“Nëpër Tomorricë”, shënime udhëtimi të gati 120 vjetëve më parë, botuar në gazetën “Drita” të Sofjes

“Nëpër Tomorricë”, shënime udhëtimi të gati 120 vjetëve më parë, botuar në gazetën “Drita” të Sofjes

Nga Korça u nisç për në Berat, se kështu më ra puna…Udhë që janë për dhi të egra, nga nevoja i shkon edhe njeriu i mjerë.Të përpjeta dhe të tatëpjeta të tmerruara…dhe rripa të këqia është pothuajse tërë udha dhe çudi e madhe është si shkojnë mushka të ngarkuara.

 

Po kur bje shi është mos më keq; vende të vidhisura, lumenj të këqinj, përrenj të rrefkët dhe baltra gjer në samar të mushkës janë rrezik të paantë.

Ndër lumët të Protopapës, ndër lumët të Tomorricës e ndër lumët të Vodicës, që është larg Beratit më tepër se dy orë, nuk ka mot të mos mbyten 10-12 mushka. Edhe njerëz ka ngrënë dhe po ha kjo udhë, se mjerë udhëtarë kur lagen ku të thahen.

 

Vetëm dy hane ka ndë këtë udhë kaq të gjatë, një ndë urë të Protopapës dhe një ndë Dobren. Njerëzit janë fare të varfër, opinga e këmishë pothuajse s’kanë ndë trup, ngado t’i shohç iu duken mishrat. Të gjithë janë të pa ditur se shkolla s’ka gjëkundi.

 

Pas nja dy orëve arrijmë ndë majët të kësaj të përpjete të keqe. Që nga maja që përmendëm më parë dhe deri në Gurë të Prerë udha është tërë e thormë dhe fort e bukur, se është e drejtë, e veshur me drurë të mëdhenj; më të djathtë syri sheh gjer në Vërçët dhe ndënë një fshati të vogël, ndër ca sheshe ndë mes të pyllit, edhe më të mëngjër sheh Tomorrin, majat e të cilit janë kurdoherë me dëborë, e një pjesë e madhe e Tomorricës. Këta vende, ndoshta s’janë pjellore, por pamjen e kanë të pëlqyer e të bukurë.

Ndë këtë udhë kaqë të bukur, si i ndamë prej kusarëvet, secili nga barrëtorët zuri të tregojë të hequrat e tij nga kusarët në ata vende, të cilët tregime edhe sot kur i kujtoj, më dridhet shpirti – t’pa numëruar njerëz janë rrjepur e janë vrarë ndër ata vende. Shumë dendur sheh udhëtari togje gurësh, ndër të cilët janë mbuluar të vrarët sipas zakonit të vendit!

 

Oh, mjerë Shqipëria i paguan Sulltanit jo vetëm të dhëna të rënda, por edhe 300-400 lëkurë njerëzish vetëm me anë të kusarëvet!

 

Duke kuvenduar të tilla të tmerruara, arritmë në Gurë të Prerë, i cili quhet kështu se mbë një anë është i prerë si me thikë. Ay është i madh, si ndonja 10 metra i lartë e nja 7-8 metra i gjerë dhe gjendet një një qafë që ndan Oparin nga Tomorrica.

 

Pranë kësaj qafe flejtëm atë natë, po ne e dimë ç’kemi hequr, megjithëse zjarri digjej tërë natën. Ditën tjetër ndë mëngjesët nisëm të zbresim drejt Dobrenit, që është një vend grill e fort i xhveshur. Njerëzia ishin të xbathur e të xhveshur, aq sa të them të drejtën, të veshur ndë lecka, ndonse njëri-tjatrin mes tyre e quanin bej.

 

Mydyri i Tomorricës rri ndë një farë tregu pre 20-25 dyqanesh, në një pllajë përtej Dobrenit.

Ndë Dobren zbritmë në lumë të Tomorricës ku pamë vdekjen me sy. Kishte rënë shi dhe lumi ishte bërë det; ujët u vinte mushkavet gjer në samar, edhe një mushkë e mori ujët e e shpuri nonjë 20 çape më poshtë, por deshi Zoti e shpëtoi. Kështu që shpëtuam pa ndonjë dëm të madh.

 

…Si kaptuam qafën eTomorricës e zumë të udhëtojmë anën e perëndimit të Tomorrit, një barrëtuar më tha:

-A e shikon atë majë, atje është Baba Tomorri. Ndë gusht, kur pakësohet dëbora, venë një ditë gjithë njerëzia rreth e rrotull dhe i shpjenë kurban Zotit.

-Po ç’ka atje lartë?

-Atje është varri i një të Miri që ka qenë që moti, ky ndonjë herë lëshon topa që dëgjohen që larg.

-Unë s’i besoj këto, i thashë, por si duket rrëzohet poshtë ndonjë popël gur apo këputet ndonjë copë akulli edhe oshëtimën e tyre e marrin të paditurit për topa.

…Nga Berati Tomorri duket si një leon i madh që rri mbë gjunjë e që është gati të hidhet mbi ndonjë egërsirë e të futnjë thonjtë ndë mishrat esaj.

 

Vallë nuk është kjo gjë që bëri përrallën, se ndë Tomorr rri Zoti?!…

 

 

Shënim:

Ky shkrim është botuar në gazetën “Drita” të Sofies, viti 1906