmorë të Atdheut : Ali Myrto Spahiu (Nishica), Nesim Qazim Musabelliu, Muke Riza Mali dhe Njazi Bajram Spahiu.

 

Shkolla…arsimi

 

Në vitin 1955 u prish Kubeja në qëndër të fshatit dhe me gurët e saj u ndërtua shkolla fillore në fshat. Në këtë shkollë ka dhënë mësim për të parën herë biri i fshatit, Flamur Spahiu, i cili nxori nga kjo shumë  nxënës që sot janë në punë dhe fusha të ndryshme të jetës.

Në këtë shkollë kanë dhënë mësim dhe mjaft mësues të tjerë nga fshati dhe nga rrethet si: Astrit Mara nga Korça; Përparim Musabelliu, bir i fshatit; Xhevdet Sula dhe Iljas Bregu nga Veleshnja, Qamile Brati dhe Liri Qejvani nga Vlora, Bashkim Musabelliu, bir fshati, si dhe mësuesi më jetëgjatë në këtë shkollë, djali i fshatit, Lefter Mali.

 

Nga fshati janë arsimuar dhe shkolluar shumë bij të tij në fusha të ndryshme. Nishica mund të quhet fshati i ushtarakëve pasi shumë oficerë kanë sherbyer anë e mbanë vëndit si: Estref, Nasibi, Kadri, Niazi, Përparim Musabelliu, Qani Spahiu, Resmi Bregu, Asqeri Kuka, Hysen Burimi etj., të cilët me punën dhe kontributin e tyre kanë nderuar veten e tyre, familjen dhe fshatin.

Në fshat u ndërtua dhe një dhomë ambulatore ku shërbenin infermjeret e fshatit si: Medine, Valentina, Selvi Spahiu, Diliko Musabelliu, Zyrako Kuka, të cilat me punën e tyre të palodhur u gjendeshin pranë njerëzve për nevoja të tyre mjekësore.

Vitet 1990 sollën ndryshimet demokratike në vënd. Lëvizja e lirë e njerëzve bëri që shume djem të marin rrugën e emigracionit  shumë familje të largohen nga fshati në kërkim të një jete më të mirë. Sot në fshat shkolla fillore është e mbyllur, pasi nuk ka fëmijë, objektet e tjerë social-kulturore nuk ekzistojnë dhe në fshat kanë ngelur vetëm 13 familje. Shërbimet mjekësore, shkollimin i marrin në qytetin e Çorovodës.

 

Në fshat nga të ardhurat nga emigracioni dhe janë ndërtuar 8-9 shtëpi të reja bashkëkohore.